"Ne mundemi", është kjo një fjalë e thënë nga dramaturgia Githa Sowerby në dramën e saj "Rutherford and son". Kjo pjesë teatrale është në vazhdën e pjesëve teatrale feministe që po dominonin teatrin në Anglinë e fundit të shekullit XIX.
Në qendër të kësaj drame është historia e Rutherfordit, një pronari fabrike qelqi, që sillej me familjen me të njëjtën mënyrë agresive ashtu si drejtonte fabrikën. Pas disa vitesh, tre djemtë e tij e braktisin dhe Rutherford bën një marrëveshje të fshehtë me nusen e njërin prej djemve, e cila në fund trashëgon të gjithë pasurinë.
"Kjo dramë kërkon të thotë se ka ardhur koha e grave", shprehet prof. Linda Fitzsimmons, dekane e Departamentit të Arteve të Bukura dhe Shkencave në Universitetin e Oksfordit. Prof Fitzsimmons ne e takuam në Galerinë Kombëtare të Arteve ku ndodhet për të vizituar ekspozitën e përbashkët të studentëve të arkitekturës së Oksfordit dhe atyre shqiptarë.
Por, përtej imazheve futuriste të ekspozitës, Linda, e cila është dhe një nga studiueset e kësaj lëvizjeje feministe në teatër në Anglinë e fundit të shekullit XIX, sheh shumë pak ndryshim në këto 40 vjet në raport me gruan. Ndryshe nga shpërthimet në teatër vite më parë, tashmë ka një zbehje të protestave artistike feministe, megjithatë për të, gratë ende kanë mbetur një "seks i dobët".
Zonja Fitzsimmons, kjo është hera e parë që ju vizitoni Shqipërinë. Cilat janë përshtypjet tuaja për të?
Mund t‘ju them se është një vizitë mbresëlënëse dhe shumë interesante. Ashtu si ekspozita e studentëve shqiptarë dhe atyre të Oksfordit më ka sjellë përvoja të ndryshme, po kështu, edhe vizita ime në këtë vend më ka lënë mbresë. Në thelb, përshtypjet janë pozitive, megjithëse do të doja të qëndroja pak më gjatë.
Le të ndalemi pak tek ekspozita e hapur në Galerinë e Arteve, e cila është dhe arsyeja e vizitës suaj këtu. Si do t‘i vlerësonit punët e studentëve në raport me realitetin e vendeve që ata përfaqësojnë?
Nuk mund të flas gjatë për punët e prezantuara nga studentët shqiptarë, pasi kam vetëm dy ditë këtu dhe nuk kam shumë informacion në lidhje me realitetin arkitekturor të vendit tuaj për të dhënë një gjykim. Por mund të them më shumë rreth punëve të studentëve të Oksfordit, të cilat duket sikur u përgjigjen dhe realitetit të Tiranës. Ajo çfarë bie në sy është një këndvështrim shumë individual, intim që këta studentë i bëjnë së ardhmes. Një pjesë e tyre flet për impaktin që ka bota e jashtme mbi realitetin ku jetojmë. P.sh., puna e Lois Muddiman merr shkas nga shpërthimi i lumit në Oksford, kur ai doli nga shtrati. Studentët e Oksfordit kanë sjellë nëpërmjet këtyre punëve një të ardhme të imagjinuar në mënyrë materiale. Pozitive në këndvështrimet që ata përcjellin dhe që mund të jetë e tillë edhe për publikun, është fakti se studentët ofrojnë një të ardhme në qendër të së cilës është njeriu dhe kujdesi ndaj tij. Nëpërmjet ndërtimeve sipas arkitekturës më moderne apo bashkëkohore bëhet e mundur që njerëzit të jetojnë pranë njëri-tjetrit. Tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë teknike dhe teknologjia ka avancuar në atë mënyrë sa gjithçka të rrotullohet drejt krijimit të kushteve për një gjendje shpirtërore sa më të mirë për njeriun. Këta studentë sjellin shembuj se si mund të jetë një botë ku njeriu mund të jetojë i lumtur.
Ju jeni dekane e Arteve të Bukura dhe Shkencave Humane në Oksford. A mund të na flisni pak rreth punës suaj?
Universiteti i Oksfordit është një institucion në të cilin të mbash përgjegjësi mbi vete nuk është e lehtë. Organizata që udhëheq ka dhjetë fakultete dhe 120 punonjës.
Nën mbikëqyrjen time janë jo vetëm shkollat, por edhe studentët e masterit e deri te doktoraturat. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e ditës sime kalon nëpër takime. Jam në takime të vazhdueshme për të krijuar strategjitë dhe politikat se si duhet të vazhdojë fakulteti. Unë jam dhe përgjegjësja e drejtpërdrejtë e lidhjes së kontakteve të universitetit me botën e artit, qofshin këto rajonale, por edhe ndërkombëtare. Kështu më mbetet shumë pak kohë për të menduar nëse dua ndonjëherë të sillem si artiste, megjithëse jua thashë më parë, se gjithnjë e kam konsideruar veten një akademike arti.
Cilat janë lidhjet tuaja me artin?
Unë jam historiane arti, nuk jam artiste. Puna ime kërkimore lidhet me artet e bukura, kinemanë, muzikën, teatrin. Unë nuk jam artiste, por një studiuese arti. Shumë nga kolegët e mi janë persona që praktikojnë artin.
Përpiqem gjithnjë që të gjej një balancë midis të dyjave, artit dhe punës kërkimore. Por është e pamundur, sepse kërkesat e menaxhimit të një universiteti janë të mëdha. Por nga ana tjetër, puna ime është shpërblyese, pasi u mundëson shumë artistëve (ju e dini që artistët janë njerëz që nuk para ia thonë për projekte) të vënë në jetë projekte dhe ide, duke bërë atë çfarë vërtet duan. E veçantë është t‘u mësosh studentëve se si të ecin dhe të jenë kreativë, duke bërë diferencën në këtë botë.
A mund të na flisni pak për studimin që i keni kushtuar teatrit feminist të periudhës së fundit të shekullit XIX e fillimit të shekullit XX?
Ky studim është një kombinim i politikave të mia feministe dhe punës sime si akademike. Atëherë kur nisa të studioja këtë periudhë kishte një lloj mendimi te njerëzit se gratë nuk kanë shkruar për teatrin para shekullit XX. Por kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Në fund të shekullit të XIX e në fillim të shekullit XX një numër i madh shkrimtaresh femra nisën të shkruanin për një teatër të mbushur me dialog politik. Disa prej tyre shkruanin drama, ku tema kryesore ishte e drejta e gruas për të votuar. Të tjera shkrimtare femra shkruanin për të drejtat e gruas në familje. Ato kërkonin një shoqëri ku gruaja dhe burri të kishin të drejta të barabarta, një status social të qartë. Këto artiste shkruan për këto probleme në një mënyrë realiste dhe të drejtpërdrejtë. Ishin një mori pjesësh dramatike, të cilat u shkruan me aq pasion nga gratë, por që me vite filluan të harroheshin. Si një akademike e frymëzuar nga këto pjesë dramatike dhe nga ato rrëfime aq të sinqerta dhe të vërteta femrash, nisa të hulumtoj për atë periudhë, duke i gjetur këto drama, duke i rilexuar dhe duke nxjerrë konkluzione. Puna ime ishte ribotimi i plotë i tyre. Katër drama në këto 10-15 vitet e fundit janë vënë në skena të njohura të SHBA-së, Kanadasë, etj.
Cilën prej këtyre autoreve do të veçonit dhe pse?
Më ka pëlqyer shumë Githa Sowerby. Ajo shkroi dramën "Rutherford and son". Është një dramë realiste familjare. Në qendër është historia e familjes së Rutherfordit (një pronar fabrike qelqi), i cili ishte tepër patriarkal dhe i dhunshëm në sjelljen e tij, si në fabrikë ashtu edhe në familje. Rutherford e trajtonte familjen e tij në të njëjtën mënyrë siç drejtonte fabrikën, duke qenë shumë i ashpër. Me kalimin e viteve, sjellja e tij u bë më e dhunshme, aq sa tre djemtë e braktisin atë. Por një nga nuset e djemve bën një pakt të heshtur me të dhe e gjithë fuqia e tij i kalon asaj. Drama mbyllet me një mënyrë alegorike, në kuptimin që e ardhmja i takon një gruaje dhe fëmijës së saj. Dhe që ndryshimi drejt së mirës është i mundshëm.
Që nga koha kur Virginia Wolf kryesonte lëvizjet feministe, çfarë ka ndryshuar te femrat angleze?
Situata tani, në krahasim me atë kohë kur shpërtheu feminizmi, është disi më ndryshe. Ka më pak shkrime kushtuar feminizmit. Shumica e shkrimtarëve dhe analistëve e marrin si një çështje të ezauruar feminizmin dhe nuk merrem më me të, ta zgjerojnë apo të japin sugjerime lidhur me të.
Kohët e fundit, një dramaturge e re, Megan Barker, vuri në skenën e teatrit "Glasgouw", në Skoci, një dramë të quajtur "Pit"
Ishte një shfaqje që fliste për gruan e vetme amerikane, që gatoi drekën e fundit për djalin e saj që ndodhej në burg dhe që të nesërmen ai do të ekzekutohej me vdekje. Që nga mënyra e gatimit dhe marrëdhëniet e kësaj gruaje me të birin, drama kërkon të shpjegojë varfërinë në shoqërinë amerikane. Drama është shumë e fuqishme në mesazhet që përcjell. Ka një mori imazhesh femërore, siç është ushqimi, përkëdheljet, mëmësia, të cilat kërkojnë të nxjerrin në hap historinë e shtypjes gjinore të kësaj gruaje, por nga ana tjetër japin dhe fuqinë e saj të jashtëzakonshme.
Për shumë kritikë të teatrit, kjo dramë mbështetet mbi teorinë feministe, edhe pse me shumë elegancë autorja nuk e jep drejtpërdrejtë këtë ide.
Teatri feminist i viteve ‘80-‘90 kishte një axhendë shumë të qartë politike, që gratë të merrnin po të njëjtat të drejta, ashtu si dhe burrat. Ashtu siç ishte dhe vepra e shumë autorëve në fund të shekullit XIX e në fillim të shekullit XX.
Si e shihni feminizmin sot në botë?
Disa burra mendojnë se gratë kanë arritur tashmë gjithçka dhe se nuk kanë më se për çfarë të luftojnë, të bëjnë zhurmë apo të protestojnë. Nuk mund të flas në mënyrë globale, por po shpreh mendimet e mia për shtetin tim, Britaninë. Në Angli ekziston një perceptim i gjithanshëm që gratë kanë të drejta të barabarta me burrat. Por nëse sheh faktet, nuk del kështu.
Pavarësisht nga ligji i miratuar në Parlament në vitin 1970 që thoshte se gratë dhe burrat duhet të kenë një rrogë të njëjtë, gati 40 vjet më vonë, gratë paguhen me dy të tretat e rrogës së një burri. Po e njëjta skenë ndiqet edhe nga kompanitë e mëdha, ku bordi drejtues është i përbërë nga meshkuj. Më specifike akoma është gjendja në universitete. Aty, zëvendëskancelarët dhe profesorët më të paguar, janë meshkuj. Sigurisht që gjendja sa i përket gruas në shoqëri ka ndryshuar në krahasim me kohët e shkuara, por gjithsesi duhet të ndryshojë kultura e përgjithshme e sjelljes ndaj grave.
Marre nga Gazeta Shqip