Me dashurine cajkovskiane

Me dashurinë

Uvertura "Romeo dhe Zhuljeta" e Çajkovskijt dhe Dvorzhak, erdhën premierë për publikun mbrëmjen e së dielës në koncertin solistik të Suela Picirit e orkestrës së TKOB-it, të drejtuar nga dirigjenti grek George Petrou.

"Është premierë dhe përveç kësaj është e veçantë se orkestra e TKOB-it luan simfoni, jo opera apo balet, gjë që e bëjmë shumë rrallë", shprehet violinistja Piciri, në një intervistë dhënë shumë pak para koncertit për "Metropol". Ndërsa Petrou vlerëson artistikisht orkestrën shqiptare duke e quajtur të një cilësie ndërkombëtare, pavarësisht "problemeve funksionale", "normale në çdo opera" kudo në botë.

"Çajkovskij", një koncert solistik juaji. Çfarë sillni të veçantë?

Për herë të parë luhet në shqip Dvorzhak. Është premierë dhe përveç kësaj është e veçantë, se edhe orkestra e TKOB-it luan simfoni, jo opera apo balet, gjë që e bëjmë shumë rrallë. Në këto lloj koncertesh orkestra ka një rol principal, jo vetëm shoqërues siç ndodh në opera dhe për mendimin tim njerëzit motivohen të bëjnë maksimumin e tyre. Janë më prezentë dhe solistë në skenë duke luajtur simfoni. Koncerti hapet me uverturën e Çajkovskit "Romeo e Zhuljeta". Më pas koncerti i Dvorzhak për violinë e orkestër dhe simfonia nr. 8 e Dvorzhak.

Dirigjenti është grek. Ç'mund të thoni për punën me të?

Është hera e dytë që dirigjenti vjen në Shqipëri, për të bërë një koncert simfonik të mirëfilltë. Është dirigjent me eksperiencë të gjatë në skenat botërore të muzikës, si: Angli, Francë, Gjermani, Itali, SHBA, Çeki, Rusi etj., si pianist solist e dirigjent. Për realizimin e koncertit doja të falënderoja TKOB-in, Ministrinë e Kulturës dhe ambasadën greke. Jam shumë e kënaqur nga bashkëpunimi me dirigjentin dhe shpresoj të mirëpritemi. Emocion shumë i madh.

Pse Dvorzhak?

Ishte një zgjedhje nga TKOB-i dhe unë. Më parë kam qenë pjesëmarrëse si pjesë e orkestrës në një koncert të ambasadës greke dhe pashë aftësitë e jashtëzakonshme si muzikant. Do ta quaja veten me fat për këtë bashkëpunim.

Së fundmi, ç'mund të thoni për angazhimet tuaja pas kësaj shfaqjeje?

Ky është aktiviteti im më i rëndësishëm si soliste për këtë vit. Shpresoj të bashkëpunoj me artistë të huaj italianë për një projekt timin, por është ende herët për të folur.

Bisedoi: B. Goce

Suela Piciri

Violiniste soliste dhe koncertmaestre e Orkestrës Simfonike të TKOB-it prej tetë vitesh.

Në vitet 1999 diplomohet në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku gjatë gjithë viteve është vlerësuar me rezultate maksimale. Është prezente vazhdimisht në jetën muzikore të kryeqytetit dhe në rrethe. Ka marrë pjesë në të gjitha prezantimet e TKOB-it jashtë vendit në cilësinë e koncertmaestres si në Francë, Itali, Greqi, Maqedoni. Është ndër më të aktivizuarat në formacionet e muzikës së dhomës në vend dhe jashtë me disa nga ansamblet më të njohura. Si soliste ka interpretuar në recitale, në stinët koncertore "Allegretto Albania" e shoqëruar nga pianisti Roberto Arossio, në "Klasik", si dhe në aktivitetet e "Nei suoni del luoghi" etj. Ka ekzekutuar në përbërje të kuartetit "Guadi" (Francë) në një mbrëmje koncertore me sopranon me karrierë ndërkombëtare Inva Mula. Është vlerësuar me çmime dhe është pjesëmarrëse në "Festivalin e muzikës së re '99". Si soliste është vlerësuar në interpretimin e koncerteve të repertorit botëror violinistik, si: Mendelson, Çajkovski dhe Sibelius nën drejtimin e dirigjentëve Martin Andre, Petrika Afezolli, Ermir Krantja si dhe në vepra të tjera solistike nga Beethoven, Bartok, Kalomiris. Si koncertmaestre luan vazhdimisht solot në vepra të tilla: "Liqeni i mjellmave", "Sheherezade", "Bajadera", etj. Koncertin për violinë dhe orkestër të Antonin Dvorzhak e luan për herë të parë në skenën e TKOB-it.

 
Nga Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama