Me pe gjilpere e mustaqe te gjata

Me pe, gjilpere e mustaqe te gjata
Zef Lulash Sokoli është i vetmi artizan i cili punon veshjet karakteristike të zonës së Dukagjinit. Edhe pse në moshën 68-vjeçare ai ende vazhdon të merret me qëndisjen e kostumeve tradicionale të krahinës së tij, si për burrat, ashtu dhe gratë. Pak nga pak dhe pa u nxituar ai punon me kujdes dhe durim me një  makinë qepëse. Një dhomë të katit të dytë të banesës së tij në lagjen “Skënderbeg “në Shkodër ai e ka kthyer në ambjent pune. Aty gjen çakçire, xhamadan e deri rroba tradicionale për fëmijë, të gjitha të punuara sipas modelit klasik. E veçanta është se ky art nuk përfaqësohet për këtë zonë nga një grua, por nga një burrë, pasi njihet mentaliteti i shqiptarit, sidomos malësorit, që ndan punët sipas gjinisë, punë për burra dhe punë për gra.

Zef Lulash Sokoli ka lindur në Lotaj të Dukagjinit. Nëna Zoja e la jetim në moshën 5-vjeçare dhe i ati Lulashi nuk u martua më pas humbjes së gruas. Gjatë fëmijërisë së tij Zefi kujton se u lidh shumë pas gruas së xhaxhait, Prenë Mark Gjonit, nga Thethi. Ajo nuk kishte fëmijë dhe e mbante afër Zefin dhe me  plot durim i mësonte zanatin e saj, qepjen e qëndisjen e kostumeve tradicionale të zonës, për të cilat njihej si mjeshtre. Ky ishte fillimi i mësimit të zanatit, të cilin për arsye të angazhimeve të tjera familjare, Zefi nuk e ushtroi për vite të tëra.

“Më duhej të punoja në bujqësi e blegtori në kooperativë dhe ishte e pamundur të merresha me punimin e kostumeve tradicionale të zonës. Nevojat familjare bënë që babai të më martonte 15 vjeç, me një vajzë 19 vjeçe. Kur e shoh filmin “Përrallë nga e kaluara”, gjej të përbashkëta dhe duket sikur jam unë ai që martohet fëmijë. Por me gruan, Zojën, kam kaluar jetë të qetë dhe kemi 7 fëmijë: 6 vajza dhe një djalë”, rrëfen Zefi.

Por prej katër vitesh i është rikthyer ëndrrës së tij të vjetër. Duke folur për këtë Zefi kujton se kishte shkuar të punonte si murator në një shtëpi, pronarët e të cilës ishin nga fshati Xhaj i Dukagjinit. Aty i falën një palë çakçirë. Më shumë për pasion sesa për sigurim të ardhurash ai filloi të përgatiste kostumet tradicionale të zonës së tij.

“Njerëzit filluan të interesoheshin dhe të porositnin kostume, si: për dasma, festa të tjera apo dhe vdekje, ku ka mjaft banorë të kësaj zone që duan të varrosen me veshje tradicionale. Ka prej tyre që i porosisin që kur janë gjallë, kuptohet të moshuar. Vihet re një rikthim i traditës për veshjen e këtyre kostumeve në gëzimet familjare apo festat e zonës. Janë emigrantët që e kanë ringjallur këtë dëshirë. Çdo vit kam porosi për kostume të tilla nga emigrantë, kryesisht në SHBA”, tregon Zefi.

Ndonëse jo i ri në moshë, Zefi punon me durim e këmbëngulje, por siç thotë dhe ai vetë nuk mund të bëjë më shumë se 10 kostume në vit. Ndihmohej dhe nga gruaja e tij, Zoja, kryesisht në prerje, por ajo ka probleme me shikimin dhe tashmë i duhet që puna të përballohet gati plotësisht nga Zefi.

“Është punë e bukur, e kam pasur pasion e ëndërr. Për një kostum më duhen 40 ditë punë. Dikur shajaku prodhohej në vend, ndërsa tani lënda e parë merret jashtë. Shajaku vjen nga Rusia, ndërsa penjtë e shndritshëm nga Egjipti”.

Teksa punon në makinën e tij qepëse, ai shton se ka dëshirë që këtë zanat ta trashëgojë. Ndonëse ai është artizani i vetëm për Dukagjinin në këtë mjeshtri, Zef Lulashi beson  se ky art nuk do të vdesë kurrë dhe të rinjtë do të dinë ta përcjellin atë ndër breza.

Jeta:

Mosha: 68 vjeç

Vendlindja: Lotaj, Dukagjin

Ndryshimet që erdhën pas 1990-s bënë që Zef Lulashi (Sokoli) të shihte mundësinë e vendosjes në qytetin e Shkodrës. Më 1998-n ai punoi si roje në një fabrikë private, më 1999-n ndërtoi shtëpinë dhe më  2001-shin mori edhe familjen. Ai ka 34 nipa e mbesa, si dhe 6 stërnipa. Mbesat që i rrinë më pranë dhe duket sikur shfaqin interes për qëndisjen e kostumeve tradicionale janë 2 vajzat e vajzës së madhe që jetojnë në Tiranë, si dhe vajza e djalit që jeton aty me të.

Burrëria

Përpara se ta dorëzojë tek porositësi kostumin e përgatitur, atë të burrave, Zefi e provon vetë. Madje, ai shton se kjo është një nga arsyet që ai mban mustaqe të gjata, disi të pazakonta për kohën. “Dy janë arsyet për mbajtjen e mustaqeve: e para të mos para gjykohem meqë bëj një punë të konsideruar si punë për femrat dhe mustaqet vulosin burrërinë. Dhe e dyta, mustaqet më duhen kur provoj kostumet që qep për t’u dukur sa më burrëror”, shprehet Zefi duke qeshur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama