Menaxheri i Hysajt shkrin akujt pas kercenimit te Napolit

Menaxheri i Hysajt shkrin akujt pas kërcënimit të Napolit

UPDATE/ Pas pikëpyetjeve që u ngritën në shtypin italian se presidenti i Napolit, De Laurentis, ishte i pakënaqur nga kërkesat e përfaqësuesve të Hysajt dhe se rinovimi i tij ishte në rrezik, vjen edhe reagimi i menaxherit të mbrojtësit.

Elseid Hysaj

Mario Xhuifredi shprehet se Napoli është i gatshëm të rishikojë marrëveshjen me Hysajn dhe bisedimet do të bëhen shumë shpejt. "Javën e ardhshme do të takohemi me De Laurentis që u tregua shumë i disponueshëm. Jemi shumë të lumtur për gjithë këtë",-ka thënë sipas portalit "napolisoccer", që citon një intervistë të dhënë për "Radio Goal".

Kërkesat e vazhdueshme për rinovim të kontratës së Elseid Hysajt nga ana e menaxherit të tij kanë pasur më shumë një efekt negativ sesa pozitiv.

Më herët, menaxheri Mario Xhiufredi që përfaqëson mbrojtësin e kombëtares ka folur publikisht për një largim të futbollistit shqiptar nëse vononte firma në kontratën e re.

Kjo situatë la shumë të pakënaqur presidentin e Napolit, Auerelio De Laurentis. Sipas "Corriere Dello Sport", drejtuesi i Napolit nuk pëlqen kur të tjerët e "shantazhojnë" për rritje rrogë dhe ka treguar në të kaluarën se nuk ka problem të largojë emra të rëndësishëm nga skuadra.

Për këtë arsye, të hënën ai do të takojë në klub lojtarët e pakënaqur të cilët kanë bërë të ditur se duan rritje të rrogave nëpërmjet menaxherëve të tyre (Higuain, Hamshik, Kulibali, Hysaj dhe Valdifiori).

de laurentis

Sipas gazetës italiane, presidenti i Napolit pritet t'u bëjë të qartë se si ai nuk ka prekur asnjëherë kontratat e lojtarëve pas sezoneve negative, ndaj as ata nuk duhej të çonin zërin për të kërkuar rritje të një rroge për të cilën kishin firmosur vetë.

Kjo situatë vuri në diskutim të plotë rinovimin e Hysajt, apo edhe qëndrimi i tij te Napoli. Për lojtarin nuk mungojnë admiruesit por deri tani të gjitha zërat për oferta kanë qenë thjesht thashetheme të zakonshme të merkatos.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama