Mehdi Malkaj ushtari i Perandorise se absurdit te viteve 97-98

Mehdi Malkaj, ushtari i Perandorise se absurdit te viteve '97-'98

Dramaturgu Vangjel Kozma “zbulon” një teori konspiracioni, që shpjegon vonesën e vënies në skenë të monodramës “Marr guximin” interpretuar nga Mehdi Malkaj

Aktori Mehdi Malkaj rikthen në skenën e Teatrit Kombëtar dramën shqipe. “Marr guximin” është monodrama e shkruar nga Vangjel Kozma, që vjen premierë absolute në TK. Monodrama – parabolë “ Marr guximin…” është një sintezë e eseve satirike të librit “Shënime pornolitike”, të cilin autori e ka botuar në vitin 1999, po që për arsye të panjohura nuk është lejuar të qarkullojë dhe vjen njëherësh me ribotimin e librit. Libri vjen si produkt i mënyrës sesi i ka parë autori ngjarjet e vitit ’97-’98.

 

Filli që lidh etydet është një personazh anonim, i cili ngrihet për të ndezur një llambë që fiket pak para fillimit të shfaqjes dhe befas e sheh veten për herë të parë në një skenë-podium, nga ku ka mundësinë të thotë për publikun ato që e kanë munduar në jetën e tij të gjatë në këtë vend paradoksesh dhe ku vazhdimisht ka qenë, siç e pohon vetë, “një ushtar i thjeshtë i Perandorisë së absurdit”. Grafiku i gjërave që thotë dhe mllefeve që nxjerr, vjen duke u rritur bashkë me rritjen e vetëdijes së tij shoqërore dhe përfundon në një revolte të dhimbshme, pasi më në fund ka njohur dritën e fjalës së lirë dhe tingullin e zërit të tij, të cilin e kishte harruar prej kohësh. Lënia e personazhit në konturet e anonimatit dhe satira gati e përvuajtur, krijojnë harkun e parabolës dramatike që shoqëron shfaqjen nga fillimi në fund. Gent Bejko, producent, u shpreh se kjo monodramë e shkruar nga Vangjel Kozma dhe interpretuar nga aktori Mehdi Malkaj, ka kohë që kërkon dritën e skenës dhe më në fund u krijua mundësia nga mbështetja e Teatrit Kombëtar.

Pse libri i shkruar në ‘97-‘98 nuk u lejua të qarkullonte?

Dramaturgu Vangjel Kozma ka një teori “konspiracioni” që shpjegon vonesën e daljes në dritë të veprës së tij. Në fakt kjo teori përmendej edhe në deklaratën për shtyp të TK, që lajmëronte konferencën për shtyp të realizuesve të monodramës një ditë para premierës. Ja si e ‘zbërthen’ teorinë e tij të konspiracionit dramaturgu Kozma, i yshtur nga kureshtja e mediave. “Vepra është një kolazh i eseve të shkruara para 15 vitesh. I kam publikuar, por ka patur një moment krejt të ndryshëm nga fati i librave dhe veprave të botuara në demokraci. Këto ese i kam botuar në janar 1999, në një libër të titulluar “Shënime Pornolitike”. Ky libër për arsye të panjohura nuk u lejua të qarkullojë pas shtypit. Kam shpëtuar gjithsej 3-4 kopje të librit. Këto arsye të panjohura bëhen të njohura pas leximit të librit. Për fat, bashkë me monodramën arrita të kombinoj daljen e librit “Shënime Pornolitike, ku do gjenden arsyet pse u ndalua libri. Nuk dua t’i jap kontekst politik kësaj ngjarjeje sepse mund të ketë qenë dhe thjesht rastësi. Nuk e di pse ky libër nuk u lejua.

 

Di që u ndalua dhe nuk e lejuan të qarkullojë. Por jam i bindur se pasi të lexohet, secili mund të japë versionin e tij se pse u ndalua ky libër. Normalisht, aty janë thënë gjërat ashtu siç unë i mendoja, në një kohë shumë të vështirë për Shqipërinë. Libri përfshin periudhën e fundvitit ’97-‘98 dhe janar të ‘99-ës. Pra është një ditar sipas mënyrës sime të të parit të ngjarjeve që ndodhën në atë periudhë të vështirë për shqiptarët. Sikur ta kisha shkruar sot atë libër nuk do t’i lëvizja asnjë presje”, – tha ai. Monodrama nuk ka një subjekt të caktuar, personazhit nuk i ndodh gjë në të tashmen e tij. Ai risjell në kujtesë ato që i kanë ndodhur më parë, jo vetëm atij, por pjesës dërrmuese të shqiptarëve. “Nuk është monodramë tipike, është një parabolë. Një përmbledhje e disa eseve satirike të lidhura me fillin e një personazhi që ngrihet nga skena.

 

Personazhi mund të jetë një njeri krejt i zakonshëm, spektatori, njëri prej nesh, të cilit për herë të parë i jepet rasti të ngjitet në skenë e të përballet me të tjerët. Në fillim ka ndrojtje dhe më pas thotë se kjo është mundësia për të thënë për herë të parë atë që ka vuajtur, të vërtetën e tij. Gjithë rrëfimi i tij është shumë dramatik”, – shton dramaturgu, i cili që në momentin e parë ka menduar pikërisht aktorin Mehdi Malkaj si personazhin e monodramës së tij dhe për shkak se me të e lidhin mendime dhe qëndrime të përbashkëta për shumë nga çështjet që trajtohen në këtë vepër. Për aktorin, “Marr guximin” është një vepër e bukur, emocionuese, me të vërteta të mëdha. “Ju siguroj se do ta gjejnë veten aty, unë e kam gjetur se ku bëj pjesë tek kjo vepër. Kështu do gjeni të gjithë veten në këtë pjesë. Kjo vepër ka qarkulluar si hije nëpër qiell, si re, gri, por nuk ka shkarkuar shi. Shpresojmë që ajo do të krijojë ndjesinë e një shiu ku do të lagen të gjithë ata që do të hyjnë këtu dhe do thahen në diell duke menduar pse u lagën! Është një vepër që fillon si pa dashje dhe ka një ngarkesë emocionale të fortë. Më rri mirë kjo vepër, si kostum. Një vepër tmerrësisht e bukur, e tmerrshme”, – thotë aktori Mehdi Malkaj, i cili është dhe regjisor i veprës. “Regjia është fjalë e madhe, unë nuk hyj tek këta dhe nuk marr përsipër të bëj një çudi. Regjisorët janë tjetër gjë. Kam marrë përsipër të sjell në skenë ngarkesën emocionale të autorit, bashkë me timen për publikun. Besoj se kjo vepër do ta godasë publikun”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama