Me tre tetor nis lotaria amerikane per vitin 2009

Më tre tetor nis lotaria amerikane për vitin 2009

Sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit Amerikan, publikuar në faqen zyrtare të tij, lotaria "Green Card 2009" do të startojë në datën 3 tetor 2007 dhe do të zgjasë deri më 2 dhjetor të vitit 2007. Gjatë kësaj periudhe dymujore, të gjithë kandidatët për të fituar këtë lotari dhe njëkohësisht për të qëndruar dhe jetuar në SHBA, duhet të kenë kryer aplikimet e tyre online, duke respektuar kërkesat dhe kriteret e përcaktuara. Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit bëhet e ditur se shumë shpejt do të publikohen edhe rregullat dhe kriteret e reja, në krahasim me lotarinë e vitit 2008.

Një nga kriteret e reja të vendosura për lotarinë amerikane "Green Card" 2009 është se të gjithë aplikantët duhet t i bashkëngjisin aplikimit fotot e tyre, të realizuara jo më shpejt se 3 qershori 2007.
"Green Card", çfarë është?

"Green card" është bileta që ju bën përkohësisht rezident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është gjithashtu njëra nga mënyrat më të lehta për të emigruar në SHBA. Për të qenë pjesëmarrës i kësaj lotarie mjafton të kesh lindur në një nga vendet e zgjedhura për lotarinë. Shqipëria është një nga vendet e përzgjedhura dhe ku mjaft shqiptarë kanë fituar këtë lotari gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, një tjetër kusht i rëndësishëm është që të kesh mbaruar një shkollë. Nëse është universitet, mundësitë janë më të mëdha. "Green card" është mënyra më e mirë e emigrimit dhe është miratuar nga Kongresi Amerikan që në vitin 1990.
Si do të bëhet regjistrimi këtë vit

Të gjithë ata persona që dëshirojnë të aplikojnë në programin e lotarisë duhet të regjistrohen nëpërmjet faqes së internetit www.dvlottery.state.gov. Regjistrimi bëhet falas. Të gjithë personat që kanë mbaruar shkollën e mesme ose të paktën kanë dy vjet punë mund të aplikojnë për të fituar lotarinë amerikane për tre muajt në vijim. Sipas Departamentit të Shtetit, programi i Lotarisë së Vizave DV-2009 do të mbarojë në mesditën e 2 dhjetorit. Shqipëria është një nga vendet e listës së hartuar nga Departamenti i Shtetit që përfshihet në programin e lotarisë.
Regjistrimi
Regjistrimi bëhet vetëm me anë të internetit dhe falas. Njoftimi për fituesit do të kryhet vetëm me e-mail. Departamenti i Shtetit nuk nënshkruan, rekomandon apo sponsorizon ndonjë informacion apo material nga entitete të jashtme. Aplikimet me letër dhe me postë për regjistrim nuk pranohen. Aplikantët do të përzgjidhen rastësisht nga kompjuteri nga të gjithë formularët e plotësuar. Ata që do të përzgjidhen do të njoftohen me postë nga mesi i majit dhe i korrikut të vitit 2008 dhe do t u jepen udhëzime të mëtejshme, në të cilat përfshihet informacioni për pagat e emigrantëve në SHBA. Personat që nuk do të zgjidhen, nuk do të marrin njoftim.
Çfarë kërkohet për të aplikuar
1- Aplikantët duhet të jenë shtetas të njërit nga vendet të cilat janë përcaktuar. Qytetarë të një vendi të cilët klasifikohen si shtetas të tij. Në pjesën më të madhe të rasteve, kjo do të thotë vendi ku aplikuesi ka lindur. Megjithatë, ka dy mënyra të tjera se si klasifikohet aplikanti. E para, nëse një person ka lindur në një shtet që nuk i përket listës së përcaktuar nga Departamenti i Shtetit, por bashkëshortja e tij ose bashkëshorti kanë lindur në një vend që i përket listës, ai person mund të deklarojë vendin e lindjes së bashkëshortes së tij dhe që të dy mund të sigurojnë aplikimin njëkohësisht.
E dyta, nëse një person ka lindur në një shtet, i cili nuk është në listë, por asnjëri nga prindërit e tij s kanë lindur atje apo s kanë banuar atje në kohën kur ai ka ardhur në jetë, ai person mund të deklarojë shtetësinë e njërit nga prindërve nëse është një nga vendet të cilat janë të përcaktuara në programin e DV-2009.
2. Aplikuesi duhet të plotësojë kërkesat e arsimimit dhe trajnimit të programit DV.
Arsimimi dhe trajnimi: Një aplikant duhet të ketë arsimin e mesëm apo ekuivalentin e tij, i cili cilësohet si një përmbushje e suksesshme e një shkollimi 12-vjeçar. Ose të paktën të ketë dy vjet eksperiencë pune brenda pesë viteve të fundit, punë e cila ka kërkuar të paktën dy vite trajnimi ose eksperience për t u fituar.
Nëse aplikanti nuk mund t i plotësojë këto kërkesa, ai ose ajo nuk duhet të aplikojnë për programin e Lotarisë së Vizave amerikane.
Procedurat e aplikimit në lotarinë amerikane
1. Departamenti i Shtetit mund të pranojë vetëm forma të plotësimit elektronik për Lotarinë e Vizave DV në www.dvlottery.state.gov, gjatë periudhës së regjistrimit, që fillon në orën 12:00 të datës 3 tetor 2007 dhe mbaron në orën 12:00 të datës 2 dhjetor të vitit 2007.
2. Nëse do të ketë shumë aplikime për një person, të gjitha ato do të skualifikohen, pavarësisht se kush e ka bërë aplikimin. Aplikantët mund të përgatiten dhe ta bëjnë vetë aplikimin, por mund ta bëjë edhe dikush tjetër për ta.
3. Regjistrimi i suksesshëm do të konfirmohet dhe do të dërgohet në adresën elektronike, me emrin e aplikantit, datën e lindjes, shtetësinë dhe ditën e datën e aplikimit. Aplikanti mund ta printojë këtë konfirmim për ta pasur.
4. Aplikimet në letra nuk do të pranohen.
5. Aplikimi do të skualifikohet nëse nuk dërgohen të gjitha fotot e kërkuara. Fotot e kërkuara janë: fotot e fundit të aplikantit dhe bashkëshortit/bashkëshortes së tij, si dhe fotografia e secilit fëmijë nën moshën 21 vjeç, duke përfshirë të gjithë fëmijët natyralë, fëmijët e birësuar, si dhe ata thjeshtër. Nuk janë të nevojshme fotot në rastet kur fëmijët kanë nënshtetësi amerikane apo leje të përhershme qëndrimi. Fotot duhen dërguar edhe nëse fëmija nuk jeton më me aplikantin apo nuk ka ndërmend të emigrojë me programin e Lotarisë së Vizave DV. Fotografi grupi apo e të gjithë familjes nuk do të pranohen; duhet të ketë foto të veçantë për çdo anëtar familjeje.
Fotot duhet të jenë dixhitale për secilin nga aplikantët, bashkëshortin ose bashkëshorten e fëmijët dhe duhet të dërgohen me internet.
Kujdes!
Nëse gaboni, ju skualifikoheni automatikisht nga kompjuteri. Së pari, nuk duhet të aplikoni më shumë se një herë. Kompjuteri do t ju skualifikojë automatikisht nëse do të regjistrohen dy formularë me të njëjtin emër, edhe nëse dikush tjetër do të aplikojë për ju. Ndërkohë, nëse nuk keni një arsim 12-vjeçar ose dy vjet punë në pesë vitet e fundit, e cila ka kërkuar dy vjet trajnim ose eksperiencë, ju nuk do të pranoheni. Ky është një kriter i programit të Lotarisë Amerikane dhe megjithëse nuk ka një limit për moshën e aplikuesit, sipas kërkesës së mësipërme, i bie që personat nën moshën 18 vjeç skualifikohen. Duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm, pasi në momentin që do të plotësoni formularin, nuk duhet të keni shkëputje kohore. Formulari elektronik është dizenjuar për t u plotësuar brenda 60 minutash, duke marrë parasysh problemet e vonesat e rrjetit. Ju duhet të merrni të gjitha materialet e duhura për plotësimin e formularit. Fotografitë mund t ju rrezikojnë më shumë në aplikimin tuaj. Ato nuk duhet të dërgohen të ndara me aplikimin. Nëse dërgoni formularin fillimisht dhe fotografitë më pas, ju skualifikoheni. Ndërkohë, fotografia e aplikuesit, por edhe e familjes së tij, duhet të jetë secila veç e veç dhe duhet të plotësojë të gjitha specifikimet e duhura.
Aplikimi
E vetmja mënyrë për të aplikuar në lotarinë amerikane është ajo elektronike, adresa është www.dvlottery.state.gov. Nëse nuk e plotësoni të tërën, do të skualifikoheni. Aplikantëve do t u kërkohet për të plotësuar informacionin e mëposhtëm në EDV Entry. Formulari përmban këto kërkesa
1. Emrin e plotë - mbiemrin e familjes, emrin, emrin e babait
2. Datën e lindjes - Dita, muaji, viti
3. Gjininë - Femër ose mashkull
4. Fshati/Qyteti i lindjes
5. Shteti i lindjes - Emri i vendit duhet të jetë ai i cili është në përdorim për vendin ku ka lindur aplikanti
6. Fotografitë e aplikantit
7. Adresën - adresën, Fshati/Qyteti, Distrikti/Rajoni/Provinca/Shteti, Prefiksi
8. Numri i telefonit (kjo është me zgjedhje)
9. Adresën e e-mail (kjo është me zgjedhje)
10. Vendi i përfshirë në listë, nëse shteti ku jeton nuk është ai i lindjes- Nëse aplikanti kërkon shtetësinë e një vendi tjetër, i cili nuk është ai i lindjes, ky informacion duhet të deklarohet në formular.
11. Gjendja civile - I pamartuar, i martuar, i divorcuar, vejushë/vejan, i ndarë ligjërisht
12. Numri i fëmijëve që janë të pamartuar dhe poshtë moshës 21-vjeçare, përveç fëmijëve që kanë shtetësi amerikane ose kanë leje qëndrimi të përhershme në SHBA.
13. Informacione për bashkëshortin/bashkëshorten- Emri, data e lindjes, gjinia, fshati/qyteti i lindjes, shteti i lindjes, fotografia
14. Informacione për fëmijët - Emri, data e lindjes, gjinia, fshati/qyteti i lindjes, shteti i lindjes, fotografia

Red : Gazeta Ballkan


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama