Elhaida, riktheheni në Tiranë pas fitores në “The Voice of Italy”. Si ndiheni?
Fillimisht dua t’ju falënderoj shumë për mbështetjen që më keni dhënë nga dita e parë deri më sot. Jam shumë e mallëngjyer. Nuk e prisja asnjëherë këtë mbështetje nga ju. E dija që shqiptarët do të lumturoheshin dhe do të ndiheshin krenarë, por asnjëherë deri në këtë fazë. Për këtë ju falënderoj nga zemra. Unë do të ndihesha fitimtare dhe nëse nuk do të isha fituese e atij konkursi. Falënderoj këdo për mbështetjen dhe për mikpritjen. Sido-mos Riccardo Cioccante pasi pa atë unë nuk do t’ia kisha dalë kurrë mbanë. Jam shumë e lumtur që e kam njohur. Ende jam shumë e emocionuar.
Elhaida, pas “The Voice of Italy” çfarë do të ndodhë me karrierën tënde? Cilat janë kontratat e para që ke nënshkruar?
Po punojmë për albumin e ri që do të dalë në korrik. Mendoj se do të ketë disa këngë të miat në italisht, tre në anglisht, kënga që ka realizuar profesor Cocciante dhe disa këngë që kam kënduar gjatë rrugëtimit tim në “The Voice of Italy”. Kam fituar një kontratë me Universalin, por ende jemi duke punuar. Ka shumë të reja, por ende nuk mund të bëjmë asnjë publike. Vetëm mund të them se gjithçka po ecën në rrugën e duhur.
Çfarë do të bëhet me këngën që të bëri Riçardo Cocciante. A do të kthehet në italisht, do të ketë një vazhdim?
Jemi duke punuar që teksti për këngën që më ka realizuar profesor Riccardo të jetë dhe në italisht. Të martën regjistrojmë klipin e kësaj kënge në Milano.
Tashmë ke realizuar ëndrrën e fëmijërisë së nënës tënde për të qenë një këngëtare. Si ndihesh për këtë?
Që e vogël e kam ditur se mamaja ime ka dashur të bëhej një këngëtare, por këtë nuk e kishte të mundur për shkak të regjimit komunist që nuk ia lejoi. Gjithnjë kur isha fëmijë më thoshte “zemra e mamit vazhdo të këndosh. Ajo më ka mbështetur gjithmonë në realizimin e ëndrrës që unë të isha në skenat e mëdha për të kënduar. Prandaj them se për mua ka qenë një mbështetje shumë e fortë. Shpeshherë dhe sot emocionohem kur e shikoj atë teksa emocionohet për suksesin tim. Sepse unë po e përjetoj njëkohësisht dëshirën e mamasë sime dhe timen.
Pjesë e suksesit tënd pas fitores janë bërë të gjithë nga pak. Mbi të gjithë politikanët. A ndihesh paksa e përdorur nga politika në këtë rast?
E përdorur nuk do të thoja. Nuk besoj se është çështje politike nëse të urojnë apo të ftojnë për të të “nderuar” Kryeministri, Sali Berisha, Presidenti, Bujar Nishani apo dhe Ministri i Kulturës, Visar Zhiti. Mund të them veçse ndihem e nderuar, pasi është emocionuese që një vajzë 20-vjeçare të nderohet nga emra të lartë të shtetit shqiptar. Prandaj unë këtë nuk e quaj kurrsesi politike. Por dhe nëse do të jetë politike, e vetmja gjë që më intereson mua është të këndoj dhe të bëj muzikë. Nëse Kryeministri, Presidenti apo kushdo tjetër më uron, unë i mirëpres urimet e tyre. Por në këtë mes nuk ka asnjë qëllim politik.
Karriera jote si këngëtare tashmë do të vazhdojë në Itali?
Shpresoj që të vazhdojë në Itali dhe më gjerë. Mund të them se do të më bëhej shumë qejfi nëse do të vazhdonte në Itali, sepse është shteti që më ka mbështetur shumë, njëlloj sikurse të ishte vendi im. Kjo do të ishte një arritje për mua.
Cocciante: Elhaida është birësuar nga populli italian
Kantautori italian Ricardo Cocciante, trajneri që i dha një mbështetje këngëtares fituese në "The Voice of Italy", Elhadia Danit e shoqëroi dhe në takimet e para pas fitores, në Tiranë. Ai u shpreh i emocionuar që për herë të parë ishte në Shqipëri, për të bashkuar artin ndërmjet dy vendeve. “Ndihem i mallëngjyer për këtë pritje. Para së gjithash sepse unë kam filluar të këndoj që në fëmijëri, por nuk e kam menduar kurrë se do të arrija të prekja kaq shumë zemra njerëzish. Për më tepër të arrija dhe një sukses nga ana shoqërore. Gjithsesi unë nëpërmjet këngës kam shkrehur shumë dhe për këtë ndihem i lumtur që jam këtu”. Kurse përsa i përket konkursit të “The Voice of Italy”, Coçiante tha se : “Kur dëgjova Elhaidën në të vërtet pash tek ajo një talent që kishte dhe ka për të kapërcyer kufijtë. Kufiri më i vështirë për t'u kapërcyer ishte ai i Italisë. Elhaida e tregoi këtë me talentin e saj dhe populli italian pa-varësisht se e dinte, se Elhaida nuk ishte italiane, por shqiptare ata thyen kufijtë dhe e zgjodhën si fituese të këtij konkursi. Kështu ata hapën zemrat e tyre. Prandaj në këto momente Elhaida është birësuar nga populli italian”. Sipas tij, arti s’duhet të njohë kufij, por kjo u konfirmua edhe njëherë tjetër pikërisht në këtë spektakël, pasi italianët u treguan të hapur duke vlerësuar me çmim këngëtaren me origjinë shqiptare, Elhaida Danin. “Ky çmim për mua është i dyfishtë, sepse demonstron ed-he njëherë që arti s’duhet të vuajë nga nacionalizmat”. Më tej ai tregon se në që në fil-lim Elhaida këndonte shumë mirë prandaj ai u kthye men-jëherë. Në përfundim të aktivitetit në MTKRS Cocciante interpretoi dhe këngën “Margherita” për të pranishmit. Cocciante sot në orën 10.00 do të dekoro-het nga Presidenti i Shqipërisë, kurse në orën 11.00 do ti bëhet një pritje zyrtare nga Kryeministri Sali Berisha.
Zhiti: Shumë artistë dënoheshin kur këndonin këngët tuaja
Ministri i kulturës, Visar Zhiti i shprehu Riçardo Cocciante-s falënderimet për mbështetjen që i ka dhënë vajzës shqiptare, Elhaida Danit. Ndër të tjera ai tha se përveçse është një emblemë e kulturës italiane dhe europiane në përgjithësi, sepse ka dhënë gjënë më të bukur dhe më të çmuar zemrave njerëzore, këngën, sepse tashmë është pas- uri e popullit italian dhe shqiptar. “Mbase ne jemi vendi ku ju njiheni më shumë e ju duam më shumë, pas atdheut tuaj”. Zhiti bëri dhe një përmbledhje të shkurtër se çfarë ndodhte gjatë periudhës së komunizmit. Kështu sipas Zhitit, ata që këndonin apo dëgjonin këngë në italisht dënoheshin me burg. Si shembull konkret solli Sherf Merdanin, të cilin e prezantoi me Cocciante-n. "Mirënjohje italianëve që pa kompleks, me qytetari e fisnikëri e votuan si të tyren, Elhaida Danin".