MekKein nuk eshte torturuar ne burg

MekKein nuk është torturuar në burg
Mbi televizorin me ngjyra, e vetmja gjë më pak se 40-vjeçare në atë shtëpi, është vendosur kulla Eiffel. Është hera e parë që Tien Tran e tregon këtë histori. "Emri im është Nguyen Tien Tran, kam lindur më 18 maj të vitit 1933 dhe kam shërbyer për 40 vjet në ushtrinë vietnameze. Më 26 tetor të vitit 1967 mora nën kujdestari kapitenin e marinës amerikane Xhon Sidnej MekKejn, i kapur në liqenin Truch Bach, një kilometër në veri që prej këtej. Sigurisht nuk ishte i pari, por nuk kisha parë kurrë një njeri të katandisur kaq keq. Krahët i kishte të thyer, ndërsa gjurin e djathtë copa. I dhamë për të ngrënë dhe për të pirë: volli gjithçka. Gjithë natën ndenji në gjendje kllapie.

 Mëngjesin tjetër e çuam në Spitalin 108, atë të ushtarakëve, ku u operua dhe qëndroi për një muaj. Nuk e humbisja kurrë nga shikimi, saqë nuk kthehesha as në shtëpi dhe flija në dhomën përkrah tij. Kisha frikë se ndonjë mjek, ose infermiere mund t‘i bënte keq. Nuk donim që të vdiste: e kuptuam menjëherë që ishte djali dhe nipi i dy admiralëve të mëdhenj amerikanë. Isha përgjegjës për këtë rast: duhej ta vëzhgoja nga afër dhe sapo të ishte e mundur ta merrja në pyetje, detyrë që e bëra për pesë vjet e gjysmë". Që nga fillimi, dy versionet e historisë së treguar ndryshojnë nga njëri-tjetri. Në autobiografinë e tij MekKejn shkruan se mbeti i braktisur për katër ditë, se vietnamezët për ta kuruar donin të dinin patjetër "llojin e avionit, objektivat e ardhshme dhe detaje të çdo lloji".

Kur i çojmë Nguyen Tien Tran-it autobiografinë e ish-të burgosurit të tij, "Faith of my fathers", plaku vuri re menjëherë se në fund ishte shkruar vetëm emri Xhon, ndërsa, sipas tij, dikur ai këmbëngulte se e quanin Xhon Sidnei MekKejn. Nguyen Tien Tran kërkon një ditë të lirë për të lexuar të gjithë kapitujt që MekKejn u kushton torturave të Hanoit. Kaq i mjafton për të replikuar: "Nuk janë të vërteta, gjërat nuk kanë shkuar kështu. Nuk e kemi torturuar kurrë Xhon, përkundrazi i shpëtuam jetën duke e kuruar me ilaçe të shtrenjta, që në atë kohë mungonin për të burgosurit e tjerë. Avionin e kishim sulmuar, qëllimet e tij diheshin, ndërsa emri ishte shkruar sipër dhe dallohej qartë. Nëse nuk do ta kishim kuruar menjëherë do të kishte vdekur. Nuk është e vërtetë as që tentoi të vriste veten: nuk dukej nga ata persona që donte të vdiste, kërkonte ushqim dhe i pinte me rregull të gjitha ilaçet. Mbi të gjitha, ishte një tip ambicioz, që priste shumë nga jeta. Nuk është e vërtetë që erdhi gjenerali Giap për ta vizituar.

 Giap për ne ishte dhe është një mit, fitimtari i Dien Bien Phu. Nëse do të kishte ardhur do të më kujtohej. Nuk është e vërtetë as që MekKejn zgjodhi vijën e sulmit të skuadrës së ‘Packers‘ për të mos thënë emrat e shokëve: ky është një informacion që nuk na duhej dhe nuk e pyetëm kurrë. Nuk është e vërtetë që për të na mashtruar fliste për misionet në Antarktidë dhe vizatonte aeroplanmbajtëse me pishina në bord. MekKejn e dinte që nuk ishim budallenj dhe nuk na pëlqente të talleshim. Seancat e pyetjeve ishin shumë serioze, ashtu siç ishte edhe ai vetë. Ajo që na interesonte ishte që ta bindnim që lufta amerikane ishte e gabuar dhe kriminale. Dhe në fund të rrëfimit e tregoi. E kishte kuptuar gjendjen dhe e kishte pranuar. Edhe pse gjatë seancave pyetësore nuk e pranoi kurrë se e kishte gabim. Ai thoshte se kishte bërë një luftë të pastër nga qielli dhe e ka mbrojtur deri në fund tezën se lufta për të ishte e drejtë". Fjalët e gardianit nuk do të thonë se MekKejn e ka dramatizuar tregimin për kohën e qëndrimit në burg.

Ka shumë mundësi që të jetë Nguyen Tien Tran ai që i "minimizon" gjërat (edhe pse versioni përputhet plotësisht me atë të drejtorit të burgut Tran Trong Duyet, 75 vjeç, që shkuam e takuam në shtëpinë e tij në Hai Phong). Me siguri, vietnamezët e donin MekKejnin të gjallë për t‘i shërbyer, por ai nuk ua lejoi këtë gjë. Më 4 korrik të vitit 1968, babait të tij admiral i ishte besuar komanda e luftës, përkrah gjeneralit Westomeland. I biri mund të ishte një armë e jashtëzakonshme propagande, ndaj të cilit mund të ushtroje një presion të caktuar. Mes të burgosurit dhe rojës së tij kishte nisur një lloj dueli që nuk përfundoi kurrë. "E pranoj se kushtet ishin të vështira, edhe pse jo çnjerëzore. MekKejn ndenji në izolim shumë vjet, por nuk është faji im që ai kërkonte me çdo mënyrë të komunikonte. Atëherë e çuam në një qeli tjetër të veçuar nga të tjerat. Në fillim duhej të evitonim me çdo kusht kontaktet mes të burgosurve, për të penguar që të binin dakord që të bashkëpunonin. Pasi doli nga spitali, MekKejn u çua në ‘Cinemateca‘, burgu që amerikanët e quanin Olantation. Në qeli ishte një krevat, një kuvertë, një pasqyrë. Drita ishte e ndezur 24 orë, por nuk ishte ndonjë neon i bezdisshëm.

Asnjë dritare dhe gjithmonë një roje që qëndronte jashtë", tregon Nguyen Tien Tran. MekKejn ka treguar se ka vrarë rreth 400 mushkonja në një ditë. "Në fakt, në Vietnam ka shumë mushkonja. Dita niste në pesë e gjysmë me gongun që tregonte se ishte koha për të ngrënë mëngjesin. Në orën 11.00 ishte dreka, supë me kungull dhe gjalpë, gjithmonë pasi binte gongu. Në pesë të pasdites ishte darka, një pjatë oriz me mish. Administrata e burgut kishte llogaritur që çdo vakt i të burgosurve i kushtonte më dong (monedha vendase) e 70 të, pak më shumë se dyfishi i vaktit ushqimor të një rojeje. Mendonim se amerikanët ishin mësuar të hanin rëndë. Në muajt e parë nuk lejoheshin pakot ose letrat, madje as gazetat.

Nuk mund të vinin lajme nga jashtë, as zgjedhja e Niksonit, apo vajtja në Hënë, përveç atyre që jepnim ne përmes altoparlantëve: fitoret tona dhe ngjarjet e tjera në vend. Shpërndanim librat e Ho Chi Min të përkthyer në anglisht, ku ishin shkrimet e amerikanëve kundër luftës. Çdo i burgosur kishte të drejtë për të pirë tri cigare në ditë, por kur e pamë që përdornin letrat e saj për të shkëmbyer mesazhe me njëri-tjetrin nuk u dhamë më. "E merrja në pyetje MeKejnin dy herë në javë, gjatë gjithë kohës që ndenji aty, në një dhomë të posaçme, shumë të madhe me derë të blinduar dhe muret e trashë për të mos dëgjuar bisedat. Ai ishte gjithmonë pa pranga. Flisnim në anglisht, gjuhë që e kam mësuar në universitet.

 Një herë më tha se tanimë, duke parë plagët nuk kishte më ndërmend të fluturonte, se karriera e tij ushtarake kishte përfunduar, por kishte kohë për të nisur një tjetër: atë politike. Komunizmi i ngjallte frikën, ndërsa unë replikoja duke i thënë se në Amerikë nuk ishte populli që vendoste, por partitë. Dukej sheshit që Xhonson nuk i pëlqente, megjithatë një njeri si ai nuk mund ta kritikonte kurrë Presidentin e tij. E dija që kishte grua dhe një fëmijë të vogël, por për ta nuk fliste kurrë. Ndonjëherë flisnim për Amerikën. MekKejn më jepte leksione dhe unë i tregoja se e njihja paksa vendin e tij. Diskutonim për Floridën dhe shumë vende të tjera. Për femra nuk flisnim, nuk është në karakterin vietnamez një gjë e tillë, dhe ai vetëm një herë më tregoi për brazilianet, më tha se ishin femrat më të bukura në botë. Fiksimi i tij ishte i ati. Ishte krenar dhe kishte frikë se nuk ishte në lartësinë e duhur". Nguyen Tien Tran na çon në atë çka ngelet nga "Hanoi Hilton", ku MekKejn erdhi nga "Plantation" në dhjetorin e vitit 1969. Rojet që tani ruajnë një muze, përkulen para tij, madje disa i kërkojnë edhe autografe. "Qelia e MekKejnit nuk është më, madje as zyra ime që ishte në katin sipërm. Ja fotografitë e miqve të tij: Bob Craner, Everett Alvarez, i pari që u rrëzua. Ky është James Kasler, veteran i luftës së Koresë.

 Ishte një kockë e fortë". Po MekKejn? "Ishte më pak rebel, më i ëmbël se sa tregon që është. Nuk është e vërtetë që na fyente, tregohej i kujdesshëm që të sillej mirë. Nuk është e vërtetë as që duke bërtitur na ndaloi që të filmonim një meshë për Krishtlindjet në burg". Po MekKejn tregon për Krishtlindje të tjera, ku një roje burgu bëri një kryq në baltën e kopshtit për t‘i dhënë mundësinë që të lutej. "Kjo është krejtësisht e pamundur. Njerëzit e mi ishin të gjithë komunistë e ateistë dhe ishin pjesë e luftës nga e cila varej mbijetesa e vendit. Megjithatë, ai ka të drejtë kur thotë se këto tuta aviatori, të vendosura në muze me emrin ‘Tutat e MekKejnit‘, nuk janë të tijat. Të tijat ishin bëra copë, ndaj i hodhëm poshtë". Fotot e asaj kohe tregonin të burgosur që kultivonin bimë, luanin volejboll dhe basketboll. Nguyen Tien Tran, tregon se ngadalë presioni u zvogëlua edhe për të. Nisi të merrte pako dhe letra, sigurisht pasi kontrolloheshin nga ne. Në qeli kishte furçën e dhëmbëve, pastën dhe "Vietnam Courier", mund të bënte dush dy herë në javë, të dilte pasditeve në kopsht për 45 minuta, të dëgjonte muzikën tonë patriotike në radio, por edhe këngë të vjetra franceze dhe të Louis Armstrong.

 Atij filluan t‘i zbardheshin flokët, jo për shkak të keqtrajtimeve që nuk iu bënë kurrë, por për faktin se në burg mendohet shumë. Për të burgu ishte rruga për të qenë i denjë për të atin e gjyshin dhe për të nisur karrierën politike. Ishte një njeri me personalitet të fortë. MekKejn është një hero amerikan, i atij vendi që në Vietnam humbi mbi 58 mijë njerëz. Por, për ne që kemi humbur tre milionë, MekKejn është një person jo korrekt dhe pak mosmirënjohës". Kush do t‘i pëlqente të fitonte zgjedhjet mes tij dhe Obamës? "Është një bisedë që nuk më përket mua dhe nuk më intereson. E kaluara nuk hyn. Le të zgjedhë njeriun që do t‘i japë fund luftës në Irak dhe ta mbajë sa më larg luftërave.

MekKejni e njeh mirë luftën, kështu që besoj se nuk e do". Në fund, gardiani 75-vjeçar tregon edhe për ditët e fundit të burgut. "Ditët e fundit të burgut ishin të tmerrshme, por kësaj here për ne. Mes fundit të vitit 1972 dhe fillimit të ‘73, pësuam bombardimet më të ashpra. Më kujtohet që e çuam MekKejnin në Duc Giang, në periferi, në veri në Hanoit, të shihte shkatërrimet dhe të vdekurit. Në momentin e lirimit i mblodhëm të burgosurit në kopsht. Të gjithëve u dhamë nga një uniformë dhe nga një palë këpucë. Ishte 14 mars 1973. "MekKejnit i thashë të kujtonte se ai u kap ndërsa bombardonte kryeqytetin tonë dhe për këtë na detyrohej me jetën e tij: "Kthehu në Vietnam, por kësaj radhe për paqe". Po ai, si u përgjigj? "Nuk tha asnjë fjalë dhe u largua, por i shtrëngoi duart me të gjithë ata që i konsideronte si miqtë e tij". Po juve, jua dha dorën? "Jo. Mua jo".


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama