Të hash shumë mish tashmë konsiderohet si rrezik jo vetëm për të pasur një jetë të shëndetshme, por edhe për ambientin. Kështu thonë në studimin e tyre të fundit ekspertët britanikë të “Friends of the Earth” (FoE), që mbështesin se, nëse do të kufizohet konsumi i mishit në 2 ose tri herë në javë, mund të shpëtohen rreth 45 mijë jetë njerëzish çdo vit. Ndjekja e një diete ushqimore me pak mish do të evitonte vdekjen e parakohshme të 31000 personave për shkak të sëmundjeve kardiake, 9000 nga kanceri dhe 5000 nga iktusi. Këto llogaritje mbi zakonet e reja ushqimore të britanikëve janë bërë nga një ekspert i shëndetit publik, doktor Mike Rayner. Studimi, ashtu siç raporton “Guardian”, është publikuar në “FoE report” dhe ka një rëndësi vërtet të madhe.
Për sa u përket pikëpamjeve ambientale, kujtojnë ekspertët e “FoE”, reduktimi në mënyrë drastike i konsumit të mishit do të çonte në kursimin e 1.2 miliardë sterlinave, do të zbuste ndryshimet klimaterike dhe shpyllëzimin në Amerikën e Jugut, ku pyjet priten për të kultivuar kullota për ushqimin e lopëve që eksportohen në Europë. Sipas ekspertëve, nuk është e nevojshme të mos hash asnjë gramë mish, por të kufizosh konsumin e tij, ku maksimumi nuk duhet të jetë më shumë se 210 gramë në javë. Në veçanti duhen evituar mishrat e përpunuar, si sallamet dhe derivatet e tij, që konsiderohen nga ekspertët akoma më të rrezikshëm për shëndetin. Në këtë mënyrë vlerësohet se mund të shpëtohen 45361 jetë njerëzish çdo vit, nënvizon Rayner dhe kolegët e “British Heart Foundation” në Universitetin e Oksfordit. Nga llogaritjet e bëra gjatë studimit, shihet se të hash më pak mish, domethënë maksimumi tri herë në javë, do të evitonte 32352 vdekje. Megjithatë, 2509 njerëz në vit do ta humbin jetën brenda vitit 2050 nëse mënyrat aktuale të konsumit të mishit do të vazhdojnë. Në situatën aktuale, numri i të vdekurve në vit shkon në 228000 dhe kjo lidhet me tre kushte kryesore, ku ushqimi luan një rol kyç: sëmundjet kardiake, iktusi, apo tumoret e lidhura me dietën ushqimore, si kanceri i zorrës së trashë.
“Nuk kemi nevojë të bëhemi vegjetarianë për të shpëtuar veten dhe planetin, por kemi nevojë të reduktojmë konsumin e madh të mishit”, ka deklaruar Craig Bennett, drejtor i fushatës së nisur nga “FoE”. “Ndërsa qeveria ka injoruar aspektin ambiental të konsumit të madh të mishit dhe produkteve të tij, nuk mund të injorojë jetët e njerëzve që mund të shpëtohen duke kaluar në një reduktim dhe konsumim më të mirë të mishit”, përfundon Craig. Ashtu siç ishte parashikuar, polemika dhe dyshime ka pasur pa fund, sidomos nga kompanitë e prodhimit të produkteve të mishit dhe derivateve të tij.
Chris Lamb, një nga përfaqësuesit e tyre, tregon: “Është shumë e lehtë të thuhet se po të ndryshosh një element të vetëm të dietës, mund të ketë një rezultat kaq të madh. Mishi luan një rol të rëndësishëm si pjesë e dietës së shëndetshme dhe të balancuar”. Nga ana tjetër, Jen Elford i “Vegetarian Society”, mendon se një organizatë si “Friends of the Earth” duhet t’i këshillojë njerëzit të kalojnë menjëherë në një dietë vegjetariane.
Rreziqet
Studimet kanë treguar se eskimezët, që kryesisht jetojnë me mish dhe me dhjamëra, plaken shpejt dhe jetojnë mesatarisht 27-28 vjet. Kirgezët, një fis lindor rus shtegtarësh që jetojnë kryesisht me mish, maturohen shpejt dhe në të njëjtën kohë vdesin herët. Ata rrallë e kalojnë moshën e të dyzetave. Nga ana tjetër, studimet nga antropologët e kulturave jomishngrënëse kanë dokumentuar shëndetin, qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë që gëzojnë njerëz të tillë si fisi Hunzas në Pakistan, tribuja Otomi (vendasit e Meksikës) dhe popujt vendas të jugperëndimit amerikan. Nuk është e pazakontë për fise të tilla të kenë individë të shëndetshëm dhe aktivë që jetojnë 110 vite e më shumë. Statistikat botërore të shëndetit, në mënyrë të vazhdueshme tregojnë që kombet të cilat konsumojnë më shumë mish, kanë prekshmëri më të madhe nga sëmundjet (e zemrës, kancerit), ndërsa grupet e vegjetarianëve në vende të ndryshme kanë shkallë prekjeje më të vogël nga to.
Historia
Fillimet e historisë së shkruar tregojnë se dieta vegjetariane konsiderohej si dieta më natyrore për njerëzimin. Grekët e hershëm, egjiptianët dhe hebrenjtë i përshkruanin qeniet njerëzore si frutangrënës, ndërsa priftërinjtë e mençur të Egjiptit nuk hanin kurrë mish. Shumë filozofë të mëdhenj grekë, duke përfshirë Platonin, Sokratin dhe Pitagorën, ishin mbrojtës të fuqishëm të dietës vegjetariane. Hindutë e hershëm në Indi gjithmonë e ndalonin ngrënien e mishit ndërsa Manu, ligjvënësi i parë i tyre, shkruante: “Mishi asnjëherë nuk mund të përdoret pa shkaktuar dëm te krijesat e gjalla, dhe nëse njeriu dëmton qeniet e vetëdijshme, ai nuk mund të fitojë lumturinë qiellore. Pra, si rrjedhim, largojuni mishit”. Libri i shenjtë i islamit, Kurani, ndalon ngrënien e “kafshëve të ngordhura, gjakut dhe mishit”. Kështu, gjatë gjithë historisë shumë njerëz kanë përshtatur dietën vegjetariane dhe i kanë nxitur të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Pas shumë studimeve dhe kërkimeve të kohëve të fundit, shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se paraardhësit tanë të hershëm ishin vegjetarianë, të cilët nuk e hanin mishin, përveç periudhave kur kishte kriza të skajshme.
Kjo ndodhi gjatë periudhës së fundit të akullnajave, kur dieta e tyre normale e frutave, arrave dhe perimeve mungonte dhe qenieve të hershme njerëzore u duhej të fillonin të hanin mish kafshësh, me qëllim që të mbijetonin. Për fat të keq, ky zakon i të ngrënit mish vazhdoi edhe pas kësaj periudhe, nga domosdoshmëria (si eskimezët dhe fiset që banonin në Veriun e largët), ose për shkak të zakonit, kushtëzimit apo mungesës së njohurive të duhura.