Replikim e debat miqësor me dr. prof. Moikom Zeqo...
Në gazetën “Shqip”, dt. 6 tetor 2011, prof. dr. Moikom Zeqo, sapo ka deklaruar: “Migjeni, paradoksalisht rezulton komplet i panjohur, sidomos në rrafshin estetik dhe eseistik… Në vitin 1973, Universiteti i Leningradit boton librin e Gertruda Entrej, të quajtur “Krijimtaria e Migjenit”. Ky libër i rëndësishëm, i pari për llojin e vet për nga analiza e plotë në rrafshin eseistik për Migjenin tonë… G. Entrej (e cila paradoksalisht na paska zotëruar pesë letra të panjohura të Migjenit dhe ditarët e Migjenit! AL) ka qenë profesore në Universitetin e Tiranës për shumë vjet, si dhe mike intime e Ollga Luarasit, motrës së Migjenit”.
Atëherë, fillimisht dëshiroj të formuloj disa çështje: Ju, z. Zeqo, si ish-“shkruesi i fundit i serialit “Migjeni, Vepra”, bashkë me R. Uçin e Kadarenë, si i besueshmi, njohësi e përkthyesi jugosllavisht-frëngjisht i “Letrave intime”, si parashikuesi, që e dinit se si do ta kishte shkruar “Protestën e Fuqishme, Dekani i Dekanatit të Migjenologjisë”, pse nuk e zhbiriluat edhe këtë çështje “të Letrave befasuese”, sa e kishit gjallë Dekanin, por e latë deri më sot?!
Aktualisht, juve mendoni se ka mbetur vetëm rrafshi estetik dhe se duhet gjetur fajtori?! Epo, përse nuk e përkthyet Gertrudën mbas vitit 1990, por e latë edhe juve në fund të sëndukut?! Ju mendoni se ato materiale ia dhuroi Gertrudës, Ollga Nikolla Luarasi, para se të vdiste më 1959?!
Shikoni, z. Zeqo, se mos bini në kontradiktoritet, sepse është thënë se, “origjinalet manoskrite” që i ishin besuar Jordan Misjes nga vetë Migjeni, ishin djegur me rastin e rrethimit, djegies dhe ekzekutimit të tre heronjve të Shkodrës”. I dogji një plakë nga frika … Shih, S. Luarasi, “Migjeni, VEPRA, bot. 1957, f 11.
Me sa duket, krahas disa librave rusisht, që plaka anonime nuk i dogji, “sepse për libra si të Gorkit e Majakovskit nuk kishte frikë”, ja që na paska shpëtuar edhe një tip defteri/quaderno apo rradhoi gjysmë i shqyer, me dorëshkrime origjinale nga ajo plakoçja dhe ndonjë ditar…
Kush i dërgoi pesë “Letrat e panjohura e befasuese të Migjenit”, në BRSS, Ollga (Nikolla) Luarasi, para vitit të vdekjes më 1959? I dërgoi Skënder Luarasi vetë apo ndonjë ish-shtetase sovjetike?! Mos i mori vetë G. Entrej, mikja intime e ngushtë e Ollgës?!
Shiko, Moikom, në librin e G. Entrej citohet Migjeni i vitit 1957, por edhe ribotimi i vitit 1961, aty ka edhe citime të vitit 1963, prandaj mendoj se Ollga nuk duhet të ketë gisht.
Si dhe pse, Skënder Luarasi, që i deklarohej sh. Enver se i kishte bërë shërbime të mëdha partisë dhe atij, ia fshehu partisë dhe sh. Enver se, nga “sënduku misterioz”, i manoskriteve origjinale migjeniane kishte edhe pesë letra manoskrite dhe ndonjë copë ditar dhe se ato mungonin nga inventari?!
Si dhe sa çuditërisht e paradoksalisht, botimi i Gertruda Entrej, më 1973, në kohën e duartrokitësve, neostalinistëve brezhnjevianë, na përbëka analizën e plotë në rrafshin eseistik?! Sa gjynah që s’e paskëshim njohur eseiste e estete Gertrudën e vitit 1973, sipas botimit të Universitetit të Leningradit, me emrin A. A. Zhdanov, dekoruar me ‘Urdhrin e Leninit’, ‘Urdhrin e Punës’ dhe të ‘Flamurit të Kuq’… atëherë kur po përflitej edhe se po pajtoheshim…
* * *
Para disa muajve, i shoqëruar nga dy shokë të tij dhe nga drejtori i bibliotekës së Shkodrës “M. Barleti”, më bëri një vizitë dr. prof. A. Plasari. Ai, së pari, u habit që unë sipas detyrimit ia kisha dërguar 5 copë kopje Bibliotekës Kombëtare nga ribotimi i fotoskanuar i librit, “Migjeni, Vepra, mbledhë dhe shpjegue nga Gjovalin Luka”, NSHB, Tiranë 1954. Kështu ia kisha dërguar edhe bibliotekave të Shkodrës, megjithëse tirazhi kishte qenë minimalisht modest, vetëm 100 kopje. Aktualisht, Migjeni është i privatizuar, megjithëse për librat e privatizuesve financon Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve…
Me këtë rast, edhe sepse libri nuk ishte për shitje në dyqane, siç e kishte konstatuar edhe vetë Plasari, ia dhurova edhe atij një kopje. Pastaj e urova përsëri për “Skënderbeun voluminoz”, siç e kisha uruar edhe me e-mail dhe i tregova se si një shkrim që bënte fjalë për dy grafika të Tyrbes së Skënderbeut në Lezhë nuk ma kishin botuar. Aty te Tyrbja, më duket se ishte edhe njëfarë tipi i ngjashëm si Lekë Dukagjini duke u falur…
Si rastësisht, prof. Plasari më pyeti nëse kisha dijeni për disa letra të pabotuara të Migjenit, të cilat dikush i paskej dërguar në BRSS?! Unë iu përgjigja qartë se, nuk kisha asnjë lloj dijenie për këtë rast specifik konkret. Unë e sqarova se gjithë sa kam ditur i kam botuar pjesërisht. Vëllimin 1 e kisha edhe si detyrim të premtuar për 100-vjetorin e lindjes së Migjenit dhe 90-vjetorin e lindjes së babait tim.
Në vëllimin 2 të Migjenit do të botoj edhe disa surpriza të tjera, por nuk kam ndonjë ngut emergjent, mund ta botoj edhe vitin e ardhshëm, mbasi të shfryhen mirë ata që kanë pasur disa pretendime. Ajo që di unë nga babai im, Gjovalin Luka është se së paku qysh nga skenari dhe puna për filmin ‘Skënderbeu’, hulumtues, specialistë sovjetikë të ndryshëm, me “Carta Bianca” nga Enver Hoxha direkt, kanë marrë dhe kanë bërë hatanë mbi libra, literatura e dokumente të rralla të bibliotekave dhe arkivave shqiptare! Dhe, këto kujtime i kam botuar. Mbase edhe për Migjenin mund të ketë ndodhur kështu, sepse si nga botimi i parë rusisht i vitit 1954 dhe nga botimi i dytë i vitit 1973, unë shoh se kanë përdorur disa dokumente që në Shqipëri nuk njihen?! Aty kam lexuar edhe për disa polemika e citime edhe me “Zanin e Naltë”...
Ka pasur edhe një kohë kur sovjetikë e sovjetike të ndryshëm bënin kërdinë edhe te dyqanet me okazion, mbi bizhuteritë me diamante e rubinë, kur shqiptarët e shkretë i shisnin për bukë goje… (Siç po del nga arkivat ruse, Enveri i lutej Stalinit: aman, ma merr arin që ua kam marrë/vjedhur me forcë pasanikëve shqiptarë dhe që i kam asgjësuar komplet edhe si klasë. Tash po na del edhe se, nuk do të ishte edhe si shumë çudi se, Enveri na paska paguar për pushtetmbajtjen edhe Zogun I, edhe brenda në CIA…)
Migjeni te novela “Pak Poezi”, siç e dinte edhe babai im, edhe unë, mos qoftë e thanun, por ka rrëshqitur pak edhe në dekadentizëm, mbase ishte një rrëshqitje e protestë çasti, sepse nuk e lejuan Lilin, të martohej, të kishte marrëdhënie seksuale me vajzën e tezes, Lilushen sykaltër… ‘Pak Poezi’ ishte gjithsesi, dekadentiste!
Ndoshta sot kemi ndonjë përmbysje rrokamboleske e paradoksale, sepse pederastinë e martesat gei po na i kërkon edhe USA e Europa me ambasadorët si kushte integrimi e anëtarësimi, por kurrsesi për mua ky nuk mundet të jetë morali demokrat progresist, por një degjenerim. Dhe në këtë pikë unë jam dakord me deklaratën e përbashkët të klerikëve shqiptarë dhe kundra Parlamentit shqiptar. Mos qofsha unë i gabuar estetikisht! (Për këtë estetikë e ka fjalën dr. Zeqo, aktualisht?!) Edhe i tregova se libri i babait tim ishte censuruar në 6 copa letrare të Migjenit, ku përfshihej edhe novela ‘Pak Poezi’!
Kjo e çuditi edhe më shumë Plasarin, i cili e aprovoi komentimin mbasi e lexoi, bile më tregoi se kishte pasur edhe ai një përplasje personale.
Por, pastaj më tha: “mirë se botimin e 1954-s mundeni ta kishit pasur, sepse aso kohe librat sovjetikë vinin në Shqipëri, po atë të vitit 1973, si e keni siguruar”?! Edhe unë i thashë, po, po aso kohe nga 1954, madje kishte edhe karta postale që thoshin, “Pokupajtje sovetskije knjizhki”. Duke e nuhatur diçka se ku rrihte Plasari, i tregova se për botimin e ‘73-shit babai nuk ka pasur dijeni, porse këtë libër mua ma ka dhuruar prof. H. Leka. Aty i kam lexuar ato që të thashë, aq sa mundem unë rusisht të kuptoj. Ai, madje u çudit për rusishten time, por nuk kujtohesh se disa nga ato pjesë i kisha mësuar gati përmendësh. (Shih fotoskanimet)
* * *
Tashti, nga ato pyetjet e Plasarit, unë po reflektoj se diku në Tiranë na paska zierë me kohë kjo çorbë… edhe ky “zbuluesi” na paska qenë prof. dr. M. Zeqo, i cili e ka do kohë që i sillet anës e anës muhabetit.
I isha përgjigjur njëherë Zeqos për shkrimin e babait tim, për disa shkrime të Migjenit në një të përkohshme jugosllavisht; e kisha nuhatur edhe përse ky ish-shoku Moikom nuk e përmendte fare emrin e Gj. Lukës, sepse ruante bindjen se ky Gj. L., ka plagjiatuar “materialet e S. Luarasit të 1948-s”, ashtu siç e deshi edhe shoku Enver, e sidomos shoku Mehmet (‘Qytetari i Nderit’ i Mallakastrës dhe Protektori i Dekanit)…
Ata që e kanë njohur e ndjekur, para dhe mbas 1990-s, fillimisht karrierën e arkeologut nënujor dhe pastaj shkrimet shumëgjinijëshe të dr. prof M. Zeqos, krahas meritave të padiskutueshme, sigurisht se e kanë vënë re edhe një lloj tendence të shquar për paradokse, stil të rënduar e gjysmë surrealist-socialist me “karakter atropoik” (duke harruar se përveç Atropos ishin edhe dy mojrat po aq të barabarta, Laheza dhe Klotoja), dhe sidomos për disa fluturime e ekzagjerime, përsëritje e ripërsëritje me ato mbylljet me shtampën e re “stil i demokratizuar”, Amen ose Amin. Kështu, kur jorgani qëllon shumë i shkurtër, ndodh që këmbët nuk mbulohen mirë, kur të zë gjumi dhe i shtrin pa dashje gjunjët e mbledhur.
Në një takim në zyrën e tij, në MHSH, z. Moikom u çudit shumë kur unë e vlerësova gjestin e guximin e tij për kritikën ndaj N. Hoxhës në atë Kongresin 1-9 të PPSH-PSSH…
Dhe, të futemi te tema konkrete. Në f. 11 të botimit të vitit 1957, S. Luarasi, duke vlerësuar disa libra që kishin shpëtuar nga zjarri, ditën e 22 qershorit 1942, thekson se aty gjenden: “Gjurmat e edukimit me krijuesit e realizmit socialist, veprat e Gorkit dhe Majakovskit…”. Në fakt, i gjithë problemi i madh i S. Luarasit, më 1957, ishte ta nxirrte Migjenin si, “themelin e letërsisë shqiptare të realizmit socialist me tri kryevepra të kësaj letërsije” (Shih, bot. 1957, f. 46) dhe se këtë definicion ia kishte penguar “borgjezi Gjovalin Luka” etj., etj., frymëzime-shamatara disidentore dhe përgojime e letra-spiunime… sa te Mehmeti, e sa te Enveri…
Këto të vërteta të katërcipta nuk mund të fshihen dot kurrë, sado që pretendenti trashëgimor, z. P.L., të shkojë te ndonjë redaksi metistësh dhe në vend që t’i çojë origjinalin e vitit 1957, nga ishin nxjerrë citimet e mia, i çon ribotimin e 1961-shit dhe meqenëse nuk i korrespondojnë faqet, unë qenkam falsifikues citimesh apo si “mashë e skuqur”, që Petri Juniori do të më paditë në Prokurori apo se do të më riinternojë edhe më zi se në Roskovec…!
Kur, z. S. Luarasi citonte dhe mbështeste “rrencakun dhe pseudotrockistin A. Stefi”, natyrisht se ishte i një mendjeje me atë. Tashti ta fshish Stefin, ta bësh ‘delite’ dhe ‘recycle bin’, si A.C. Luarasi, kjo nuk do të thotë se CORVUSI nuk ka ekzistuar! Gjithashtu, nuk do të thotë se, pikëpamjet e CORVUSIT nuk ishin identike edhe me ato të frymëzuesit estetikut, S. Luarasi mbas perdes… Epo, sikur aso kohe, BRSS ishte ai Gogoli, shalëhapur nga kontinenti në kontinent, nga Uralet te Spanja apo jo, për të krijuar një BRSS të dytë, apo të tretë mbas Mongolisë së Ulan Batorit?! Hë…
Apo ndërroi politika, o burra të ndërrojmë e të përshtatemi ndryshe, sepse ja që edhe S. Luarasi vetë na paska lënë edhe një ‘tjatër Parathanie’ të 1956, si Dekan i anglistikës & amerikanistikës…
Edhe krahu ekstremist i djathtë apo i qendrës së cektë, “i pesëshes së parë të Ramizit”, kurrë nuk do të mund t’i fshehë të vërtetat! E shumta, mundet të organizojë ndonjë simpozium tinëz në ULG Shkodër dhe të mos më dërgojë mua ftesë apo mos të më japë të drejtë kumtese e as diskutimi, sipas porosisë nga Tirana, të ndonjë filo osmanisti alla Erdogan – Davutogllu dhe të ndonjë ish-demokrat-fanolisti e kemalisti, aktualisht admirues, “i burrit të imët Zoguogllu”…
* * *
Dr. Zeqo, pikësëpari nuk e ka parë apo ndoshta nuk ka dashur ta shohë një “thembër të Akilit” te Dekani. Në f. 59 të bot. 1957, S. Luarasi botonte me demek një faksimile të paskopertinës së botimit të vitit 1936, se si e kishte pasur ndërmend Migjeni dhe se si ia kishte filluar shtypjen “Shtypshkronja Gutemberg”! Vini re gabimin nga Gutenberg në Gutemberg, ku këtë gabim vetë S. Luarasi e bën edhe në vende të tjera! Në botimin e vitit 1936, origjinali është ndryshe, siç e paraqesim të fotoskanuar. Pra, shtypshkronja nuk mundej ta bënte gabim emrin e vet dhe ky lloj gabimi quhet pak si falsifikim!
Por, edhe te botimi rusisht i vitit 1973 ka ndryshime edhe në përkthime etj. Aty ka edhe një nga çështjet që S.L. e kishte ngritur me të madhe (dhe sidomos e amplifikuan bashkautorët P.L., e D.K.), se Gj.L., e kishte ndryshuar, shtrembëruar me përdhunë shkrimin origjinal të 1948, nga “Shoqëni Hiq bragashat!” - në “Hiqe maskën”!
Eksperti dhe “i paanshmi”, M. Zeqo mjafton t’i hedhë një sy revistës “Literatura Jonë”, nr. 8, gusht 1953, dhe do ta zbulonte se kush ia kishte dhënë atë dorëshkrim alternativ redaksisë, redaktorit Shefqet Musaraj dhe anëtarit të redaksisë, Dh. S. Shuteriqit, të cilët e botuan. (shihni fotoskanimin)
Kompetenti Zeqo, mundej ta gjente atje edhe atë pjesën, ku Nushi flinte në dyshek me të motrën, Age, që S. Luarasi pretendonte se ia kishin censuruar. Po ashtu, e kishte edhe botimi i vitit 1954.
Atëherë, si e ndryshoi Gj. Luka nga kopja e 1948, kur S. Luarasi më 1954 dhe më 1956-1957 deklarohej se ky variant, i korrigjuar e korrektuar nga vetë Migjeni në Itali, po bëhej i njohur e po botohej për herën e parë! Ku e kishte S. Luarasi atë kopje të 1948-s, apo gabimin trashaman e bëri Petroja, i cili deklaroi te ‘Korrieri’ se, në materialet e 1948 ishte kjo pjesë e censuruar…?!
Z. Zeqo mundej t’i hidhte një sy botimit rusisht të vitit 1954, ku përmendesh edhe botimi shqip i Gj. Lukës, te f. 68.
A na lejohet ta pyesim interpretin dhe të mirëinformuarin dr. Zeqo se, kush ia dha origjinalin për këto përkthime rusishte, apo fillimisht ka pasur edhe një variant relativ?!
A qëndronte e gjithë e keqja te “Bragashat e borgjezisë katolike të 1936”, te Nushi që flinte me të motrën, dhe… siç gajasej Shehu i Çorrushit… apo tek “borgjezia reaksionare katolike”, siç raportonin ambasadorët e tipit stalinistë-enveristë?!
A kishin ndonjë gisht këtu edhe të dërguarit besnikë, për të rrasur nëpër Hauret e Augiasit të arkivave sekrete ruse dhe në ditarët e Çuvahinit, edhe disa letra retrospektivishte, për të rregulluar Enverin me Kosovë …
O Zoti Moikom, edhe Gj. Luka e kishte përkthyer Zhdanovin fillimisht, porse duke reflektuar, e kishte kuptuar se kishin të drejtë Zoshenkua, me “Aventurat e Majmunit” dhe Ana Ahmatova … Po ta lexosh edhe sot, ky libër-fjalim diskrediton dhe i bën qesharakë vetë Zhdanovin dhe Stalinin. (Gjovalini kishte përkthyer edhe nga Majakovski etj.)
E megjithatë, edhe një diktator si Stalini mbeti i habitur nga krimineli e perversi gjirokastrit, i cili ëndrrën më të madhe na kish pasur të takonte Stalinin dhe mundësisht, sipas një prof. Marri, të na nxirrte edhe ne me origjinë gjeorgjiane…
Do vijë edhe koha kur do ta shuajmë edhe kuriozitetin, se çfarë kishte bërë Gjovalin Luka, që krimineli skizofreni E. Hoxha provoi t’ia shuante komplet trutë e kokës…
Në “Kritikën Zyrtare” që iu bë botimit të Gj. Lukës më 1954 (Revista ‘Nëndori’, nr. 5, 1954), ka pasur mjaft kritika të poshtra, ku ka pasur një dorë edhe z. S. Luarasi, porse atje trashëgimtarët e materialeve dorëshkrimore origjinale etj., ishin kritikuar edhe sepse nuk e kishin plotësuar një detyrë morale; t’ia vinin në dispozicion studiuesve variantet e korrigjuara, korrektuara, redaktuara, zbulimet e reja, dhe jo t’i nxirrnin nga sënduku copa-copa. Qysh aso kohe, Gj. Luka kishte protestuar: “Sa origjinale dorëshkrimore ka në Sëndyqet Misterioze i mistershmi Skënder Luarasi”?!
Dhe juve, z. Zeqo, e dinit këtë se e kam botuar, ju kam kërkuar edhe ndihmë që të bënit të paanshmin dhe ta mbyllnim debatin, por dikush e deshi që të më akuzonte mua si “atentator letrar”… dhe ja se si del puna tashti, disa materiale na paskan fluturuar në BRSS… Por, në fakt juve z. Zeqo keni ekzagjeruar, sepse Migjeni nuk është aq komplet i panjohur etj., por mbase diçka pjesërisht. Sigurisht, Migjeni ka qenë dhe mbetet një shkrimtar nga më të shquarit e vendit tonë.
“Hiqni maskat”, ose ndryshe “Hiqni Bragashat apo Pantallonat e Majakovskit”, dhe dilni në brekë apo pa… zotërinj hipokritë, “Përfitues e privatizues të Migjenit” dhe migjenologë ndryshues-shtrembërues-përdhunues, kameleonë post enveristë!