Ledian Memushajt nuk i interesojnë komplimentet për lojën e mirë të skuadrës. Ai bëri të qartë se mendonte vetëm për pikët që duheshin për kualifikim dhe skuadra doli përsëri me 0 nga fusha e lojës.
"Nuk na duhen gjë komplimentet, ajo që duhet në fund është rezultati. Sot është një gjynah, edhe për shokët e mi se nuk e meritonin. Ata patën raste, edhe ne patëm, nuk e meritonim këtë humbje. Shkuam deri në minutën e 90 me rezultatin 0-0, pastaj kur pësuam golin, mbaroi ndeshja", tha ai.
Sipas tij, kombëtarja mund të fitojë ndeshjen e radhës dhe të kalojë turin. "Edhe barazimi nuk do të ndryshonte shumë, pasi duhej të fitonim gjithsesi me Rumaninë. Ky është futbolli. 90minuta duke luajtur mirë, luajtëm me ekipin më të fortë, me vendasit. E dinim që ishte e vështirë, por e kishim përgatitur mirë ndeshjen. Ata patën rastet e tyre, siç i patëm edhe ne. Ata thjesht realizuan gol, ne jo", theksoi ai.
"Tani të mendojmë për ndeshjen me Rumaninë, të luajmë qetë dhe mirë, të kërkojmë të fitojmë atë ndeshje", përfundoi mesfushori.