Çfarë ofron Shqipëria?
Nëse do të shkoni në Shqipëri, shkruan gazeta angleze, duhet të shkoni dhe në Butrint, i vendosur në zemër të parkut kombëtar dhe rrënojave të qytetit romak 2 500-vjeçar që është një nga qendrat më të mëdha arkeologjike evropiane me një tempull të mrekullueshëm greko-romak. Gjithashtu “The Guardian” nuk le pa përshkruar Tiranën si një nga qytetet më të veçanta të Ballkanit, ku me një sasi të vogël parash mund të kalohet shumë mirë në zonat më të nxehta si “blloku” apo dhe në restorantet tradicionale shqiptare. Bregdeti shqiptar këshillohet për 2012-n, si më origjinali dhe më argëtuesi edhe nga sajte të tjera interneti. Në faqen zyrtare të “ionian-cruises.com”, bregdeti i jugut të Shqipërisë komentohet si më aventureskët dhe enigmatikët ku këshillohet për pushuesit si oferta më e mirë për krocerat dhe për pushime të paharrueshme. Ndër të tjera edhe kompania “The Gapyear Ltd”, në një profil botëror, vetëm për turizmin dhe pushimet, shkruan se Shqipëria është votuar në destinancionin “top value destination” për 2012-n. Në artikull thuhet se për ata të cilët janë në kërkim të një pushimi ekonomik ose një vit pauze për 2012-n, mos shikoni përreth përveçse Shqipërisë. Udhëzuesi i udhëtimeve “The Former”, mbi destinacionet dhe çmimet për 2012-n, ka zbuluar se riviera shqiptare ka fituar çmimin për destinancionin me vlerat më të arsyeshme. “Former” e ka përshkruar bregdetin shqiptar si të virgjër, jo shumë të zbuluar dhe ekonomikisht të përballueshëm. Riviera shqiptare i ka të gjitha bukuritë natyrore ashtu sikurse Kroacia, shkruan udhëzuesi i pushimeve, por ndryshe nga kjo e fundit Shqipëria nuk ka dyndje turistësh dhe çmimet janë më të ulëta. Në librin e udhëzimeve, përshkruhen plazhet me rërë të bardhë, uji i kristaltë, si dhe veçantia e fshatrave përgjatë bregdetit. Një vend të rëndësishëm për mediat e huaja zënë dhe alpet shqiptare ku bukuria e tyre është e rrallë, pasi ofrojnë një panoramë qetësuese si në muajt e ftohtë të dimrit, por dhe gjatë muajve të verës.