Me tone të ashpra është përshkruar në mediat serbe vizita e Kryeministrit Rama në Beograd. Pa dallim, i gjithë shtypi serb, me nota të ndryshme, i ka kushtuar faqet e tij të para asaj që e quan si incidenti, provokimi apo poshtërimi që Edi Rama i bëri homologut të tij serb, Vuçiç. Mediat serbe e kanë përshkruar hedhjen e një droni të dytë mbi Beograd, fjalimin e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, ku ndër të tjera kërkoi dhe njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
Gazeta serbe “Kurir”, në shkrimin kryesor të saj, e cilëson provokim qëndrimin e Ramës, në artikullin “Olsi Rama sërish ne Beograd: Rama mori vëllain me vete”. Duke cituar drejtorin e zyrës për Kosovën, Marko Duriç, “Kurir” shkruan se kreu i qeverisë shqiptare hodhi një dron të dytë në Serbi, për këtë radhë ishte një dron folklorik dhe diplomatik. Pastaj gazeta përgënjeshtron tezën e Kryeministrit shqiptar se ai e kish paralajmëruar Vuçiçin në takimin e tyre përpara konferencës së shtypit. “Rama në takimin tetë a tetë nuk e ka hapur çështjen e Serbisë Jugore dhe ka dalë në konferencë me letër në dorë për të lexuar provokimin e përgatitur”.
Ndërkohë gazeta “Blic” shkruan se Edi Rama qëndron në Preshevë aty ku e presin billbordet “Mirë se vjen kryeministër i shqiptarëve”. Dita e dytë e qëndrimit të Ramës është pasqyruar edhe në mediat e tjera, që kanë shkruar për axhendën e aktivitetit. Po ashtu, tabloidi kishte titull kryesor “Katër provokimet e Ramës në mes të Serbisë”. Sipas saj, provokimi i parë ishte kur Vuçiç priti 34 sekonda që Rama të dalë nga makina, i dyti kur Rama bëri ftesë për njohjen e Kosovës, i treti pretendohet pritja me 15 mijë njerëz në Preshevë dhe i katërti një lapidar me lule në qendër të Preshevës, në vendin ku qeveria serbe, dy vite më parë, shkuli një lapidar të UÇK-së.
Një tjetër e përditshme gazeta “Alo” i thur lavde Kryeministrit vendas: “Kryeministri serb ia preu këmbët provokatorit. Nuk ia lejoi askujt që ta poshtërojë Serbinë në mes të Beogradit”. Pas takimit me Kryeministrin serb, Rama ka qenë shumë i nervozuar dhe “u ka bërtitur bashkëpunëtorëve të tij” shkruan “Alo”, duke dhënë një peizazh krejt të kundërt me atë të delegacionit shqiptar, që e përshkruante Vuçiçin të nervozuar gjatë drekës dhe që iu desh të pinte tre gota verë përpara se të fliste me Ramën.
Gazeta tradicionale e Beogradit “Politika”, që gjithmonë mbron politikat qeveritare, pavarësisht se kush është në pushtet, titullon në faqe të parë: “Provokim i ri shqiptar”. Ajo ka si nëntituj shprehjen e Kryeministrit Rama.. “duhet ta pranoni Kosovën” dhe atë të homologut të tij serb “…nuk lejoj poshtërim në Beograd”. Po kjo gazetë boton një shkrim të analistes Biljana Bokoviç që titullohet: “Dronizimi i Serbisë”. “Ja se ç’mund të ndodhë me atë që të qëllon me shpullë dhe ti i kthen faqen tjetër. Ai të qëllon përsëri”, shkruan Bokoviç, duke hequr një paralele mes historisë së dronit në stadium dhe vizitës së Ramës”. Pastaj vazhdon: “Po të vendosemi në lëkurën e Kryeministrit serb dita e djeshme, për të qe më e vështira. Shumica e qytetarëve të Serbisë dhe radikalët e kanë përjetuar si shuplakë të nxehtë”. Kjo analiste tallet dhe me RTS, televizionin publik që nga frika e skandalit, nuk e dha fjalën e Ramës me përkthim serbisht.
“Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Vuçiç nuk reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai qe mes dilemës: të ishte i ashpër dhe të merrte kritika ndërkombëtare, apo të ishte më i butë dhe t’i shmangte ato. Por, ai s’bëri as njërën as tjetrën. Prandaj droni i dytë mbeti i pasqaruar”, përfundon ajo.