Me violinen time flas te gjitha gjuhet e botes

'Me violinen time flas te gjitha gjuhet e botes'

Janë të rrallë artistët, që gjatë gjithë jetës apo karrierës artistike, të kenë vetëm vlerësime pozitive dhe asnjë kritikë. Flasim për Ethem Qerimin, babanë e violinës shqiptare, i cili përveç të tjerash na tregon se nga kjo jetë nuk ka asnjë peng, pasi dëshira e tij e madhe për të bashkuar familjen brenda një profesioni është realizuar. Nuk është vetëm dirigjenti i familjes Qerimi, por është një nga muzikantët më të dashur për familjen shqiptare. Violina që lëshon ata tinguj të artë, kur vendoset në supet e tij është gjysmë shekullore.

Ethem Qerimi dje ishte Ravena të Italisë, i thirrur bashkë me 3 anëtarë të tjerë të familjes në një koncert, i cili shkon përshtat me melodinë që përhapet nga violina e tij, në shoqërinë e verës. Në fillimin të muajit prill, Ethemi do të jetë në Çeki për të luajtur kolonën zanore të një filmi. Në një bisedë për “Shekulli”-n ai tregon rrugëtimin e tij, fëmijërinë dhe vendlindjen, ku dikur shoqëronte babanë e tij, edhe ai violinist. Por biseda nis me fjalët e bukura; “Unë ja arrita qëllimit që t’i bëj artistë të gjithë anëtarët në familjen time”, dhe vijon më tej me fëmijërinë.

“Në familjen time, babai im ka qenë violinist dhe daja, klarinetist. Babai kur dëgjonte muzikë qante, kaq shumë e donte muzikën. Gjithë zona e Këlcyrës dhe Përmetit e donin shumë babanë tim se luante muzikë të një natyre që e përfaqësonte atë popull. Kur mbusha 7 vjeç më ra në dorë një mandolinë e vogël dhe me atë e nisa, duke shoqëruar babanë tim. Pas luftës, luaja dhe këndoja këngët e dëshmorëve, në aktivitetet që zhvilloheshin në zonën e Mallakastrës. Më pas jeta ime me shumë fat, kaloi në një tjetër formë, e rregulluar dhe e sistemuar në kryeqytet. Në moshën 12-vjeçare, pak viteve pas luftës”. Por, për Ethemin dhe familjen Qerimi nuk ka asnjë kritikë, ashtu siç ndodh me emrat e tjerë të artit, ku diçka stonon apo nuk shkon mirë në një moment interpretimi. Vetë, mjeshtri i violinës na thotë se që në moshën 8-vjeçare ka marrë duartrokitjet e para, të cilat nuk u ndalën as sot, kur ai ka hyrë në të tetëdhjetat.

“Unë mendoj se që kur isha 8 vjeç më vlerësuan për mandolinën që i bija, por edhe si djali i babait, të cilin e njihnin të gjithë në zonë. Më pas shkuam në Mallakastër dhe aty ia nisëm të dy me muzikën, ku unë përveçse e shoqëroja me mandolinë, edhe këndoja; në atë kohë, këngët e dëshmorëve të rënë në luftë. Mirëpo kishte nga ata njerëz, që kur dëgjonin këngët tona, dëgjonin emrin e të afërmit të tyre, që kishte rënë dëshmor dhe kjo ishte diçka shumë e mirë për ta, por edhe për ne, që na mundësonte jetesën”. Më pas rruga do të ishte më e lehtë, për mundësinë që iu dha për të studiuar veglën e tij të dashur në kryeqytet me dy profesorë të nderuar.

“Unë duke ditur që nuk ia mbërrita qëllimit që të mbaroj shkollën për muzikë, por e ushtrova këtë “profesion”, pata një fat shumë të madh që erdha në Tiranë. Unë do e quaj mrekulli që erdha në moshën 12-vjeçare. Kisha mbaruar 3 klasë shkollë në Këlcyrë dhe kur erdha në kryeqytet isha i përgatitur të bëja dhe një vit tjetër, duke marrë dëftesën. Puna vijonte me babanë dhe muzikë popullore. Atëherë ramë në kontakt me dy muzikantë nga Fieri, njëri që luante klarinetë dhe tjetri llautë, dhe interpretonim në dasma. Duhet thënë se dasmat në atë kohë ishin të shumta dhe na thërrisnin në çdo fshat. Kur erdha në Tiranë, nuk mund të them se isha i përgatitur për skenë, por luaja muzikë popullore.

Më sollën të mëdhenjtë. Ishte Mehmet Shehu ai që më shënoi emrin dhe më futën në Filarmoninë Shqiptare. Mbaj mend që më thanë se duam ta interpretosh muzikën me nota, mirëpo unë i bija ashtu siç e kisha mësuar, siç e ndieja. U thashë, po ngrihem se i kam lënë fëmijët pa bukë. U çuditën, dhe u shpjegova që bashkë me babanë tim jetonim me muzikën. Aty këmbëngulën që të më mbanin dhe të mësonin. Ishin dy profesorët, Pjetër Gaci dhe Lam Petrela, që i kishin ndarë ditët për të më dhënë mësime në violinë. Kjo më ndihmoi shumë sepse ata ishin me kulturë shumë të madhe dhe unë përfundimisht u zhvendosa në Tiranë, madje duke më dhënë dhe të drejtën për të hyrë në Licé”, kujton Ethemi.

Violina 50-vjeçare

Në shtëpinë e tij, me kapelën karakteristike dhe me zërin e butë e të sinqertë, na rrëfen edhe historinë e violinës që nuk e ka lëshuar nga dora prej 50 vitesh. Asaj violine, e cila kur vendoset në supin e tij, i drithëron njerëzit që e dëgjojnë. Unë kam mbajtur shumë violina nëpër duar, por në një familje të fisit të gruas ka pasur një violinë, e cila ishte lënë mënjanë dhe po zinte myk. Plaku i asaj familjes kërkoi që violinën ta merrja unë dhe kur e mora në dorë pashë që ishte shumë e mirë, e përsosur. Që kur e mora, po bëhen gati 50 vjet që nuk e heq nga dora.

Nga Italia në Çeki...dhe një melodi që nuk ndalet

Sa i përket prirjes për ta transmetuar pasionin e muzikës te fëmijët, me kërkesën për ta na e treguar çelësin e suksesit, që e ka ngritur familjen në rangun e dinastisë, Ethemi na tregon se është krijuar dhe ka mbetur si dëshira e tij më e madhe, që kur lindi Fatosi. “Që kur mbushi 7 vjeç i dhashë në dorë violinën, pasi doja që ta fusja në Licé, sepse me thënë të drejtën njihja njerëz që punonin atje. Mirëpo, pasi u mor ca kohë me violinë e pashë që kishte diçka që nuk shkonte dhe i dhashë klarinetën. Për 2-3 muaj ai gjeti veten me të, duke e mësuar aq mirë dhe e këshillova që të vazhdonte. Ai mbaroi Liceun dhe shkollën e lartë në Spanjë. Jam munduar më shumë për fëmijët të ndjekin këtë rrugë.

Duke u munduar unë, u munduan dhe djemtë për fëmijët e tyre. Kam qenë shumë më “i dobët” për t’i mësuar fëmijët e mi, ashtu siç i kanë mësuar ata fëmijët e tyre. Megjithatë i nxora. Bruno mësoi pianon. Klodi, e cila që në moshën 4-vjeçare ka kënduar në një koncert dhe më pas kreu shkollën për violinë dhe do vijojnë jashtë. Në këtë familje nuk ka kundërshtuar askush për të ndjekur një profesion jashtë artit. Janë rritur me muzikën. Ata studiojnë ditë e natë dhe sipas meje shumë më tepër se sa kam punuar unë. Kjo është e dyta herë që na thërrasin në Itali. Herën e parë luajtëm në një koncert, ku ishte dhe Klodi, vajza e Brunos. Ai është një aktivitet në Ravena ku jemi thirrur nga italianë, por është dhe një shqiptar, i cili ka qenë prej vitesh pjesë e një shoqate atje dhe tani bashkohet me një verë, e cila ka marrë çmimin e parë.

Në prezantimin dhe publikimin e saj na ka marrë edhe ne. Dhe miku ynë na thotë që cilësia verës shkon kaq hollë me melodinë e violinës. Këtë herë jemi 4 anëtarë. Ndërsa në fillim të prillit do të jem në Çeki”. Duke ndarë historinë e tij me ne, aktivitetet e përjavshme në kryeqytet dhe udhëtimet përtej Shqipërisë, gjysh Ethemi na tregon butësisht se lodhja fizike është e papërfillshme përballë kënaqësisë. “Ato më japin forcë. Ndihem i lumtur kur dëgjoj duartrokitjet dhe fjalët e mira apo krahasimet me njerëz të mëdhenj të violinës, si Paganini etj. Por, tashmë kur dal përtej kufijve, dhe jo vetëm unë, por të gjithë pjesëtarët e familjes ne nuk kemi frikë. Nuk kemi frikë sepse ne i njohim dhe dimë t’i luajmë pjesët e tyre. Unë i kam shkruar dhe dëgjuar shumë pjesë muzikore, pothuajse të të gjitha vendeve”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama