Me Ukrainen i kthehemi skemes se zakonshme

Me Ukrainën i kthehemi skemës së zakonshme

Miqësorja e nesërme ndaj Ukrainës pritet të jetë prova gjenerale e Shqipërisë në prag të debutimit në Europian kundër Zvicrës. Trajneri Xhani De Biazi do të hedhë në testin e fundit praktikisht formacionin më të mirë të mundshëm. Nga ajo që ka praktikuar në seancën e pasdites së djeshme, thuajse janë zbardhur edhe ndryshimet në krahasim me miqësoren ndaj Katarit, ku disa titullarë e nisën nga stoli.

Risia më e madhe ndaj Ukrainës është aktivizimi nga minuta e parë e sulmuesit Armando Sadiku, i cili ka fituar duelin me Sokol Cikalleshin për majën e sulmit. Nga stoli pritet ta nisë Shkëlzen Gashi, e po ashtu edhe Bekim Balaj, ndërsa ndryshime ka edhe në repartet e tjera.

stervitjee kombetarja

Titullarët

Shqipëria pritet të zbresë në fushë me skemën 4-5-1. I sigurt në portë është Etrit Berisha, ndërsa përpara tij do të rreshtohen Elseid Hysaj në të djathtë, Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj në qendër, si dhe Ansi Agolli. Kësisoj, ulen në stol Arlind Ajeti dhe Naser Aliji, që kundër Katarit u aktivizuan nga minuta e parë. Ndërsa në mesfushë ndryshimet janë në qendër. Migjen Basha dhe Andi Lila përfundojnë në stol, ndërsa De Biazi do të përdorë treshen Amir Abrashi, Ergys Kaçe dhe Taulant Xhaka.

Nga krahët do të luajnë të zakonshmit Odise Roshi dhe Ermir Lenjani, të cilët do të mbështesin Armando Sadikun e vetëm në majën e sulmit. Goli spektakolar ndaj Katarit ka bindur De Biazin për ta përdorur elbasanasin si titullar, por nuk mund të flitet me siguri nëse Sadiku do ta nisë nga minuta e parë kundër Zvicrës. Miqësorja me Ukrainën është prova e madhe për lojtarin që e mbylli kampionatin te Vaduzi, duke kaluar një formë të shkëlqyer.

Ndërkohë, në stërvitjen e pasdites së djeshme De Biazi ka provuar disa skema, duke u ndryshuar edhe rolet lojtarëve që janë kandidatë për titullarë. Provat me rreshtimin 4-3-3 bënin që Gashi dhe Cikalleshi të luanin si sulmues krahu, ndërsa Balaj në rolin e "pykës". Megjithatë, ky variant zor se mund të përdoret në Europian, por trajneri ka kërkuar të shohë se si reagojnë sulmuesit, aq më tepër ata që pretendojnë formacionin.

stervitje kombetarja

Paraditja

Stërvitja e paradites së të mërkurës ka qenë ndryshe për kuqezinjtë në Bad Valtersdorf. Trajneri De Biazi nuk e ka bërë rrugën në këmbë me presidentin Duka, por ka preferuar biçikletën, ndërsa kreu i FSHF-së është shoqëruar nga zv.trajneri Erjon Bogdani. Pas largimit të Rashicës, Rrahmanit, Shalës dhe Gjimshitit, në skuadër atmosfera ishte e qetë, teksa 23 futbollistët e mbetur nuk e kanë më ankthin nëse do të jenë apo jo në Europian.

Seanca e paradites ka zgjatur rreth 75 minuta. Nisi me 15 minuta nxehmje dhe pastaj me 3 portierët që janë veçuar me përgatitësin Ilir Bozhiqi. 20 futbollistët e tjerë zhvilluan për 30 minuta përgatitje fizike nën drejtimin e Alberto Beles. Më pas është futur në punë De Biazi, që i ka kushtuar rëndësi anës taktike. Ai është fokusuar te lojtarët e krahëve, por, në ndryshim nga pasditja, këtë herë trajneri i përzjeu kartat, duke mos lënë të kuptohet asgjë sa i përket formacionit. Roshi, Agolli, Gashi dhe Lenjani kanë punuar për disa minuta me krosimet e gjata dhe pasimet në zonë.

Gjithçka u mbyll sipas parashikimeve të stafit teknik, që me kalimin e ditëve po fokusohet gjithë e më shumë tek ana taktike, duke qenë se Zvicra është te dera dhe deri më 11 qershor formacioni duhet të harmonizohet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama