"Ai ishte një krijues tepër i veçantë, një personalitet i madh i kulturës sonë. Dhe unë, duke qenë se kam punuar për një kohë të gjatë me të, patjetër që më ngacmonte diçka, dëshiroja të thosha edhe unë fjalën time në lidhje me të, kisha dëshirë që vepra e tij të thellohej më shumë, ndaj edhe u ula, mblodha kujtimet e mia, gjithçka që kam kaluar, i hodha në letër", vijon më tej ai. Albert Janku kujton shumë prej mjeshtrit sepse për të, të rrije një orë me Panajot Kanaçin ishte sikur të merrje një leksion të ri më vete, sepse gjatë gjithë kohës fliste për përjetimet, dëshirat dhe mënyrën se si e konceptonte një balet në skenë, apo lëvizjet e balerinëve e valltarëve. "Në vitin 1963, arriti ta realizonte baletin e parë shqiptar në një kohë kur ne në Shqipëri, shumë etapa në balet i kaluam me shumë shpejtësi jo si bota që i kaloi këto etapa në kohën e duhur. Poezinë e shkruar nga Kolë Jakova ‘Halili dhe Hajria‘ Panajot Kanaçi e hodhi në balet. Në libër, kam sjell edhe shumë episode të tjera nëpërmjet të cilave ne gjendemi përballë një intelektuali të madh, një patrioti që me të vërtetë e donte Shqipërinë, me një dashuri të madhe për njerëzit me të cilët i pëlqente të komunikonte vazhdimisht", tregon kërcimtari dhe koreografi Janku.
Ai kujton se Kanaçi veprimtarinë e tij krijuese e konceptonte si një dritare të hapur të shpirtit që portretizon edhe detajin më të parëndësishëm të fizionomisë. Dhe ngjyrime të tilla e ushqenin penelin e tij, qysh nga ajo kohë kur në Shqipëri nuk ekzistonte koreografia e vazhdoi kështu deri atëherë kur arkivat dhe skena shqiptare, vazhdon t‘i referohet veprës së tij. Mjeshtri është përpjekur që kërcimi, baleti, vallja dhe koreografia në tërësi të bëheshin pjesë e kulturës kombëtare. Për Jankun, ai i bëri vend kërcimit, dha një ndihmë në civilizimin e kohës kur jetoi e punoi, e përcolli këtë art si një veprimtari të fuqishme, e cila do të kishte ndikim të madh edhe në të ardhmen. Më mirë se kushdo ai kuptoi se kërcimi i ka rrënjët në të shenjtën dhe njëkohësisht edhe në socialen, kuptoi se ai kërcim që nuk i përmban këto veti është i paefektshëm. Por në traditën folklorike ai kërkoi dhe gjeti materiale pafundësisht. Rrallë një koreograf e do dhe e njeh me aq pasion e këmbëngulje folklorin e vendit të tij. Pikërisht aty ai gjeti muzat krijuese që e nxitën drejt krijimtarisë të cilën e la pas. Puna e tij artistike, e cila nis nga viti 1945 e përfundon në vitin 1996, kur ndërroi jetë, është dëshmia më e madhe e gjithë krijimtarisë së tij, duke theksuar edhe një herë se ai, Panajot Kanaçi ishte ndër themeluesit, krijuesit e koreografisë por edhe vallëzimit shqiptar. E po kaq shumë aq sa dashuronte vallen popullore, aq edhe dashuronte edhe baletin klasik. Adhuronte përvojën e themeluesve të klasikes dhe romantikes në balet, por e ndjente se trupi i njeriut, ecja, lëvizja dhe kërcimi janë përherë në gjendje të thonë shumë më shumë. "Klasiken dhe modernen ai kurrë nuk e pa si dy disiplina konfliktuale. Në shumë raste ai është munduar që baletin klasik dhe atë modern t‘i fusë në një rrjedhë duke arritur në ruajtjen e specifikave përfaqësuese.
Dhe kështu ndodh te baleti ‘Françeska da Rimini‘, te ‘Trio me daulle‘, pjesërisht te baleti ‘Bijtë e peshkatarit‘ apo te ‘Shote Galica‘. Ai u mundua dhe arriti të jetë individualitet, por edhe autor i shkëlqyer në koreografinë tonë", thekson Janku. Për të si autor "Kështu e njoha unë Panajot kanaçin" është një dëshmi se si sytë dhe vëmendja e tij e kanë parë në kohë fenomenin kompleks të prurjeve artistike. Talenti dhe aftësitë që shkrihen me shpirtin e tij të butë, dendësia e veprimtarisë krijuese na tregon se rrugëtimi që ai kreu në hedhjen e themeleve të koreografisë shqiptare ka qenë i gjatë dhe aspak i lehtë. Mjeshtri i madh, koreografi Panajot Kanaçi lindi në Delvinë dhe u rrit në Sarandë. Afërsia me detin la shenjë përherë tek ai dhe baletin e krahasonte me valët e detit. Dhe kështu e dinte se jeta e tij do të ishte ndryshe. Kishte një qëllim dhe atë do ta çonte deri në fund, pavarësisht përballjeve me njerëzit. "Gjatë jetës me skenën, kur e di mirë se ajo që krijon do të ballafaqohet me shikuesin, nga i cili merr edhe konsideratën që meriton, është mirë të ndjesh ndërgjegjen të pastër ndaj krijimit tënd, duke pritur me gjakftohtësi shprehjen kritike të vlerave dhe antivlerave", thoshte shpesh mjeshtri.
E për këtë arsye, ai dinte të kujdesej për çdo gjë, deri në detaj. Me forcën që rrjedh prej dëshirës, Panajot Kanaçi u diplomua në njërën nga shkollat më të mira të koreografisë dhe regjisë në Moskë. Pas kësaj, djali që vinte prej valëve nis të jetojë në Tiranë për të nisur me artin e bukur të vallëzimit. Thonë se ishte një njeri i destinuar për të krijuar të bukurën e madje edhe ai vetë kuptoi se e bukura që e donte aq fort, la shenja në brezat që erdhën më vonë. Panajot Kanaçi ishte ndër themeluesit e degës së koreografisë në Akademinë e Arteve të Tiranës. Me bashkëkohësit e tij, Panajot Kanaçi u rrit me po të njëjtin pasion, dëshirë për të krijuar në kërcim. Të gjithë kaluan vështirësitë e tyre, patën edhe çaste të bukura, eksperimentuan në një farë mënyre, por ia dolën mbanë. Për këtë arsye, Albert Janku, thotë se është duke përgatitur një tjetër vëllim, i cili i kushtohet mjeshtrit Agron Aliaj, tek i cili Panajot Kanaçi u mbështet shumë. Panajot Kanaçi ndërroi jetë në korrikun e vitit 1996.
Panajot Kanaçi : Gazeta Shqip