Me kete rini e ardhmja e Shqiperise do vazhdoje te jete e prapambetur dhe partiake

Me këtë rini e ardhmja e Shqipërisë do vazhdojë të jetë e prapambetur dhe partiake

Para pak ditësh, ndërsa udhëtoja drejt Tiranës, mbas një shërbimi pune, në radion e makinës dëgjova një reportazh të BBC-së për zhvillimin e teknologjisë në Estoni, veçanërisht të teknologjisë së informacionit.

Reportazhi përqendrohej kryesisht tek sipërmarrësit e moshës së re në fushën e IT-së.

Shumica e atyre për të cilët fliste reportazhi ishin të rinj 20 e pak vjeçarë që aspironin të krijonin apo ndërtonin produkte e shërbime të reja përmes teknologjisë; të rinj që besonin se mund të ndryshonin botën duke gjetur zgjidhje për problemet që ndeshin njerëzit kudo, përmes punës së tyre dhe shpirtit novator e sipërmarrës.

Flisnin me anglishte perfekte dhe me një gjuhë moderne--mbushur me konceptet më të fundit të zhvillimit dhe përparimit njerëzor--por edhe me aq shumë pasion e optimizëm sa më dhanë ndjesinë se gjithçka që ëndërronin ata do ta arrinin.

Ndërsa mbërrita në Tiranë, për rastësi ironike, rrjetet sociale ishin përmbytur me një video qeveritare të një aktiviteti të quajtur Fressh Voice--një banalizim argëtues i procesit të zgjedhjeve të drejtuesve të forumit rinor të Partisë Socialiste.

Në videon e shpërndarë nga vetë Kryeminsitri Rama dhe qindra socialistë teë tjerë (e cila u pasua nga një tjetër dy ditë më vonë) ishin përzgjedhur të rinjtë më të mirë dhe më të artikuluar, të cilët shprehnin aspiratat e mendimet e tyre para një jurie të përbërë nga përfaqësues të caktuar po nga Kryeministri Rama.

Pasi kisha dëgjuar të rinjtë estonezë, të rinjtë shqiptarë m'u duken mediokër, të varfër në shpirt dhe në mendje--të ngjashëm më shumë me komsomolasit sovjetikë të viteve 1960-të se rininë e sotme europiane. Aspiratat e tyre, më së shumti, janë partia dhe udhëheqësit e partisë. Gjuha e tyre është e vjetër, bajate, pa përmbajtje. Mendimet e tyre janë primitive, sipërfaqësore, të papërfunduara.

Të rinjtë estonezë, sikurse ata në vende të zhvilluara, aspirojnë të krijojnë, të zhvillojnë dhe të ndryshojnë botën përmes ideve, sipërmarrjes, teknologjisë, shkencës. Të rinjtë shqiptarë kërkojnë të futen në parti dhe të udhëhiqen nga udhëheqësit e mëdhenj.

Me të drejtë, mund të mendohet se me këtë rini e ardhmja e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë mediokre, e prapambetur dhe e sunduar krejtësisht nga partitë.

Më poshtë janë pa komente disa prej deklarimeve të të rinjve estonezë dhe atyre shqiptarë. Në rastin e të rinjve shqiptarë, gabimet gramatikore apo në arsyetim që mund të vihen re janë në origjinal. Po ashtu edhe gënjeshtrat e disa prej tyre janë orgjinale (si ajo e të resë, e cila, ndonëse e lindur pas rënies së komunizmit, njihte arkitekturën sovjetike që në moshën gjashtë vjeçare).

Në Estoni:

Në Shqipëri:

Një përmbledhje e reportazhit të BBC-së mund të gjendet këtu. Videot e Fressh Voice mund të gjenden këtu dhe këtu.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama