Media A eshte tradhti nje detyre qytetare?

Media: A eshte tradhti nje detyre qytetare?
Që nga 11 shtatori i vitit 2001, kur Amerika pësoi një tragjedi të madhe, liria e shtypit është vënë nën presion të madh nga ana e qeverive të ndryshme, që e argumentojnë këtë shtrëngim me rritjen e sigurisë, por në këtë rast, në kurriz të transparencës. Por, gjuetia që po i bëhet aktualisht “Wikileaks” është një rrezik shumë më i madh ndaj demokracisë se çdo informacion që mund të ketë publikuar sajti mediatik.

Përse na duhet liria e medias? Themeluesit e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës besonin se garancia e një lirie të tillë do të ishte e panevojshme, në mos e rrezikshme. Ka liri të cilat nuk i sigurojmë përmes premtimeve, por që i marrim për veten tonë. Ato janë si ajri që thithim në një demokraci, autoriteti i së cilës është ngritur mbi opinionin publik. Demokracia që u themelua në bazën e kësaj brendie është demokracia amerikane. Është një tregues i mosbesimit që kishin revolucionarët e shëndetshëm ndaj pushtetit të kësaj brendie dhe që më pas i bëri ata që të inkorporonin lirinë e shtypit në Kushtetutën amerikane.

Sot, 200 vjet më pas, kjo ide e vjetër u duket gjithnjë e më naive një pjese të madhe njerëzish në botën perëndimore. Qeveria amerikane, që kur nisi të përfshihej në luftën kundër terrorizmit, është vetëtransformuar në një aparat të madh sigurie. “Washington Post” shkruante së fundi se, 854 000 njerëz në qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë mundësi hyrjeje në dokumente ‘top-secret’, dhe kjo në kohën e  një Presidenti që erdhi në detyrë përmes premtimit për një epokë të re transparence në një qeverisje. Çdo vit, rreth 16 milionë dokumente stampohen në Uashington me vulën “top-secret”, që domethënë se nuk janë për syrin e qytetarit të thjeshtë. Në krizë, vendet e Europës së vjetër janë gjithashtu duke ngritur barrikada. Kushtetuta gjermane, e njohur si Ligji Themeltar, ka garanci shumë të mëdha për lirinë e shtypit dhe u krijua pas Luftës së Dytë Botërore në emër të çlirimtarëve amerikanë dhe në dritën e mësimeve të revolucioneve amerikane dhe franceze. Por, në vitin e 10-të pas sulmit të 11 shtatorit, një politikan gjerman konservator ka hedhur idenë se, mbase mund të mos jetë një ide aq e mirë ndalimi i raportimit nga ana e gazetarëve i detajeve nga lufta kundër terrorizmit. Njerëz të tillë në epokën e Revolucionit Francez do të kishin përfunduar në gijotinë në Parisin revolucionar dhe ndoshta në Filadelfia do të kishin përfunduar për një kohë të gjatë në burg. Kur qytetarët ishin revolucionarë, akti i kërkimit të lirisë së shtypit ishte një akt revolucionar. Sot, në një kohë më të paqtë, do ta karakterizonim lirinë e shtypit si një virtyt qytetar.

Të luash me zjarrin

Por, befas shfaqet dikush që luan ende rolin e një revolucionari: Julian Assange, themeluesi i platformës “Wikileaks”, i cili ka vendosur që të luajë me zjarrin e anarkisë. Ai vazhdimisht kërcënon për publikime të reja, të rrezikshme, të cilat duhet që të përbëjnë një shqetësim shumë të madh për ata që janë të përfshirë në këto materiale. Në vendet të cilat e kanë përfshirë në Kushtetutën e tyre lirinë e shtypit, deri më tani është nënkuptuar se publikimi i materialeve konfidenciale duhet të jetë nën vëzhgimin e ligjit. Publikimi i sekreteve qeveritare ka qenë gjithmonë kundër ligjit, përfshi Gjermaninë. Gazetari Rudolf Augstein, themeluesi i revistës shumë prestigjioze “Spiegel”,  pagoi shtrenjtë me 103 ditë heqje lirie në vitin 1962, kur u dyshua se kishte publikuar sekrete shteti në faqet e revistës, në një artikull që kishte të bënte me aftësitë mbrojtëse të ushtrisë gjermane. Por, për shkak të gjykatës u vendos që liria e shtypit ishte shumë më e rëndësishme se sekreti në këtë rast, dhe si pasojë nuk ishte shtypi, por qeveria ajo që në një rast të tillë u penalizua.

Por, për ata që e kanë me Assange, është më shumë një çështje parimi se sa zbatimi ligji. Djali nga Australia jep një mundësi të mirëpritur për të flakur tej idenë e vjetër  të lirisë së shtypit, si një e drejtë që ia lejojmë vetes në vend të së drejtës që të tjerët na e lejojnë. A nuk jemi të gjithë në luftë? A nuk është rasti që qytetarët duhet, në fakt, të mbrojnë shtetin në vend që ta spiunojnë atë?

Koalicioni trans-atlantik i mbrojtësve të shtetit përfshin pjesëmarrës nga më të ndryshmit, të tillë si kreu i Komitetit të Senatit Amerikan për Çështjet e Brendshme dhe të sigurisë, Joe Lieberman, i cili akuzon të gjithë ata që publikojnë sekrete diplomatike amerikane si dhe kreun e Partisë së Gjelbër Gjermane, Cem Ozdeir, sipas të cilit “Wikileaks”, “ka kaluar linjën që i shërben të mirës së demokracisë sonë”. Nevoja për ta portretizuar veten si “qytetarë të mirë”, është veçanërisht e dukshme tek disa gazetarë. Edhe gazeta që kanë qenë prej kohësh në mbrojtje të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar ‘Wikileaks’ si “rrezik që shkatërron politikën dhe rrezikon njerëzit”. Gazetari amerikan,  Steve Coll, i cili ka marrë një çmim “Pulitzer” për shkrime demaskuese, i quan krerët e “Wikileaks”, “vandalë”. Ndërsa, “Washington Post”, që ka ekspozuar dikur çështjen e ‘Watergate’, e quan ‘Wikileaks’, “organizatë kriminale”.

Kohë e errët për lirinë

Për kritikët, aspekti më kërcënues i “Wikileaks”, ai i “aktivitetit kriminal”, duhet të jetë fakti që deri më tani, askush nuk ia ka dalë që të artikulojë se cili është ligji që Assange paska thyer. Tentativa e Departamentit të Drejtësisë për të risjellë në skenë ligjin e spiunazhit të vitit 1917, tregon se sa e pashpresë është përpjekja e protektorëve për të gjetur “ligjin” akuzues, ndërsa kërkojnë gjatë gjithë ditës nëpër vandakët e ligjeve për të gjetur hapësirën e më pas për të bërë akuzën. Periudha e Luftës së Parë Botërore ishte një periudhë e errët për liritë kushtetuese në Shtetet e Bashkuara. Në frikën histerike ndaj komunizmit dhe kritikëve të tjerë, sistemi juridik arriti deri aty sa të persekutonte njerëzit që shpërndanin materiale, në të cilat bëhej propagandë kundër shërbimit ushtarak dhe duke e bërë një gjë të tillë, ata injoruan të gjitha garancitë e Kushtetutës. Edhe periudha pas 11 shtatorit, ishte gjithashtu shumë e keqe. Në vitin 2005, kur “New York Times” planifikoi që të publikonte një artikull për një program global të përgjimeve që ishte krijuar dhe drejtohen nga NSA (Agjencia Kombëtare e Sigurimit) drejtuesit kryesorë të gazetës u thirrën në Shtëpinë e Bardhë në një takim urgjent me Kondoleca Rajs. Atyre sigurisht që iu bë presion për të mos publikuar këtë shkrim. Ndërkohë askush nuk kishte asnjë justifikim ligjor për ta bërë një ndalim të tillë. Gazeta e publikoi materialin dhe Amerika, megjithatë mbijetoi.

Rëndësia e etikës

Etika e gazetarisë është ajo që e bën produktin, pra shtypin, të besueshëm në sytë e lexuesve. Etika duhet të aplikohet veçanërisht tek ato organe që marrin përsipër përcjelljen e informacioneve dhe të dhënave të rëndësishme. Janë lexuesit dhe vetëm ata që vendosin standardet për një organ në media. Dënimi më i rreptë që ata mund të japin është që ta braktisin produktin e saj.

A u lejohet qytetarëve që të publikojnë sekretet e shtetit?

“Wikileaks” është po aq ndërmjetëse mes publikut dhe informacionit sa çdo gazetë, apo sajt tjetër. Për një ekspert gjerman të Kushtetutës është e qartë se sajti i Assange gëzon “të drejtën e mbrojtjes për shtypin sipas Kushtetutës gjermane”. Ky ekspert, i cili është edhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në dhënien formë të interpretimit të lirisë së shtypit dhe të fjalës në Gjermani. Gjykata Kushtetuese ka nënvizuar në mënyrë të vazhdueshme se detyra e dhënies së informacionit në mënyrë të papenguar është “thelbësore” për funksionimin e një demokracie. Sipas Gjykatës Kushtetuese gjermane është e drejta e plotë e të gjithë qytetarëve që të kenë akses në informacion, që e bën të mundur formëzimin e opinionit publik. Dhe është informimi i pashtrembëruar i opinionit publik që e bën të drejtë edhe rezultatin e zgjedhjeve, si shprehje e vullnetit të popullit.

A i lejohet shtetit që të mbajë sekrete nga populli? A u lejohet qytetarëve që të kenë të drejtë të dinë dhe të publikojnë sekretet?

Shteti nuk ka një sferë private

Sigurisht që qeverisë i lejohet që të ketë sekrete. Është pjesë e sjelljes së kujdesshme të çdo punonjësi shtetëror që t’i përgatisë punët në mënyrë konfidenciale, për të penguar individët e paautorizuar që të ndërhyjnë për të prishur punë. Është edhe pjesë e përgjegjësisë së politikanëve, punonjësve të shtetit dhe gjykatësve që të ruajnë informacionet sekrete. Kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme për shkak se qeveria nuk mund të varet në të funksionuarit në një errësirë “të ligjshme”. Privatësia e shtetit, si e tillë, nuk është e mbrojtur ligjërisht dhe shteti, ndryshe nga qytetarët, nuk ka një sferë private. Të drejtat e qytetarëve kanë nevojë për mbrojtje, por jo çështjet e brendshme të qeverisë. Për shtypin është e ligjshme që të publikojë informacione që kanë të bëjnë me shtetin.

Cilësia e demokracisë

Kjo është e vështirë që të kuptohet, edhe për ministrat e Brendshëm dhe kjo është arsyeja se përse Gjermania, kishte nevojë edhe një herë, që të merrte një vendim nga Gjykata Kushtetuese e cila, në këtë vendim, shpjegonte dallimin mes prishjes së sekretit dhe zbulimit. Kur zyrat e revistës “Cicero” u kontrolluan në vitin 2005, me miratimin e ministrit të Brendshëm të kohës, për shkak të një lajmi të botuar në lidhje me një dosje konfidenciale kriminale, hetuesit përdorën një argument të ndërlikuar për të justifikuar veprimin e tyre, edhe pse ai nuk ishte i bazuar në asnjë ligj specifik që ndalonte publikimin e materialeve. Çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo vendosi që “liria e shtypit është thelbësisht e rëndësishme për demokracinë”. Shtypit i lejohet që të publikojë atë material që ka, pra edhe në rastin e sekreteve shtetërore, me një përjashtim shumë të vogël që mund të futet në atë që konsiderohet si “tradhti”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama