Mediet serbe Harta e Shqiperise se Madhe hiqet nga faqja e Kryeministrise

Mediet serbe: Harta e Shqiperise se Madhe hiqet nga faqja e Kryeministrise

Pak ditë më parë, mediet serbe kanë shkruar se Beogradi zyrtar kishte dërguar një notë proteste ndaj Tiranës, pas postimit të hartës së Shqipërisë së Madhe në fasadën e Kryeministrisë, si një nga urimet e projektuara për festat e fundvitit.

Duke cituar ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç, portalet në Serbi, shkruanin se ai kishte thënë se pala serbe do të reagonte pas kësaj shfaqeje. Ndërsa sot, gazeta e Beogradit “Vecernje Novosti” shkruan se harta tashmë është hequr nga faqja zyrtare e Kryeminsitrisë.

Sipas saj, burime nga Ministria serbe e Punëve të Jashtme kanë deklaruar për gazetën, se ambasada e Serbisë në Tiranë ia ka përcjellë notën e protestës Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe harta është fshirë.

“Harta pasqyron ekspansionizmin shqiptar dhe përfshin pjesë nga katër vendet fqinje të Shqipërisë, përfshirë Serbinë”, shkruan “B92”, duke cituar “Vecernje Novosti”-in.

Megjithëse deklarata e Daçiçit, e bërë më 12 janar të këtij viti, u mohua nga Ministria jonë e Jashtme, nga Facebook-u shihet se fotoja me hartën dhe me diçiturën "Autochthonous" nuk ndodhet më në faqen zyrtare të Kryeministrisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama