Ishte një veprimtari bukur fort e arrirë, bilanc hulumtimesh dhe përqasjesh të reja shkencore në fushën e epikologjisë, të këtij thesari të trashëgimisë sonë kombëtare që përherë e më shumë po shpalos vlerat e tij historike e kulturore. Konferenca u çel në një mjedis të ngrohtë shkencor, shokësh e kolegësh, nga Z. Hysen Matoshi, Drejtor i Institutit. Përshëndetën në emër të Qeverisë së Kosovës Zv. Kryeministri Z. Hajredin Kuqi, që vuri në dukje se forcimi i identitetit kombëtar mbetet një nga prioritetet madhore të Programit të Qeverisë së Kosovës, e cila do vijë duke e shtuar përkujdesin ndaj shkencëtarëve, duke qenë se vetë Instituti Albanologjik i Prishtinës është një monument nderimi për mbarë Kosovën, me punën e madhe patriotike e shkencore të kryer si dje dhe sot. Përshëndeti, po ashtu, Z. Ardian Marashi, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Por ama, duke parë në interval pushimi filmin dokumentar Lahutari i Fundit të Sahit Kokollit, menjëherë do pushtoheshe krejt nga emocioni, madje ndër sy do të shkëlqente edhe një lotëz, tek shihje lahutarin 90 vjeçar - atë lis të mishtë njerëzor, me shall të bardhë lidhur kryeve madhështore dhe rreth plisit antik, me tërë ato shirita të zinj tirqeve shekullore, që duket sikur vijnë që nga Lashtësia jonë si një kod-bar ISBN-je e mistershme -, tek luante në lahutë, me gishtat tërë nyje, me atë ritëm monoton, si vetë frymëmarrje e kreshtave legjendare, e tokës dhe e nëntokës, nga zgjohen prej gjumit të rëndë do heronj, dragonj e kuçedra në këngën e tij.
Nuk kish si të mos përjetoje thellë këngët epike dhe heroike me bëmat e Mujit e të Halilit, të zanave e shtojzovalleve, të dasmorëve e therrorëve, të Gjergj Elez Alisë e Kostandinit të Vogëlith. Nuk kish si të mos përpiheshe krejt nga bukuri e egër e e virgjër e maleve dhe luginave, e gurrave dhe ujëvarave, e grykave dhe honeve marramendase. Sepse aty, vetë këngës së kreshnikëve i mbante aq bukur iso tingulli i ngjizur e i ngjirur i lahutës, kuvendimi fëshfëritës i gjethnajës, jehonë gurgulluese e përrenjve, e më në fund, kuvendimi mitik i perëndive pagane. Aty ishin të tërë, në këngë të lahutarit të moçëm, atyre Bjeshkëve të Nalta: Çeto Bashe Muja me trimat e Jutbinës, Hajkuna me tridhjetë çikat e Malësisë, vëlla Halili e Zuk Bajraktari, Krajli e Krajlica, Sokol Halil Aga e Gjure Harambashi, Januka e Qesarit dhe Velike Kokona, sulltan Sulejmani me topat, po edhe Sokolët katër-krahësh, me jataganët e gjokat. Ishin aty, në “Kuvendin e madh të Kreshnikëve”, ku ligjëruan aq shtruar studjues shqiptarë e të huaj.
Ja , Prof. Zymer Neziri tek ligjëron aq shtruar në referatin e përbashkët me prof. Shaban Sinanin për “Gjendjen e studimeve sot dhe perspektivat e Eposit të Kreshnikëve”, duke i vënë mirë pikat mbi -i- për pavarësimin e epikologjisë shqiptare, për njohjen e eposit shqiptar në botë përtej ekzotikës dhe karakterit muzeal të traditave, për përhapjen e eposit shqiptar gjer në nënrrjedhën e Matit e në thellësi të Maqedonisë, duke përfshirë ndoshta gjithë izoglosën e gëgërishtes, për tejkalimin tashmë të krahasimtarisë vetëm të dyfishtë shqiptaro-sllave, si dhe, më në fund, për tejkalimin e antagonizmit përjashtues që sundonte një pjesë të studimeve të mëparshme.
Ja tre breza studjuesish tek kuvendojnë, diskutojnë e debatojnë në një larushi të bukur tematike : “Dëshmi të reja në Eposin e Kreshnikëve” (A. Xhagolli); “Çështje të patrajtuara në studimet tona për këngët kreshnike” (E.Mehmeti); “Identifikimi i bashkëbiseduesit në Epikën shqiptare” (A. Fajgejl); “Këngëtari dygjyhësor” (K.Reichl); “Hulumtime të reja mbi këngët epike shqiptare” (N.Scaldaferri); “Vlera artistike – dëshmi e origjinalitetit të Eposit” (S.Fetiu); “Eposi i Kreshnikëve dhe trajtimi i femrës shqiptare” (O. Zhegu); “Figura e rapsodit shqiptar dhe çështja homerike” (Z.Neziri); “Simbole mitike në doke të komunikimit etik-juridik në Epos” (M.Tirta); “Komunikimi metaforik në Eposin e Kreshnikëve” (M.Dibra); “Tekstualizimi i Eposit gojor shqiptar” (A.Dushi); “Eposi heroik shqiptar dhe analiza kuantematike e tekstit” (K.Jorgo”); “Transmodelimi i një kënge kreshnike në një roman për fëmijë” (L. Gega-Musa); “Autoktonia e Eposit të shqiptarëve” (N.Papleka); “Udhëpërshkruesit frëngë të shekullit XIX për këngët kreshnike shqiptare” (V.Veliu); “Epika homerike dhe eposi shqiptar, paralele antropokulturore” (A.Marashi); “Tematika, vlerëra dhe aktualiteti te disa këngë epike popullore arbëreshe” (A.Bellusci); “Studim krahasimor i koncepteve epike të poezisë homerike dhe këngëve epike shqiptare” (J.Yamamoto); “Paralele strukturore midis Këngës së Rolandit dhe Ciklit të këngëve kreshnike “ (Sh.Sejdiu); “Vëzhgime mbi traditat epike shqiptare dhe boshnjake” (R.Elsie); “Eposi i Kreshnikëve në Sanxhakun e Pazarit” (R.Halili); “Formula përsëritëse muzikore është bartësja e kumtit mitik në Eposin e Kreshnikëve” (R.Radoja); “Vendi i këngëve të kreshnikëve në regjistrimet zanore” (I.Shkreli); “Ringjallja në epos si trashëgimi biblike (E.Ymeraj); “Eposi shqiptar i kreshnikëve dhe këngët heroike serbe sipâs Letrave franceze” (F.Andrea); “Frazeologjizmat në Eposin e Kreshnikëve” (Z.Gjocaj); “Dragonjtë: nga “Lahuta e Malcis” te Këngët e kreshnikëve” (T.Çobani); “Rreth pranisë së helenizmave në Epos” (L.Dollaj); “Kulti ndaj këngës në “Odisenë” e Homerit dhe në Këngët kreshnike shqiptare” (L. Berisha); “Familja në Eposin e kreshnikëve shqiptarë” (L. Ahmetaj), e kështu me radhë.
Po se mos veç kaq! Përtej mureve të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku janë hapur tejetej dritaret e gjera dhe era valëvit perdet në këtë fundjavë pune shkencore, jeta gjallon e paqtë, e ripërtërirë dhe e shëndetshme. Prishtina dhe mbarë Kosova përjetojnë hovje të plotë, si Shqipëria mëmë: ndërtime ngado, sistemime rrugësh e trotuaresh, godinash institucionale e hotele, zgjerim të qytetit studentor, veshje të plotë urbane të kodrinave të buta përreth. Nja dy fjolla tymnaje lartohen hoizontit nëpër kaltërsi, teksa syri të sheh një vinç që lëviz hijerëndë dhe veshi të ndjen oshëtimën ritmike të një matrapiku. Punohet në këtë mesditë fundjave.
Po edhe shëtitet a pihet një kafe në bar-kafenetë aq shumë të frekuentuara. Ja një grup vajzash të gëzueshme, bukurane shumë, me ato trupa aq të hajthëm. E mes tyre, syri më zë një shtojzovalle nga të Eposit! Gjatoshe, brune me sy të kaltër e leshra të kreluara, derdhur lehtë mbi supe, veshur me fustan borë të bardhë, që i shkon hijshëm përmbi gju më shfaqet kësisoj tërë hir e nur, me aromë njerëzore e dëlirësi engjëllore, shtatëmbëdhjetë a tetëmbëdhjetë vjeçare, jo më shumë. E thjeshtë, gjithë finesë e elegancë, pa kurrfarë shëmtimi apo mode ultra. Jo, kurrsesi nuk dua të kujtoj këtë çast adhurimi të bukurisë së vashësëz kosovare atë tragjedi tronditëse të para një dhjetëvjeçari, me gjithë ato mizori që të ngjethin mishtë (kujto “Gurin e Dhimbjes” në Goranicë, kur një nënë kosovare i vuri flakën vetes përpara mizorive serbe!), atë kohë kur dhunohej një popull i tërë dhe përdhunohej egër femra kosovare dhe kur në Komitet të Ministrave të Këshillit të Europës, unë vetë shfaqja plot emocion foto viktimash kosovare me koka të prera vërvitur hendeqeve.
Jo, sepse ajo e kaluar aq e afërt dhe e paharruar kurrë, kurrsesi s’kthehet më, pas tërë atyre mynxyrave pushtuese shekullore.
Ja tani në darkë, në shëtitoren përkrah Hotel Grandit: shëtitja tradicionale kosovare, që mbase së shpejti do ripërtërihet edhe në Tiranë. Familje të qeta, grupe të rinjsh tek çapiten duke lëpirë akullore a micëruar fara kungulli, të tjerë tek blejnë misra të pjekur, të tjerë më tej, tek rrufisin bareve një kafe a shijojnë një birrë Peje. Diku, përgjatë tezgave me suvenire, një djalosh tek shet gurë ekzotikë nga të Trepçes, pirite përzier me kuarce hialinë e geme, për të cilat flet Bernar Kushner në Kujtimet e tij, tek përmend koleksionin e gurëve mineralë të Presidentit Rugova, që i shpërndante gjithandej aq bujarisht.
Dhe tek jam duke këqyrur gemet, një zë i bukur këngëtareje më përmend, mbush hareshëm krejt shëtitoren. Është bukuroshja Flaka Kelmendi, flakë e ndezur kënga angleze në gojë të saj, që e tëra rrezëllen gaz, hare dhe ritmikë rinore hitesh mbi një podium të ulët, me tre orkestrantë virtuozë. E ndjek koncertin e saj melodioz deri në fund, tek më përcjell këndellje shpirtërore e lumturi për këto ditë pavarësie kosovare dhe herë-herë, hedh një vështrim anash, tek një çift ushtarakësh të KFOR-it hollandez që, pa kapa mbi krye, ndjekin seriozë koncertin, me krahët kryqëzuar mbi gjoks.
Por bukuri e veprimtarisë mbi Eposin, do arrinte kulmin, si vetë qershiza mbi tortë, ditën e tretë, gjatë udhëtimit për në Rugovë, drejt Shtupeqit të Madh. Ja, Bjeshka Qyqavica, Bjeshka e Berishës, fshati Nekoc, fshati Likos, djepi i UÇK-së, Komarani, epiqendra e Kosovës, që rrezaton 80 km në formë rrethi nga Drenica në Gjilan, Pejë, Dukagjin, Mitrovicë, Shkup, Preshevë, etj. Ja 107 katundet e Drenicës, krejt të ripërtërirë, me shtëpi të reja e kopshte të lulëzuara. Ja Drenica heroike e Adem Jasharit, “2000 vjeçare e pavarur, e pushtuar po, por asnjëherë e nënshtruar”, siç na thotë gjithë pasion komandant Bajram Hoti. Ja pra krejt “Lugina e Revoltës”, siç e përshkruan Kushner gjatë vizitës së tij këtu në gusht-shtator 1999, mbushur me përmendore e lapidare dhe ku aq madhërishëm, sot flamuri kombëtar valëvitet ngado, në male e bjeshkë të shkreta, madje dhe majë kupolës së një xhamie në Gllarevë!
Po, po, majë një xhamije! Sepse këtu, çështja kombëtare paraprin gjithçka, “kombi është mbi fenë!” Dhe komandant Hoti kujton me këtë rast, gjithë dhimbje 273 dëshmorët e Drenicës që luftuan me kallash kundër tankeve ruse të Serbisë. Ja më në fund, në mes Klinës e Drenicës, shpella e Azem Galicës, “varri më i thellë në botë, 83 metra, ku pushonin eshtrat e tij”. Sepse vetë kreshniku e pat lënë amanet me gojë të tij: “Më varrosni aty, për me mos më gjet kufomën shqau!” Ja dhe Drini i Bardhë, aq i ngushtë në Klinë, por tek rrjedh me ujë të bollshëm nëpër Dukagjin.
Depërtojmë pas pak nëpër gryka të thella gjithë spërdredha, tek lëmë pas kodrinat bleruar nga misri, kur gruri ka kohë që është korrur. Si koleksionist i gurit ekzotik, ndjeja në vetvete njëfarë keqardhje që nuk munda të prek me duar gurin e shkëmbishtës së Drenicës, gjithë fantazmagori të bukur, tek e këqyrja me sy të etur nga dritarja e autobuzit në tollovitje e sipër. Relievi befas fillon e ashpërohet, kreshtat nuk vonojnë të na befasojnë, epizmi që kemi në kokë na përpin trupin dhe Bistrica shfaqet duke rrokullisur e qetë ujërat e veta nëpër gurë masivë. “Sa shumë ujë duhet të ketë pasur dikur, thotë dikush në autobuz, perderisa lumi ka shkulur nga vendi tërë këta gurë të mëdhenj!”
Sa dallim nga malet e Jugut të Shqipërisë! Këtu gjithçka është në blerim të plotë e të përhershëm, me dushqe, lisa, pisha e panja shekullore! Atje, do male të shkretë, ku pula ha strall, thatësirë dynjaja! Ndjehet epos në këto ujëra të bollshëm e ujëvara, në këto gryka, shpella e kreshta kështjellore. Ndjehet në çdo çap kreshnikëria, fantaskja, mitikja, gjer në fluturimin e kobshëm të kokës së prerë, me krejt elementët e vet mitologjikë.
Ja më në fund Shtupeqi i Madh dhe qendra e bukur turistike buzë Bistricës, ku si lisa të moçëm janë renditur lahutarët dhe grupi folklorik “Rugova” për të na uruar mirëseardhjen me shtrëngim të fortë e të përzemërt të duarve. Madje edhe çikat dinë aq fort të na shtrëngojnë dorën! Fillon lodra, currilon curlja dhe toka dridhet ethshëm nën hapin e rëndë malësor, teksa përkëdhelet aq butë e aq ëmbël nën çap të lehtë të çikës malësore.
Gumëzhin eposi, flakërin valle e shpatave, hopet e hovet malësori njëzet vjeçar, po edhe shtatëdhjetëvjeçari, dhe ne, veç shpejtojmë të fotografojmë a të kalojmë gjithçka në pelikulë të mendjes. Diku një pyetje, diku një buzëqeshje, diku një prekje me duar e lahutës së lashtë, bërë me qime nga bishti i kalit dhe përfunduar me gdhendjen e kokës së dhisë apo portretin e Skënderbeut në kalë. Porse lahutarët, për të cilët kemi ardhur gjer këtu, në kërthizë të Eposit, dinë të na mahnisin! Ulur këmbëkryq, si në kuvendim të lashtë me vetë Perënditë, me veglën homerike para gjoksit të zbuluar nga mitan me gajtane dhe mëngët bosh të varura, zënë e këndojnë me zë të ngjirur e të zvargur, tek ia nisin këngës me vargun “O lum për ty, për Zotin, të lumin”, pasur nga vargu tjetër: “Për m’e pa at’ Kalldushane Mujin”. E kësisoj, rrodhën orët, shpejt e ngadalë, në mahnitje e çmeritje të plotë, mbërthyer ethshëm nga tërë ai epos dhe natyrë malisore.
Dhe kur zumë të mbushnim gjokset me ajrin e pastër të Rugovës, Dr. Robert Elsie, që aq shumë ka bërë për përhapjen e vlerave historike e kulturore shqiptare në botë, duke përkthyer madje edhe eposin e Kreshnikëve në gjuhën angleze, nuk kish si ta përmbante veten pa e bërë krejt natyrshëm një banjë të shpejtë në ujët e Bistricës, apo të nderej e të bënte pak aerobi në fushë të bleruar bjeshkane. Dhe po aq natyrshëm edhe profesor Antonio Bellusci do t’ia merrte këngës arbëreshe në një bar-kafene të Prishtinës, me zërin e tij të kumbueshëm prej bassi mbi shtatëdhjetëvjeçar. Teksa Prof. Kazuhiko Yamamato dhe e shoqja e tij, me përpikmëri e këmbëngulje japoneze, nuk do linin gjë pa fotografuar e filmuar, në detajet më të vogla. E më në fund, Prof. Zymer Neziri, Emin Kabashi e Shaban Sinani, ndihmuar nga Dr. Arbnora Dushi, si organizatorë të shkathët të Konferencës, do të ishin të kudogjindshëm e të palodhur, me këmbënguljen e tyre për të arritur suksesin e mirëpritur dhe të merituar.
Në përfundim, nuk ka si të mos vëmë në dukje edhe një propozim të bërë nga ana jonë në Konferencë, që një shtëtitore e Tiranës, si ajo që po ndërtohet sot përkrah Galerisë së Arteve përpara Bar-Kalasë, të shpalosë me mozaikë kalldrëmorë Eposin e Kreshnikëve, duke zbatuar mbi të artin aplikativ urban dhe duke përjetësuar kështu, artistikisht e estetikisht, një nga monumentet e trashëgimisë sonë kulturore. Fare mirë do mund të përkryej, dhe pa kosto të lartë, kur kemi parasysh se një vepër të tillë mund ta marrin përsipër studentët e Arteve të Bukura të Tiranës e të Prishtinës bashkë. Propozimi u prit me entuziazëm në Konferencë, dhe ne po ia lëmë kohës së afërt që të gjejë mbështetje e zbatim.