Po. Më 1 mars lamë pas Kepin Arktiçeski. Pas 55 ditësh arritëm në Polin e Veriut dhe pas 51 ditësh të tjera arritëm në Groenlandë. Nëna natyrë nuk ishte shumë dashamirëse ndaj nesh. Kishim vetëm dy apo tri ditë me diell dhe më pas për ditët në vijim kemi bërë një luftë konstante kundër stuhive dhe të ftohtit. Tani kërkoj të zhdramatizoj çdo gjë, por ka qenë një sfidë e vështirë aventure.
Ishte një mision shkencor apo eksplorues?
Këtë udhëtim e quajtëm një mision shkencor. Nuk jemi shkencëtarë të vërtetë, por mund të punojmë në kushte dhe vende jashtëzakonisht të vështira. Çdo 40 kilometra rrugë matnim trashësinë e shtresës së borës mbi akull. Çdo herë që zbulonim diçka në një interval prej 5 metrash mbi një sipërfaqe prej 500 metrash, e fotografonim me aparat dixhital. Kishim me vete një instrument special, i cili hynte nën shtresën e borës deri sa të takonte akullin poshtë. Këto matje janë shumë të rëndësishme, sepse përcaktimet mbi trashësinë e akullit të kapura nga sateliti ndikojnë te shtresa e borës që e mbulon. Pa të dhënat mbi trashësinë e borës, është e pamundur të verifikosh dhe të korrigjosh leximin nga sateliti. Gjithashtu, shumë e rëndësishme është edhe trashësia e akullit, sepse duhen bërë parashikimet si për shkrirjen e tyre, ashtu edhe për të ardhmen e Arktikut.
Vutë re shenja të shkrirjes së akujve?
Kam që prej vitit 1994 që udhëtoj në Arktik dhe kjo është ekspedita ime e tretë në Polin e Veriut. Në eksperiencën time të shkurtër si eksplorues polar kam parë shumë ndryshime. Akulli është bërë një platformë notuese e shtyrë nga rrymat dhe erërat. Ndonjëherë, ato pjesët e mëdha copëtohen, duke krijuar zona deti të hapura, ndërsa herë të tjera mblidhen, duke u dhënë jetë zonave të presionit. Janë dy fenomene gjithnjë e më të shpeshta, që tregojnë se trashësia e akullit po hollohet. Akulli shumëvjeçar, më i madh e më i padepërtueshëm, sa vjen e po rrallohet për shkak të temperaturave të larta gjatë verës. Si pasojë shihet më shumë akulli i ri.
Çfarë bënit kur përballeshit me dete të hapura?
I lidhnim bashkë slitën me skitë, duke formuar kështu një lloj mjeti të vogël lundrues, me të cilin kalonim ujin. Jemi të vetmit eksplorues që kemi përdorur këtë teknikë. Akulli është dinamik, është lëndë e gjallë dhe duhet të qëndrosh në këmbë gjatë stuhive, duhet të jesh i aftë të "nuhasësh" rrezikun. Megjithatë, gjatë 106 ditëve që qëndruam në Arktik, nuk ramë asnjëherë në ujë. Jam më krenar për këtë fakt, sesa që arrita në Groenlandë.
Nga çfarë kishit frikë në Polin e Veriut?
Nga ndonjë e çarë që të hapej papritur nën tendë teksa ti flije. Është një eksperiencë jo fort e këndshme. Apo nga ndonjë ari polar që vjen të të vizitojë, ndërsa ti ishe duke fjetur. Me arinjtë kemi pasur dy takime shumë të afërta. Kur i takon në banesën e tyre natyrore nuk kanë frikë të të afrohen. Kishim me vete një pistoletë 44 manjum, por përpiqeshim t‘i trembnim pa i vrarë.
Dhe si ia arritët qëllimit?
