Zoti Visha, a mund të na thoni se si ju erdhi propozimi për kandidaturën në KLD, nga ana e PS? Patët kontakt me zotin Rama, apo me përfaqësues të tjerë brenda opozitës?
Së pari, tek mbërritja propozuese e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste, ideues dhe nxitës kam qenë vetë. Gjithçka vendosa ishte fryt i një konsultimi miqësor në një rreth të ngushtë njerëzish dhe i qëllimit tim për të kontribuuar personalisht në role të rëndësishme dhe të nderuara të gjyqësorit në vend. Kam pasur në vijim kontakte jo vetëm me Z. Rama dhe përfaqësues të tjerë të PS, propozues të kandidaturës sime, por edhe takime dhe biseda me figura të tjera politike dhe kuvendore që nuk i përkasin opozitës. Kam kërkuar prej tyre, kryesisht mbështetjen për të mundësuar një garë kuvendore në zgjedhjen e anëtarit të KLD-së, e më tej, pse jo, përzgjedhjen time në këtë vend të nderuar.
Rreth kandidaturës tuaj pati qëndrime dhe deklarime të ndryshme në opinionin publik, media dhe një pjesë të opozitës. Sot, pasi gjithçka ka kaluar, si i përgjigjeni skeptikëve që thonë se ju ishit një gur prove, në një test parlamentar që u bë në kuadrin e zgjedhjeve presidenciale, të verës së ardhshme?
Jam i vetëdijshëm që jo gjithmonë mundesh që me punën tënde (veçanërisht kur kjo punë është drejtësibërja), të kënaqesh dhe fitosh simpati absolute në shoqëri apo përfaqësues të saj të lartë politikë. Kështu për mua është normale edhe kundërshtimi i pjesshëm i forcës politike që më propozoi. Madje këtë edhe synova të arrij, një përkrahje politike të gjerë, në konkurrim me kundërshtim po pluralist! Për fat të keq, ajo çka duhej të ishte një përzgjedhje individuale e sovranëve të këtij vendi, e pandikuar nga përkatësia politike e gjithsecilit/es, u shndërrua në një votë/antivotë të disiplinuar politikisht për të mos thënë të imponuar syresh. E parë kështu siç ngjau, jam dakord me pjesën e pyetjes suaj që e vlerëson këtë votim si një provë apo gur të saj precedentbërës mbi përzgjedhje edhe më të rëndësishme se një anëtar i KLD-së, por nuk e lidh skepticizmin ndaj meje me konsiderimin përkatës.
Si i komentoni pretendimet e maxhorancës, e cila tha se ju nuk përmbushnit kriterin e meritës, në karrierën tuaj profesionale?
Në lidhje me këtë pyetje, duke më lejuar të shmang për pak modestinë që duhet të jetë virtyt i çdo njeriu, çmoj që vlerësime negative ndaj meje të këtij lloji, përbëjnë në rastin më të mirë, qëndrime sipërfaqësore të ndikuara pastërtisht nga interesa politike.
Si e gjykoni sot, nga pozita e juristit, mënyrën sesi u zhvillua seanca parlamentare për votimin e anëtarit të KLD? Ju u shprehët se nuk humbët, pasi nuk u votuat. A mund ta zhvilloni më tej këtë koncept?
Jam shprehur vërtetë kështu, pasi çmoj se mënyra se si u realizuar procesi nuk siguroi votimin e ligjshëm, të lirë dhe të drejtë mbi të dy kandidaturat, mua përfshirë. Një votim jo i ligjshëm, jo i lirë dhe jo i drejtë, për më tepër i interpretuar si një fitore ekzistenciale e mazhorancës së sotme politike, kontribuon vetëm në deformimin politik të institucioneve që prodhon, KLD-së në këtë rast. Rritja e autoritetit dhe e besimit publik në punën e institucioneve të drejtësisë, përbën domosdoshmëri absolute të mbarëvajtjes sonë shoqërore. Politika duhet ta kuptojë që çdo përzgjedhje 50% + 1, aq më tepër njëngjyrëshe, i lë po kaq të mangët dhe të kontestueshëm vetë ato.
Si e komentoni qëndrimin e zotit Mediu gjatë votimit? Po komentin e ministrit tjetër, Nasip Naço, i cili tha se po të votohej me kuti, do t’jua jepte ju votën? Përse, sipas jush, i njëjti person, voton në dy mënyra, varësisht procedurës së votimit?
Lidhur me pyetjen, çmoj që të dy emrat e nderuar që përmendni, veçanërisht z. Naço që deklaroi publikisht dhe hapur votën e tij të dëshiruar, nuk kanë qenë të lirë të përzgjedhin kandidaturën e tyre. Nëse kjo ka ndodhur për shkaqe procedurale apo të themelit, pak rëndësi ka për atë që është elementi më i rëndësishëm i munguar, vullneti i lirë votues.
A e prisnit që të krijonit një fabul kaq të madhe politike, me kandidimin tuaj?
Nuk prisja një konflikt kaq të madh politik, por nuk më vjen aspak keq që u krijua. Nuk shoh asnjë pasojë negative, si personale, ashtu edhe shoqërore. Përkundrazi, vlerësoj se shërben si dëshmi e emancipimit tonë social-politik, si dhe si një fletë lakmusi e aciditetit të jashtëzakonshëm politik të vendit.
Nëse do t’ju duhej të jepnit një mendim për drejtësinë e sotme, cili do të ishte komenti juaj? Cilat janë problemet më të mëdha të drejtësisë shqiptare?
Drejtësia shqiptare, veçanërisht ajo penale që pretendoj të njoh më shumë, është një mekanizëm që funksionon pjesshëm dhe keq. Kjo i dedikohet para se gjithash, gjendjes njerëzore që vepron mbi këtë mekanizëm, kuadrit ligjor rregullues, si dhe infrastrukturës në shërbim. Veçanërisht tek njerëzit e, konkretisht, Gjyqtarët, Prokurorët dhe Avokatët, mungon investimi i duhur kulturor, përkrahja e përshtatshme financiare, siguria e karrierës dhe zhvillimi i saj mbi bazën e përvojës dhe talentit. Kjo bën që njerëzit të jenë pak të motivuar për punë të shëndetshme, të zhveshur nga ambiciet pozitive dhe idealet profesionale, si dhe vulnerabël ndaj çdo ndryshimi moti politik, veçanërisht në gjeopolitikën tonë, që përcaktohet nga Godina Presidenciale, Zyra e Kryeministrit, ajo e Prokurorit të Përgjithshëm apo e Ministrit të Drejtësisë.