Ajo u paraqit në këtë garë kostumesh me një fustan kuq e zi, si flamuri kombëtar. Vajza bionde, e cila ca muaj më parë u shfaq nëpër kopertina revistash e veshur dhe e trukuar si Merylin Monroe, ka veshur një fustan të zi elegant, të shoqëruar nga një pelerinë e kuqe me shqiponjën dykrenare të stamposur në shpinë. Jaka e ngritur i jep një hije mbretërore fustanit. Paraqitja me ngjyrat kombëtare duket se është preferencë e fotografit Fadil Berisha, i cili përzgjedh edhe vajzën përfaqësuese në Miss Universe. (Prej tri vitesh është fotografi i njohur që ka ekskluzivitetin e përzgjedhjes së vajzës që përfaqëson Shqipërinë dhe Kosovën në konkursin më të madh të bukurisë në botë, të drejtë që disa vite më parë e kishte Miss Albania e Vera Grabockës). Nuk është hera e parë që konkurrentja shqiptare paraqitet me veshje të ngjashme. Më 2006, Eralda Hitaj u paraqit me një kostum tradicional të veriut, jo atë femëror, por mashkullor. Me tirqe, brez e qeleshe, ndërsa prej jelekut tradicional, pas shpine i dalin ca krahë të zinj shqiponje. Ndërsa vitin që shkoi, Sadina Alla ishte veshur po me një fustan kuq e zi.
Duket se këtë herë veshja ka qenë më e gjetur, përderisa është përzgjedhur nga juria si një nga dhjetë kostumet tradicionale më të bukura. Lista e dhjetë më të mirave ka vijuar me Miss Kolumbinë, Taliana Vargas, që veshi një kostum gjithë ngjyra e pendë, për të vijuar me kostumin sportiv të Miss Republika Domenikane, Marianne Cruz, e cila paraqitet si një lojtare bejsbolli, madje nuk mungonte edhe shkopi tradicional, veçse në vend të atleteve kishte këpucë të kuqe me taka të larta dhe veshja është gjithë temina.
Miss India, Simran Kaur Mundi, ka hyrë gjithashtu në dhjetëshe me kostumin e saj plot ngjyra të ndezura e vello. Një paraqitje tepër elegante dhe e mbështetur në tabanin kombëtar është ajo e Miss Kosovës, Zana Krasniqit, 19-vjeçare që nuk hyri lehtë mes konkurrenteve të Miss Universe 2008. Ajo ka veshur një nga kostumet më të bukura popullore shqiptare, të qëndisur në ar.
Miss Meksika, Elisa Najera përcolli për publikun kulturën e qytetërimit antik, Maja. Tempuj dhe pendë gjithë shkëlqim. Miss Afrika e Jugut, Tansey Coetzee është bërë njësh me natyrën me kostumin e saj të gjelbër e pendët e palloit, ngjitur në fundin e fustanit. Një fustan plot ngjyra, ornamente e xhingla përcolli Miss Peruja, Karol Castillo, një tjetër finaliste. Miss Venezuela, Dayana Mendoza hyri në dhjetëshe me një fustan ngjyrë zjarri, me pëndë, gurë e kristale. Ndërsa Miss Vietnam, Nguyễn Thùy Lam paraqitet me një fustan tradicional vendës me mëngë të gjata deri në tokë. Një riprodhim i veshjes së mbretëreshës Nam Phuong të Dinastisë Nguyen.
Përgatiti a.mile
Nga : Gazeta Shekulli