Herën e parë ishim të ulur mbi slitë dhe po pinim nga një çaj. Papritur pamë një ari polar që vraponte drejt nesh. Kishte qenë aty rrotull dhe na kishte nuhatur. Ndaloi në një distancë prej dy metrash. Nuk u trembëm, sepse kishim me vete pistoletën. Manjum mban gjashtë plumba, kështu që duhej t‘i numëroje shpejt edhe sa kishin mbetur, me qëllim që t‘i trembje vetëm me zhurmën. Plumbin e parë e qëlluam në ajër, por arinjtë janë mësuar me zhurmën e fortë të shembjes dhe çarjes së akujve. Të dytin ia drejtuam pranë këmbës që ai të ndiente zhurmën. Të tretin edhe më afër. Më në fund ai u tremb dhe iku menjëherë. Herën e dytë u zgjova natën, sepse ndjeva diçka teksa flija. Zakonisht e ngrinim çadrën me derë për nga fryn era, me qëllim që të shohim arinjtë. Hapa tendën dhe pashë një arushë me dy këlyshë të vegjël që vraponin drejt tendës sonë. Edhe këtë herë na u desh të qëllonim tri herë për t‘i trembur. Në vitin 2002 kemi pasur takime të tjera më të rrezikshme. Një herë po notonim në ujë mbi slitë, por era ishte aq e fortë sa arriti të na shtynte pas nga ku ishim nisur. Ndërkohë aty ishte një ari gjigant që po na priste.
Në atë moment në ç‘nivel u ngrit adrenalina?
Mendoj se në atë moment nga njeriu nuk mund të mbetet asgjë. Është thjesht instinkti që të drejton dhe të udhëzon të bësh atë që është e nevojshme.
Mendoj se edhe koha e të ngrënit ishte shumë stresuese, apo jo?
Çdo ditë hanim të njëjtat gjëra. Është një sfidë mentale e bukur, por që, gjithsesi, e konsideroj një eksperiencë pozitive. Çdo ditë e kalon duke menduar se nesër gjërat do të jenë më mirë. Ne ndiqnim një dietë të përshtatshme për klimën polare që përmbante 64% yndyra. Gjatë ditës hanim edhe 200 gramë çokollatë prodhuar nga një kompani belge.
Kush ka qenë momenti më i bukur?
Kur pamë malet e Groenlandës në një distancë prej 110 kilometrash. Ishte një moment fantastik, më i bukuri i ekspeditës. Për më tepër, gjatë rrugës ndryshoi papritur edhe programi që do të ndiqnim më pas. Nga sateliti "Envisat" na erdhën disa pamje të situatës në kanalin e Robsonit, pak metra nga Groenlanda, ku do të kalonim aty pas pak orësh. Për të parën herë në histori nuk do të ecnim mbi akuj. Por kjo ishte e pamundur: copa të mëdha akulli, rreth 150 kilometra po shkëputeshin nga Arktiku drejt kanalit, duke lundruar në det të hapur. Padyshim që pa ndihmën e satelitit do të kishim rënë menjëherë në brenda. Kështu ndryshuam drejtimin më në lindje të Kepit Morris Jesup. Gjithsesi, ende nuk i kishim shpëtuar rrezikut dhe mund të kishim mbetur të bllokuar në kufijtë e këtij "kanceri arktik", që po zhvillohej me shpejtësi të madhe. E përballuam gjithçka me sukses.
Çfarë mendoni për Rusinë, e cila po mundohet të përvetësojë Polin e Veriut dhe burimet e tij të naftës?
Është një shenjë e pahijshme, ku tregohet se gjithçka është prishur nga paraja. Ekonomia botërore është një forcë kaq shtypëse, saqë gjithmonë e pësojmë prej saj. Do të më pëlqente të asistoja për ndonjë traktat që bën fjalë për Arktikun, ashtu siç ndodhi në Antarktidë, por me një kusht, që të kem një eksperiencë të mirë. Ekspedita jonë është e lidhur me shumë projekte informacioni. Po përpiqemi të motivojmë dhe të përfshijmë sa më shumë njerëz të jetë e mundur. Çdo njeri në botë duhet të zhvillojë rolin e tij dhe të bëjë ç‘të mundet.
Nga Gazeta Shqip