Melinda Gates Si e binda Billin t’i dhuronte milionat e tij

Melinda Gates: Si e binda Billin t’i dhuronte milionat e tij
Në vitin 1996 u martua me manjatin e “Microsoft”-it. Katër vjet më vonë, çifti krijoi një fondacion për t’u ofruar ndihmë varfanjakëve të botës, duke u dhënë atyre 26 miliardë euro dhe duke dhuruar 95% të trashëgimisë së tyre.

Imagjinoni për një çast sikur jeni gruaja e një prej burrave më të pasur të planetit. Keni tre fëmijë të mrekullueshëm dhe një shtëpi 95 milionë euroshe, me pishinë të mbuluar, altoparlantë nënujorë dhe një kinema të madhe brenda. Si do të donit t’i kalonit ditët? Duke bërë pazar? Duke dalë për drekë? Duke udhëtuar? Apo do ta kalonit kohën tuaj në fshatrat më të varfër dhe të pluhurosur të Bangladeshit, ose duke takuar mjeranët e Indisë? Apo akoma duke vizituar sanatoriumet dhe spitalet për të sëmurët me Sidë? Në fakt, Melinda Gates është bashkëshortja e Billit, manjatit të gjigantit të informatikës “Microsoft”. Ata sapo kanë financuar një projekt për planifikimin familjar. Çifti njoftoi për mbledhjen e një fondi prej 4 miliardë dollarësh për t’u ofruar një mënyrë kontraceptive të sigurt 120 milionë grave në vendet në zhvillim.

“Të gjitha jetët kanë vlerë të barabartë”, pohon Melinda me thjeshtësi. “Shtatzënitë e padëshiruara shkaktojnë vdekjen e më shumë se 200 mijë grave dhe vajzave dhe atë të 3 milionë foshnjave brenda vitit të parë të jetës. Është një realitet tronditës që duhet, mund dhe duam të ndryshojmë”.

Zonja Gates vishet thjesht, me kostume, ndërsa flokët i ka gjithnjë të krehura bukur. Pavarësisht se çifti ka shumë angazhime, përpiqet të bëjë një jetë të rregullt familjare, duke kontrolluar fëmijët e duke u qëndruar afër atyre. Aktualisht punojnë bashkë në fondacion: “E përfshi të gjithë veten time në atë që bëj”, pohon ajo. “Çdo vit njihem me mësuesit e rinj të fëmijëve të mi dhe u them atyre të më thonë kur bëhem hiperprotektive, sepse është gjëja e fundit që dua. Dhe më besoni, ata kanë pasur guximin të ma thonë”. Fondacioni i krijuar nga Melinda dhe Bill para 12 vjetësh, disponon pothuajse 34 miliardë dollarë: një shifër që e kalon PBB e shumë vendeve. Për shkak se duhet të ndjekë projektet e gjithë botës, shpeshherë axhenda e Melindës përfshin diskutime herët në mëngjes dhe debate strategjike pas orës dhjetë të darkës. Por pse gjithë këto angazhime? Përse të mos mjaftohet me një buzëqeshje para kamerave, dhurim parash një enti bamirësie, apo një pjesëmarrje në një konferencë? “Ne nuk japim lëmoshë”, përgjigjet Melinda. “Ne u japim njerëzve mjetet që kanë nevojë për të përmirësuar jetët e tyre: fara që mund t’i mbjellin, qasjen e një kujdesi shëndetësor më të mirë dhe për të qenë sa më të dobishëm duhen kuptuar problemet në një nivel më të thellë”.

E ndërsa interesat e të shoqit shkojnë për risitë e shkencës, e sidomos për të zhvilluar vaksinat kundër Sidës dhe malaries, Melinda dëshiron t’i japë një kontroll më të mirë shëndetësor grave në botë. Në shumë kultura maskiliste, fëmijët konsiderohen tregues të burrërisë së babait, por këta të fundit nuk shqetësohen nëse janë në gjendje t’i ushqejnë. “Të këputet shpirti kur shikon një nënë që mban në krahë fëmijën e saj kockë e lëkurë. Ka pasur raste kur situata ka qenë aq e rëndë, saqë kam menduar t’i marr me vete në shtëpi, sepse mendoja që sapo të ktheja krahët do të vdisnin”, thotë ajo.

Ishte Andrew Carnegie që shqiptoi fjalët: “Është turp të vdesësh i pasur”. Edhe çifti Gates nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndjekur këshillën e tij. Ata janë të bindur të financojnë rastet më problematike. “Jam më tepër e interesuar të shpëtoj jetët e nënave dhe fëmijëve, sesa të restauroj një muze”, deklaron Melinda. “Duke ditur se kam ndihmuar një familje të varfër nga ana ekonomike, kjo po që është një kënaqësi. Ne perëndimorët kemi një perceptim të gabuar për Afrikën: mendojmë se atje gratë nuk i duan fëmijët e tyre sa ne; që nuk tronditen nga humbja siç ndodh me ne. Ky është një opinion i gabuar. Afrikanet e kanë zemrën e copëtuar, njësoj siç do ta kishte ndonjëra prej nesh. Për këtë arsye duhet ta ruajnë veten duke përdorur me përpikëri masat kontraceptive, një nivel shëndetësor që u lejon atyre të ushqejnë fëmijët me gji dhe t’u garantojnë një fillim të mirë në jetë, pa qenë e nevojshme të përballen menjëherë me një shtatzëni të re. Një herë takova një grua në Najrobi, e cila më rrëfeu: ‘Dua t’i jap tim biri gjithçka ka nevojë, para se të kem një fëmijë tjetër’. A nuk është kjo ajo që duam të gjitha ne edhe në Perëndim?”.

Pas gjithë këtyre angazhimeve, pyetja që të vjen natyrshëm është: A ka një minutë pushim në shtëpinë Gates? “Për mua luksi më i madh është të kaloj një të premte mbrëma në shtëpi duke parë film para televizorit e duke ngrënë kokoshka”, përfundon Melinda.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama