Me X6 dhe me 70 mije Euro per ne Lazarat

Me 'X6' dhe me 70 mije Euro per ne Lazarat

Ishte nisur për në Lazarat me rreth 70 mijë euro me vete për të marrë drogë, policia e ndalon, duke parandaluar edhe blerjen e mundshme të mallit narkotik.  Sipas Policisë, blerësi nga Vlora është ndalur në momentin fillestar teksa po udhëtonte drejt këtij fshati. Mësohet se sasia e eurove të sekuestruara kapte shifrën 69 400, ndërkohë që ende nuk është identifikuar kultivuesi që do të shiste mallin narkotik.

Ngjarja ndodhi mesnatën e së mërkurës duke u gdhirë e enjte, në aksin nacional Tepelenë-Gjirokastër, teksa policia e këtij qarku, përmes informacioneve në terren, siguroi se shtetasi K. S., 32 vjeç, nga Vlora, do të shkonte në Lazarat. Ai do të dorëzonte sasinë prej rreth 70 mijë eurosh si dhe mjetin e tij tip fuoristradë, kundrejt tërheqjes së mallit narkotik. Ndalimi i rrugëtimit të mjetit është kryer në urën e Subashit, në afërsi të kufirit administrativ mes Tepelenës dhe Gjirokastrës. Policia ka ndaluar mjetin dhe kreu një kontroll ku u gjet dhe shuma e parave.

Blutë i kërkuan të riut vlonjat shpjegime në lidhje me origjinën e eurove dhe deklarimit të tyre. Në mungesë të një alibie të qëndrueshme, uniformat blu kanë shoqëruar në komisariat 32-vjeçarin. Burimet policore konfirmojnë se është proceduar penalisht në gjendje të lirë vlonjati për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Ngjarja është duke u hetuar, por paraprakisht burimet policore thanë se ka dyshime se sasia e eurove do të shërbente për blerjen e një ngarkese të konsiderueshme marijuane në fshatin Lazarat.

 Dyshohet se bashkë me eurot do të këmbehej edhe makina fuoristradë “BMË X6”, e cila në tregun e sotëm vlen mbi 5 milionë lekë. Si rrjedhojë, sektori për Krimin Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka sekuestruar sasinë e eurove dhe fuoristradën në cilësinë e provave materiale, ndërkohë që 32- vjeçari vlonjat po hetohet në gjendje të lirë.

Po gjatë ditës së djeshme, Policia e Gjirokastrës, në vijim të aksionit për goditjen e veprimtarisë ilegale të lojërave të fatit, rreth orës 19:00 në qytetin e Këlcyrës, bllokuan dy makineri të lojërave të fatit, si dhe një ruletë në një lokal të marrë me qira. Pronari është proceduar penalisht dhe ndiqet në gjendje të lirë për organizim të lotarive të palejuara dhe vënia në dispozicion të ambienteve apo lokaleve për lojëra fati.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama