Vendet e Ballkanit ndajnë një numër problemesh përsa i takon sistemeve shëndetësore, si radhët e gjata të pritjes, mungesë e teknologjisë së sofistikuar, dhe praktika me standarde të dobta.Rifat Latifi është mjek në Arizonë dhe drejton Qendrën e Telemjekësisë për Ballkanin me seli në Prishtinë. Ai thotë se ashtu si Kosova, sistemi shëndetësor i Shqipërisë është në gjendje të dëshpëruar. "Gjendja është e rëndë. Ka nevojë për shumë punë. Në se do të drejtoja mjekësinë në këto vende nuk do të më zinte gjumi. Pasi pacientët duhet të udhëtojnë jashtë vendit për çdo problem madhor që kanë".
Violeta, një paciente nga Tirana, thotë se sistemi shëndetësor në Shqipëri ka nevojë për një reformë thelbësore.Në mbarë rajonin e Ballkanit, klinikat private janë të pakta dhe të shtrenjta për t’u përballuar. Ranko Kadiç ka një klinikë radiologjie në Podgoricë. Ai thotë se klinikat private në Mal të Zi nuk janë të integruara në sistemin shëndetësor të vendit.
"Problemi më i madh me kujdesin shëndetësor janë faturat e pakontrolluara. Një pacient që merr faturën nga një mjek privat nuk mund të rimbursohet nga shteti". Me fjalë të tjera, një pacient në Mal të Zi paguan gjithë faturën mjekësore në se vendos të shkojë në një klinikë private megjithëse ka paguar siguracion shëndetësor. Kadiç thotë se mjekët privatë duhet të jenë në gjendje të marrin rimbursime për shërbimet e tyre nga fondet ekzistuese shtetërore, në të njëjtën mënyrë si klinikat shtetërore.
Shqipëria ka bërë investimet më të pakta për kujdesin shëndetësor mes vendeve evropiane, pasuar nga Serbia. Drejtoresha e fondeve shtetërore të mjekësisë Svetlana Vukajloviç thotë se 270 euro në vit për frymë për siguracionin shëndetësor janë të pamjaftueshme për të patur një sistem shëndetësor modern.
"Kjo shumë është katër herë më pak se sa në Kroaci, dhjetë herë më pak se në Slloveni dhe shumë herë më pak sesa në Gjermani, Francë, Kanada apo Shtetet e Bashkuara".
12.3 përqind e çdo pagese në Serbi hiqet automatikisht për kujdesin shëndetësor që garanton shërbime mjekësore falas në klinikat dhe spitalet shtetërore. Megjithatë pacientët ankohen për mungesë shërbimi në këto klinika. Ata që janë në gjendje të mirë financiare blejnë siguracion shtesë për t’u kuruar në klinika private. Ministri serb i Shëndetësisë Tomica Milosavljevic tha se shërbimi shëndetësor në vendin e tij po bën hapa të mëdha pasi "Gjatë dekadave të mëparshme duhej të prisje deri në shtatë vjet për të bërë një operacion për zëvendësimin e legenit. Pacientët duhet të blinin vetë ilaçet. Sot nuk ke nevojë të blesh asgjë, pasi spitalet kanë çdo gjë që nevojitet". Sipas zotit Milosavljevic, shumica e 161 klinikave shtetërore të Serbisë dhe dhjetra spitale po modernizohen. Me gati 800 euro në muaj, një specialist mjekësor serb fiton më shumë sesa shumica e kolegëve të tij në Ballkan. Megjithatë koha e pritjes për disa procedura të thjeshta ende është 6 apo 12 muaj.
( Zëri i Amerikës, Uashington)