Memoriali i rilindësve në Gjirokastër do të rindërtohet. Një grup të rinjsh të qytetit, me fonde private të mbledhura nga biznesmenë e qytetarë, do të nisin punimet më 13 mars për rehabilitimin e memorialit, i cili prej vitesh ndodhet në gjendje të mjerueshme. Kanë zgjedhur pikërisht këtë datë në kujtim të vrasjes së Bimbashit, më 13 mars të vitit 1908 dhe 103-vjetorit të Luftës së Mashkullorës. Në këtë memorial, shumë pranë shkollës 9-vjeçare “Andon Zako Cajupi”, prehen eshtrat e Çerçiz Topullit, Bajo Topullit, Koto Hoxhit, Pandeli Sotirit dhe Andon Zako Çajupit. “Më 13 mars të 1908-s u vra Bimbashi në Gjirokastër dhe më 13 mars të këtij viti ne do vrasim publikisht harresën.
Kjo do të thotë fillimin e punimeve për rindërtimin e memorialit të rilindësve nga vetë ne, shoqëria civile. Pa respektuar të kaluarën ne nuk do të respektojmë të ardhmen tonë dhe nuk do të respektojmë idealin e tyre për bashkimin kombëtar”, thotë Albi Koçi, përfaqësuesi i këtij grupi rinor. Nisma e tyre ka filluar në janar të 2011-s, ku 100 të rinj të qytetit nënshkruan një peticion, në të cilin shprehën shqetësimin e tyre për gjendjen e memorialit, që më pas ka vazhduar me tubime për të ndërgjegjësuar shoqërinë civile në mbështetje të kësaj kauze. Sipas Koçit, fillimisht do të pastrohet zona e memorialit për ta kthyer në lulishte, ku do të mbillen pesë qiparisa ose dafina për pesë rilindësit.
Duke mbetur e hapur thirrja për bashkëpunim, punimet do të vazhdojnë me gurgdhendësit e Gjirokastrës, të cilët do të bëjnë rindërtimin e shkallëve dhe mureve. Koçi tregon se një grup studentësh që ndjekin kurset në gurgdhendje, do të gdhendin flamurin mbi pllakat e varreve të rilindësve, emrin dhe një shprehje të tyre. “Kemi kontaktuar me shumë biznesmenë që nga Gjirokastra deri në Kosovë dhe na kanë premtuar se do të na ndihmojnë sadopak në rindërtimin e këtij memoriali. Meqenëse institucionet lokale dhe qendrore nuk e kanë bërë punën e nevojshme për ta rindërtuar, tashmë e ka në dorë qytetaria e Gjirokastrës.
Ne kërkojmë nga bashkia, që tani të jetë tamam indiferente ndaj punës sonë dhe nuk duhet të na pengojnë”, ka thënë Koçi. Në fakt prej vitesh problemi i memorialit të rilindësve, i mediatizuar vazhdimisht, ka kaluar sa nga zyrat e bashkisë së qytetit, e cila kërkesën e saj e ka përcjellë në Ministrinë e Kulturës, për të mbetur mes këtyre dy institucioneve. Në vend që të ishte një destinacion turistik, memoriali është i mbuluar nga barishtet, ndërsa pllakat e varrit thuajse nuk kanë më as emrat sipër. Në mbështetje të këtij grupi rinor kanë dalë intelektualë të Gjirokastrës e më tej, ndërsa iniciativa e tyre ka marrë aprovimin e familjarëve. Me çfarë qëllimesh ka nisur kjo iniciativë? “Së pari është qëllimi qytetar që tregon se Gjirokastra ka qenë në ballë të kombit shqiptar për idealet për liri dhe bashkim kombëtar, ndërsa së dyti ka qëllim patriotik, sepse sot Jugut të Shqipërisë i nevojiten sa më shumë djem të rinj dhe intelektualë që të flasin shqip”, thotë Albi Koçi.
Memoriali
Kompleksi monumental është ndërtuar fillimisht në vitin 1958, duke u integruar me varret e vëllezërve Topulli. Në këtë vend është vendosur së pari varri i atdhetarit Bajo Topulli në vitin 1936 dhe një vit më pas, në vitin 1937, përkrah varrit të tij janë rivarrosur eshtrat e vëllait të tij, Çerçiz Topullit. Eshtrat e Çerçizit u sollën nga Fusha e Shtoit në Shkodër dhe në atë kohë në këtë vend u bë një ceremoni e madhe qytetare. Projekti i memorialit është plotësuar më pas në vitet e komunizmit, kur përkrah varreve të dy vëllezërve Topulli u vendosën varret e patriotëve të tjerë Andon Zako Çajupi, Koto Hoxhi dhe Pandeli Sotiri. Pjesë e këtij kompleksi monumental është edhe një piedestal guri rreth 7-8 metra i lartë, në krye të të cilit ka qenë vendosur simboli shqiptar i një shqiponje të derdhur në bronz, por që nga ky simbol sot nuk ka mbetur asgjë me përjashtim të disa copave bronzi pa formë.