Mediat kosovare në shkrimet ditore e kanë dënuar ashpër incidentin që ndodhi dje në Tiranë në lidhje me valëvitjen e flamurit serb përpara Katedrales Ortodokse, si dhe qëndrimin e kryepeshkopit serb në lidhje me Kosovën. Ata e kanë konsideruar këtë ngjarje si një provokim nga ana e palës serbe, si dhe një pakujdesi të kryeqytetit shqiptar për të parandaluar këto incidente. Ata shkojnë edhe më tej, duke u shprehur të çuditur nga fakti se të gjithë liderët shqiptarë i puthën dorën kryepeshkopit Irinej. “Flamuri serb ka valuar në mes të Tiranës, ndërkohë që nga kryeqyteti i shqiptarëve, kryepeshkopi serb, Irinej, ka thënë se “Kosova është dhe do të jetë serbe”.
Gjithçka ka ndodhur gjatë ceremonisë së shenjtërimit të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, e ku, tok me kryepeshkopin serb, kanë marrë pjesë gjithë lidershipi institucional e politik i Tiranës. Ky lirisht mund të quhet si provokimi i radhës që vjen nga shteti amë, apo thënë më mirë, pakujdesia e radhës e Tiranës ndaj ndjenjave të kosovarëve. Si mundet që i gjithë lidershipi shqiptar; nga Presidenti Nishani, Kryeministri Rama, kryeparlamentari Meta dhe lideri i opozitës, Basha, të marrin pjesë në këtë ceremoni dhe t’ia puthin dorën Irinejt? Kush ua lejoi atyre të rinjve të valojnë flamurin serb dhe të hedhin parulla kundër shqiptarëve? Ky po që është një provokim. Ky po që është një turp i shtetit shqiptar”, citohet në “Kosova Press”. Vetë kreu i qeverisë, Edi Rama mësohet që do të ketë një vizitë dyditore në Kosovë, në kuadër të aktiviteteve qeveritare. Por ende nuk dihet nëse do të ketë një reagim nga besimtarët ortodoksë të Kosovës në lidhje me atë çka ndodhi dje në kryeqytet apo nëse do të konsiderohet si një çështje e mbyllur këtu. Por në rrjetet mediatike kosovare, si prania e kryepeshkopit serb ashtu edhe ngritja e flamurit serb u komentuan madje edhe duke e konsideruar turp mosreagimin e shqiptarëve në kryeqytet.
Ndërkohë që kryeministri shqiptar, Edi Rama, i shoqëruar me një pjesë të kabinetit qeveritar, do të marrë pjesë në një aktivitet gjatë së cilit do të firmoset në marrëveshje për sistemin doganor, por edhe në të njëjtën kohë për unifikimin e teksteve shkollore për arsimin e cilit të ulët. Kjo vizitë vjen pas një vizite që kreu i qeverisë do të bëjë në qytetin e Kukësit, pikërisht në doganën e morinës. Pas këtij aktiviteti kryeministri do të jetë në Kosovë. Vetë mediet kosovare në vend kërkuan nga kryeministri, por jo vetëm që të dënojnë aktin që ndodhi dje, atë të ngritjes së flamurit serb në Tiranë, por njëkohësisht edhe praninë e kryepeshkopit serb në kryeqytetin Shqipërisë.