Crown Agents ka nisur të kontrollojë doganat shqiptare që nga muaji korrik, muaj në të cilin Rama ende nuk kishte marrë mandatin e Kryeministrit të vendit. Konstatimi kësaj here vjen nga ish-drejtori i Antikontrabandës, Denion Meidani, i cili në një intervistë televizive në “Zonë e Lirë” ka dhënë edhe hollësi të takimeve të tij me përfaqësues të Crown Agents në Tiranë. Meidani ka konfirmuar kështu lajmin e dhënë tre javë më parë nga gazeta “RD”, e cila paralajmëroi marrëveshjen e fshehtë të Ramës me këtë kompani në menaxhimin e sistemit doganor.
Lidhja e kontratës është bërë nga Rama në rrugë të fshehta dhe antiligjore dy muaj para se ai të vinte pushtet. Përtej mungesës së procedurave ligjore, shkeljes së ligjit për prokurimet, njoftim, shpallje tenderi, paraqitje ofertash etj., dihet vetëm se marrëveshja kontraktuale po shoqërohet me një mungesë transparence karakteristike për vendet diktatoriale.
Mbrëmjen e një nate korriku, njerëz të autorizuar nga Rama, mes të cilëve edhe Shkëlqim Cani, sot ministër Financash, kanë darkuar me përfaqësues të kompanisë britanike Crown Agent dhe është bërë e ditur edhe për ish-drejtorin e Antikontrabandës që: Tatimet dhe doganat, dy institucionet kyçe të financave të vendit kalojnë në duart e kompanisë britanike.
Drejtori i (pezulluar) i Antikontrabandës në Drejtorinë e Doganave, Denion Meidani, i cili ka qenë i pranishëm në darkën me përfaqësuesit e “Crown Agents” pohon se, gjatë bisedës palët kishin rënë dakord që me ardhjen e PS në pushtet, dy muaj më pas, kjo kompani do të merrte nën administrimin e saj tatimet dhe doganat.
Kështu, Rama ka përzgjedhur në kundërshtim me çdo procedurë ligjore kompaninë “Crown Agent” për menaxhimin e doganave dhe tatimeve. Nga Ministria e Financave heshtet dhe për asnjë moment nuk pranohet të ketë nisur një procedurë me këtë kompani, nuk bëhet e ditur që të jetë zhvilluar ndonjë garë publike për përzgjedhjen e saj, ndërkohë që në terr informacioni mbetet dhe fakti se sa dhe si do të paguhen ekspertët e Crown Agents për marrjen e dy institucioneve kryesore financiare të vendit nën administrim.
Shifra për kontraktimin e tyre parashikohet të jetë marramendëse. Me marrjen në dorë të tatimeve dhe doganave, kompania britanike “Crown Agents” merr një sërë kompetencash, duke shpërfilluar kështu rolin e dy drejtueseve që Rama emëroi pak javë më parë, Elisa Spiropalin në krye të Doganave dhe Briseida Shehaj në krye të Tatime.
Të dy emërimet e bëra nga Rama nuk përmbushnin kriteret ligjore që duhet të ketë një drejtues i një institucioni të tillë, as arsimin dhe as eksperiencën e punës në vite. Spiropali vjen me një eksperiencë si drejtuese OJF-je, Lëvizjes “MJAFT” e më pas Kryetare e FRESH, ndërsa Shehaj vjen me një eksperiencë të varfër pune në sektorin e bankave të nivelit të dytë. Të dyja të papërshtatshme për këto poste të rëndësishme forcojnë akoma edhe më shumë idenë se, Rama i ka ndarë mirë llogaritë me kompaninë “Crown Agents”, duke mos u lënë asnjë kompetencë dy drejtoreshave në çështjet e rëndësishme që institucionet që ato “drejtojnë” kanë nën menaxhim.
Duke lënë mënjanë rolin artificial të Spiropalit dhe Shehajt, Kompania në fjalë ka marrë nga Rama ekskluzivitetin e plotë për të bërë çdo lloj emërimi në postet kyçe dhe sensitive të tatimeve dhe doganave. Tashmë, kompania ka nisur rekrutimin e doganierëve edhe nga vende të tjera të rajonit për t’u punësuar në Shqipëri.
Në darkë edhe dy deputetë që u bënë më pas ministra
I pranishëm në darkën mes përfaqësuesve të Ramës dhe kompanisë Crown Agents, Denion Meidani, aktualisht drejtor i pezulluar i Antikontrabandës tek Doganat tregon, se si atë ditë ishte vendosur kontraktimi i kompanisë. Madje, ai deklaron se kishte pranuar që të largohej nga posti i drejtorit në një strukturë të SHKB për tek Drejtoria e Antikontrabandës tek Doganat vetëm për faktin se, kjo e fundit do të merrej nën administrim nga kompania “Crown Agents”.
-Diku në 2 shtator filluat punë tek Drejtoria e Doganave. Çfarë ndodhi?
Në 2 shtator fitova konkursin. Më 9 shtator fillova punën. Pra, një muaj para se të pezullohesha. Se si fillova punën është shumë e thjeshtë. Isha i ftuar në një darkë, në muajin korrik. Falë marrëdhënieve që kisha me struktura të specializuara të huaja. Duke qenë drejtor i një shërbimi inteligjence siç ishte SHKB dhe një miku im, diplomat i huaj më ftoi tek kjo darkë, ku ishin prezentë edhe dy deputetë të Partisë Socialiste që sot janë ministra. Aty ishte ftuar edhe ajo kompani që Rama e ka reklamuar si kompania që do të luftojë korrupsionin në dogana dhe tatime që quhet Crown Agents.
-Crown Agents çdomethënë?
Agjentët e kurorës. Ka qenë një agjenci shtetërore, por tani është agjenci private, angleze. Ka qenë agjenci shumë e fortë që mbulonte shumë, sepse Anglia ka qenë Commonwealth dhe këta merreshin me gjithë doganat. Vazhdova bisedimet edhe pas asaj darke. Pas rekomandimit që m’u bë në atë darkë edhe nga deputetët.
-Ky muhabet nga gushti apo jo?
Jo, korrik. Dhe në gusht vazhdova punën, duke punuar edhe me ministrin që sot është ministër Financash, me zotin Shkëlqim Cani dhe miratimin e tyre hyra në konkurs për vendin e punës tek doganat, dhe të them të drejtën, kam pasur mundësi edhe më përpara në dogana që të aplikoja dhe të futesha. U futa vetëm, duke marrë parasysh këtë projekt, të Crown Agents me një kompani të huaj prestigjioze që garantonte standarde. Pra, u futa në konkurs me miratimin e ministrit të Financave dhe të personave të tjerë që ishin ministra në atë darkë. Normalisht, ishte një vend për Kategorinë A, merren parasysh shkollimi dhe eksperienca që t’i ke pasur dhe ia kam thënë dhe drejtoreshës Spiropali, nëse t’i ke dyshime mund të vësh dosjen tënde dhe dosjen e kujdo tjetër në doganë dhe nëse e ka më të mirë për vendin e punës ku unë jam, jam gati të jap dorëheqjen. Ndërkohë, dje mora vesh që në vendin tim është emëruar dikush tjetër në një kohë, që unë jam i pezulluar dhe jo i shkarkuar.
Gjigantët e “JP Morgan” Bankë që këshillohet nga Toni Bler, pritet të gjobiten me shumën rekord prej 13 miliardë dollarësh, për përgjegjësinë e bankës në spekulimin me huatë që tronditi rëndë sistemin bankar amerikan në vitin 2007.
Marrëveshja për të paguar këtë gjobë u raportua nga “BBC” si e arritur pas bisedimeve midis drejtuesve të kompanisë dhe zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Shitja e garancive bankare të mbivlerësuara prej “JP Morgan” prodhoi një sistem spekulativ që dëmtoi rëndë tregun dhe nisi krizën e kredive në vitin 2008-09.
Një muaj më parë, “JP Morgan” u gjobit me një miliardë dollarë nga një gjykatë në Londër, pasi u provuan transaksionet me rrezikshmëri të lartë të ndërmarrë nga banka, nëpërmjet shpenzimit të shumave kolosale në bursë dhe tregjet financiare.