Mein Kampf e verteta e nje botimi dhe rivaliteti i pandershem

'Mein Kampf', e verteta e nje botimi dhe rivaliteti i pandershem
Ridalja e një libri në treg si “Lufta ime” nga një tjetër shtëpi botuese (libër i botuar para dy javësh nga shtëpia botuese “Belina H”.) nuk do të linte asnjë gjurmë tek unë, pavarësisht faktit se botuesit nuk duhet të përplasen njëri me tjetrin. Madje, po t’i shkrepë mendja edhe ndonjë botuesi të tretë, përsëri nuk do të shqetësohesha, sepse jam dhe mbetem i parimit (pavarësisht kakofonisë dhe shijes së hidhur që transmetohet tek lexuesi i tkurrur shqiptar) se në një vend të lirë e demokratik gjithkush ka të drejtë të bëhet botues, apo të botojë çdo autor që mendon se duhet të sjellë para lexuesit të vendit të tij. E rëndësishme mbetet që botimi i servirur për lexuesin të jetë sa më cilësor në çdo drejtim (përkthim sa më i mirë, njohje e gjuhës shqipe, përkthim nga origjinali dhe paraqitje të lartë grafike).

Nisur nga këto principe, edhe “Belina H.” u mundua t’i ofrojë lexuesit librin “Lufta ime” në një përkthim perfekt nga gjuha origjinale dhe prurje kualitative në shqip (fakt i komentuar nga përkthyes seriozë e të njohur në disa debate televizive). Siç e kemi theksuar edhe më parë, qëllimi i stafit të shtëpisë sonë botuese ka qenë që të sjellim në shqip traktatin politik të diktatorit dhe monstrës Adolf Hitler (Lufta ime), një botim të pajisur me parathënie të redaksisë dhe shënime kritike, jo për të justifikuar librin, por për ta komentuar dhe kuptuar lajthitjen e stërmadhe të njeriut që solli katastrofën botërore.

Por pavarësisht nga ajo që thashë më lart, – këto u takojnë debateve që janë bërë në shtyp dhe në emisionet televizive, – zanafilla e këtij shkrimi merr ngacmim nga hedhja në treg e po këtij libri nga një tjetër shtëpi botuese, që po përpiqet të përbaltë pa sukses botimin e “Belina H”. Pra, ngacmimi për të shkruar diçka erdhi nga fakti aspak i këndshëm dhe do thosha edhe i pamoralshëm se i njëjti libër i botuar nga një shtëpi tjetër botuese u pasua nga një sulm i paprecedent i pronarit të saj ndaj botimit të shtëpisë botuese “Belina H”. Në dalje televizive, në telefonata drejtuar emisioneve televizive apo në disa shkrime gazete, botuesi tjetër për të “lartësuar” botimin e tij, arrin deri në gjykime të marra, duke thënë se botimi i “Belina H” “është thjesht një botim me pjesë jo të plota, kryesisht nga volumi I”. Ndërkohë që ai paska bërë mrekullinë etj. etj.

Por lexuesi ynë është i kultivuar dhe mendjehollë. Ai që në fillim të librit, pas parathënies së shtëpisë botuese dhe parathënies së autorit (më ekzaktësisht në faqen 17 të tij), ka vëzhguar me kujdes se aty shkruhet vëllimi I, pra logjika e thjeshtë thotë se ky vëllim do të ndiqet nga një tjetër. Ky volum ka 12 kapituj. Lexuesit fare lehtë mund të kontrollojnë në internet (varianti i “Mein Kampf” gjendet lehtësisht në gjuhën gjermane, madje mund ta verifikojnë edhe te Wikipedia) dhe do të konstatojnë se asnjë kapitull nuk i mungon vëllimit të Parë të botuar nga ne. Pasi të kalojë një farë kohe, 3-4 muaj, do të botoj dhe vëllimin e dytë, pasi i pari është voluminoz dhe do ca kohë të lexohet. Pa dashur të bëj reklamë, dua të siguroj lexuesin se botimi ynë vjen nga gjuha origjinale.

Në të kundërt (nuk mund të rri pa e përmendur), botimi tjetër është përkthyer nga një gjuhë sllave. Lexuesi do ta vërë re lehtësisht që në faqet 13, 14. Madje, në kopertinë është vënë fraza e botimit rusisht: “Mos e merrni këtë libër si propagandë të nazizmit. Ky libër është historia. Historia jonë dhe juaja, historia botërore.” Nuk është ky një mashtrim i lexuesit?! Mos ndoshta kujton se kështu do ta kuptojnë më mirë? Unë s’kam ndër mend të merrem me arsyet se pse kolegu im ripruri të njëjtin libër në treg, kur unë i kam shpjeguar plotësisht arsyet pse mora iniciativën për të prurë i pari tek lexuesi shqiptar një tirazh modest të këtij libri. Pa dashur të paragjykoj, por duke parë suksesin që pati botimi i “Belina.H”, botuesi tjetër doli librari më librari, për të folur keq dhe për t’u mbushur mendjen librarëve se libri i tij qenka më i miri, dhe më i ploti. Qëllimi i tij i justifikon plotësisht mjetet… E them me bindje se një veprim të tillë jo vetëm unë, por edhe shumë kolegë të tjerë nuk do ta bënin kurrë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama