Me ke flet arti bashkekohor

Me kë flet arti bashkëkohor
Diskutimi në mbyllje të "Onufrit" ka si parantezë prurjen e 700 nxënësve nesër paradite në Galerinë Kombëtare të Arteve


Është një nga çështjet e konferencës për artet pamore që organizohet nesër, ora 18.00 në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.


Diskutimet mbi artet pamore në Shqipëri janë të huaja. Nëse skena e këtyre arteve është zgjeruar me aktivitete në nivel kombëtar e ndërkombëtar, me iniciativa private dhe të institucioneve apo zgjeruar me qarkullim më të lirë të mendimit, frymës, dhe vetë veprës së artit nga jashtë brenda dhe nga prezantime të artistëve shqiptarë jashtë, diskutimi për këtë zhvillim nuk ka lëvizur vendit.


Ndonjëherë duket sikur ata që janë në rrjedhë të këtyre zhvillimeve, nuk janë të interesuar që dialogu të hapet jashtë rrethit të tyre, rreth i mbyllur mes krijuesit, kuruesit, administruesit. Këta sikur janë të pamësuar të përballen me publikun në përgjithësi dhe me një publik të artit pamor në veçanti (nëse ky ekziston si i tillë).


Ku duket kjo mungesë vullneti, metode, taktike, nuhatje dhe dëshire? Tek mënyra se si art pamor mendohen vetëm punët në mure apo brenda një hapësire të marrë me qira për një mbrëmje ekspozimi ku artistët njihen mes tyre dhe me "palët e interesit".


Tek konceptet autoriale dhe kuratoriale në forma hermetike si ato "prozat poetike" që i ngjisin në mure për t'ju përgjigjur pyetjeve "ç'është kjo vepër?", "ç'më shtyu ta krijoj", forma që kanë zëvendësuar edhe heshtjen vetë përpara veprës.


Tek mënyra se si kjo rrjedhë e përdor dhe e shfrytëzon median dhe nëpërmjet saj edhe publikun, pavarësisht se media pëlqen shpesh të përdoret dhe të shfrytëzohet.
Mediat janë një rol pasiv në këtë proces. Shpesh ato i bien për shkurt. Pse? Sepsetë janë jo pak.


Ngjarje të artit pamor janë për median jo vlerat e atij arti por vendi ku ekspozohen këto vlera. Nëse ky vend është Galeria Kombëtare e Arteve vlerat merren të mirëqena.
Po ashtu, Bienalja, për median është ngjarje për përplasjet e saj "me etikën dhe moralin shoqëror", për "ekseset" dhe "skandalet" dhe "veprat e turpshme".


Media shkon deri tek leximi ndjesor i ngjarjeve të artit pamor, herë-herë shkon edhe drejt dokumentimit të sinqertë dhe të painteres të tyre, pa mundur të arrijë tek interpretimi, komentimi, selektimi i asaj që ndodh në skenën shqiptare po edhe i asaj që ka ndodhur, traditës.


Flasim për fushën e artit që e vuan më shumë nga të tjerat rolin e kritikut, mungesën e tij, sepse tek dija dhe kultura që kërkojnë artet pamore do të thyenin kokën kritikët shqiptarë siç ndodh kur bie në tokë të shkretë dhe të fortë.


Nesër, ora 18.00, në sallën e konferencave të MTKRS, shoqata ArtKontakt organizon konferencën me titull "Gjendja e artit bashkëkohor në Shqipëri: zhvillimet e ardhshme".
Kjo konferencë zhvillohet në kuadrin e mbylljes së Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore "Onufri".


Organizatorët, Andi Tepelena i shoqatës ArtKontakt dhe artisti Robert Aliaj, pjesëmarrës në "Onufri", mendojnë se një diskutim i tillë "do të shërbejë për të bërë një reflektim, një analizë dhe vetëkritikë për gjendjen e artit bashkëkohor në Shqipëri, në mënyrë që të thellohet debati në lidhje me këtë çështje."


Ata shpresojnë në pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve kulturore, të kuratorëve të artit, ekonomistëve, menaxherëve, kritikëve, artistëve dhe filozofëve. Shpresojmë bashkë me ta që njerëzit të vijnë, që kuratorët, filozofët, kritikët po edhe ekonomistët t'i zbresin argumentet e tyre në tokë.


Temat e konferencës janë:
Ekspozita Onufri: Historia dhe momentet kyçe; Roli i kuratorit; Kush e vlerëson artin bashkëkohor në Shqipëri dhe për çfarë qëllimesh; Artisti dhe shoqëria; Arti shqiptar në panoramën artistike evropiane; Prodhimi dhe promovimi i artit bashkëkohor si faktor zhvillimi territorial; Niveli i sponsorizimeve dhe financimet alternative.


Parantezë e këtij diskutimi është hapja e dyerve të Galerisë Kombëtare nesër paradite për 700 nxënësve të shkollës "Edith Durham" të Tiranës. Artisti Robert Aliaj mbyll projektin "Hijena dhe minj" i prezantuar në edicionin e fundit të "Onufrit".


Ai ka angazhuar në këtë projekt 400 fëmijë të ciklit fillor, jo vetëm për tematikën që prek projekti po edhe për "edukimin artistik të fëmijëve të vegjël, kryesisht të moshës 8-12 vjeç, për të krijuar kështu një gjeneratë të shëndetshme fëmijësh të interesuar të vizitojnë hapësirat e artit në kryeqytet. Do të sjellim rreth 700 nxënës të kësaj shkolle të shoqëruar nga mësuesit dhe prindët e tyre, për të folur për problematikën e projektit", njofton Aliaj.


Në një intervistë për "Shekullin" dy javë përpara, ai është shprehur se është shumë i rëndësishëm prezantimi i punës së tij në Shqipëri (Aliaj jeton në Bruksel). "Në të gjitha sferat në Shqipëri ka shumë probleme. Këto, nëpërmjet artit, jo se do të zgjidhen, por arti reflekton, hedh ide, denoncon.... Njerëzit duhet të sensibilizohen. Duhet edhe të informohen. Jo se nuk e dinë. Por jeta e vështirë i bën ata indiferentë."


Elsa Demo : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama