Mediet serbe Sikur te mos ishin shqiptaret ku do ishin sot Serbia dhe Maqedonia?!

Mediet serbe: Sikur te mos ishin shqiptaret, ku do ishin sot Serbia dhe Maqedonia?!

“Sikur mos të ishin komunat shqiptare në Maqedoni ato të Sanxhakut (Tutini, Sjenica e N. Pazari) dhe të Kosovës Lindore ( Presheva e Bujanovci), të cilat janë të vetmet komuna që kanë shtim pozitiv të popullsisë, atëherë ku do ishin Serbia dhe Maqedonia?!"

Ky është shqetësimi që është ngritur nga mediet serbe, të cilat konfirmojnë se plakja e popullsisë dhe zhdukja e fshatrave dhe qytezave të vogla, janë problemet kryesore të shoqërisë serbe.

Mosha mesatare e popullsisë në Serbi është 41 -vjeç, e cila radhitet në grupin e popujve me moshën më të vjetër.

Kryetitujt më të shpeshtë të shkrimeve apo analizave në mediet serbe janë: “Do të jemi pakicë kombëtare në Serbi”; “Në Serbi janë zbrazur 1600 fshatra”; “Nataliteti më i ulët në Evropë”; “Serbët zhduken brenda 500 viteve”?! “Populli serb ngadalë vdes për shkak të mortajës së bardhë, Beograd: Katër varrime një pagëzim”, “Çdo e katërta femër serbe nuk është nënë”; “Çdo tre vjet nga një komunë më pak” etj.

Në realitet nataliteti është padyshim brengë e madhe për Serbinë, pasi çdo vit zhduket një qytet. Thënë ndryshe, Serbia brenda çdo viti, zvogëlohet me rreth 60 mijë banorë. Kjo është cilësuar si “Murtaja e Bardhë”, që po ndryshon strukturën demografike të Ballkanit.

Demografët maqedonas kanë paralajmëruar gjithashtu se, statistikat e lindshmërisë së popullsisë janë ulur:

“Për herë të parë pas 65 viteve, vitin e kaluar maqedonasit “ranë” nën nivelin e 50 për qind të lindjeve”, shkruajnë mediet maqedonase.

Paralajmërimet, tashmë të njohura të demografëve në Maqedoni, bëjnë me dije se maqedonasit janë “drejt rrugës” që të bëhen pakicë në shtetin amë. Këto janë argumentet e reja të treguesve të Entit Shtetëror të Statistikave në Shkup. Për herë të parë, që nga viti 1948, kur është bërë regjistrimi i popullsisë si njësi në vete, maqedonasit etnikë “kanë rënë” nën nivelin e 50 për qind të lindjeve. Në Maqedoni janë lindur 11.603 maqedonas, 7.488 shqiptarë, 1,080 turq, 1,226 romë.

Në të njëjtin vit kanë vdekur 14.213 maqedonas. Sipas statistikave, bëhet me dije se ka tremijë vdekje më shumë se lindje. Vitin e kaluar, sipas treguesve, kanë vdekur 3230 shqiptarë, që është pothuajse gjysma e 7488 të lindurve.

Të dhënat statistikore nga tremujori i parë i këtij viti konfirmojnë se, lindshmëri më të lartë, kanë komunat që dominohen nga shqiptarët, siç janë: Tetova, Kumanova, Struga dhe komuna e Çairit në Shkup, Saraj, Orizare, Aeroport, Studeniçan, Bogovinë, etj.

Në anën tjetër, nivel më të ulët të lindshmërisë kanë komunat e Manastirit, Prilepit, Velesit, Koçanit, Ohrit, Kërçovës, Demir Hisarit, Bosilovës dhe komunat e Shkupit siç janë: Karposhi, Kisela Voda, të banuara kryesisht me maqedonas.

Në Maqedoni, për shkak të konfliktit politik mes udhëheqësve maqedonas dhe shqiptarëve etnikë në qeveri, nuk është bërë regjistrimi i popullsisë që nga viti 2002. Deri sa të bëhet regjistrimi i popullsisë, të dhënat aktuale statistikore mbi popullsinë në Maqedoni mbeten ato të vitit 2002, me të cilat vendi ka 2.022.547 banorë. Nga ky numër, edhe pse në mënyrë të vazhdueshme maqedonasit janë në rënie, ende zyrtarisht konsiderohet se janë shumicë me – 1,297 000 ose 64.2 për qind, ndërsa shqiptarët 509,083 ose 25.2 për qind. /Zeri/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama