Thuajse të gjitha mediat franceze janë dakord mbi një gjë: Marseja do të ngjyroset kuqezi gjatë ditës së sotme. Në reportazhe të ndryshme në portale apo gazetat sportive dhe politike franceze, bie në sy interesimi dhe vlerësimi shumë i lartë për tifozët shqiptarë.
"Le Dauphine" e krahinës së Marsejës, shkruan se "shqiptarët do të jenë si në shtëpinë e tyre në Marsejë", pasi përveç tifozëve të zakonshëm, në këtë krahinë "zyrtarisht gjenden më shumë se 5000 shtetas shqiptarë rezidentë në Francë".
Ndërkaq, mediat e tjera kanë theksuar se si tifozët shqiptarë kanë qenë ndër më të vlerësuarit në ndeshjet e para në grupe, pasi kanë dhuruar një koreografi të bukur në stadiumin e Lens kundër Zvicrës, pa shkaktuar asnjë lloj problemi dhe duke ndryshuar plotësisht mendimin për Shqipërinë.
"20min.fr", duke iu referuar pikërisht ndeshjes së të shtunës, thotë se mbështetësit e Francës, duhet të jenë gati. "Priten 20 mijë shqiptarë të ardhur nga e gjithë Europa në tribuna. Me atë që u pa në Lens, edhe nëse tifozët francezë janë më të shumtë, mund ta humbasim ndeshjen në tribuna", shkruan ky portal.