Studimi vëren dallime të stërmëdha në interesat e popujve të ndryshëm. Anglishtfolësit këtë vit kanë lexuar artikullin e “Wikipedia”-s për “Facebook” më shumë se çdo gjë tjetër, ndërsa japonezët kanë lexuar artikullin për një aktore porno.
Hua Shan, mali kinez që konsiderohet si shtegu më i rrezikshëm në botë për ecje në mal, ishte në krye të leximeve të artikujve në gjuhën holandeze.
Renditjet e kërkimit zakonisht tregojnë edhe interesat realë të popullatës. Në gjuhën perse, artikujt më të lexuar ishin ato për Iranin dhe për Teheranin, por edhe artikuj mbi seksin, rrethprerjen femërore dhe homoseksualitetin ishin në listën e dhjetë faqeve më të lexuara të republikës islamike. Në gjuhën arabe, artikulli kryesor për Egjiptin zuri vendin e parë pasuar nga ai për Mehmet Ali Pashën. Ai ishte komandanti i ushtrisë osmane, i cili u bë sundimtar i Egjiptit më 1805 dhe nga shumë konsiderohet si “themeluesi” i shtetit modern.
Shqiptarët kanë qeverisur në emër të Perandorisë Osmane pjesë të mëdha të Afrikës së Veriut, përfshirë Egjiptin, Libinë e sotme, Sirinë e rajone të tjera, por Mehmet Ali Pasha konsiderohet veçmas të tjerëve, për shkak se modernizoi ekonominë dhe ndërtoi një flotë detare të konsiderueshme. Ai e filloi karrierën si një bylykbash, (taksambledhës) dhe e fuqizoi shtetin e Egjiptit përmes krijimit të një monopoli ekonomik, ku fillimisht vendosi taksa qëllimisht të larta, gjë që solli konfiskimin e tokës private dhe detyrimin e fshatarëve të shisnin prodhimet e veta te shteti.
Kjo i dha mundësi shtetit të rishesë prodhimet e fshatarëve në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar, duke krijuar një buxhet të konsiderueshëm që shërbeu për reformimin e ushtrisë dhe ndërtimin e infrastrukturës. Brenda tri dekadash, ai arriti të ndërtojë një industri të rëndësishme në Egjipt dhe u kthye në problem për Britaninë e Madhe, e cila krijoi një aleancë ndërkombëtare dhe e shpartalloi flotën egjiptiane gjatë luftës për pavarësinë e Greqisë. Ai njihet edhe si personi që dërgoi shumë egjiptianë për shkollë në Europë, gjë që i dha themelin një lëvizjeje letrare në këtë vend.
Bota arabe është aktualisht në kërkim të një shembulli për të ndjekur pas rrëzimit të diktaturave laike në shumë vende, ku alternativat përfshijnë krijimin e shteteve islamike kundrejt krijimit të demokracive të bazuara tek ekonomia e tregut.