Menaxheri italian dhunon seksualisht operatoren ne Call Center

Menaxheri italian dhunon seksualisht operatoren ne 'Call Center'

Menaxheri italian i një pike Call Center- i është denoncuar nga vartësja e tij për ngacmime seksuale në mënyrë të përsëritur në punë. Alessandro Lemme, 33 vjeç, rezulton i shpallur në kërkim nga policia prej ditës së hënë pasi akuzohet se ka ngacmuar seksualisht dhe dhunuar një vajzë 21-vjeçare. Burime nga policia thanë se denoncimi është kryer nga shtetasja K.D, e cila tregoi se në Call Center-in ku ajo punonte në bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë, ngacmohej pothuajse çdo ditë nga menaxheri i përgjithshëm. Në dëshminë e saj dhënë në ambientet e Komisariatit të policisë nr.2, e reja rrëfeu se gjatë muajit janar gjendja në punë ishte bërë stresuese. Pas refuzimeve për të pasur lidhje intime me menaxherin italian, vajza dyshohet se është dhunuar prej tij. Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim italianin Alessandro Lemme, i cili prej ditës së hënë nuk është paraqitur në punë.

Denoncimi

“Menaxheri nisi të më ngacmonte që kur erdha në punë disa muaj më parë. Në fillim bëja sikur nuk kuptoja duke shikuar punën time. Përpiqesha të jepja maksimumin tim në punë me qëllim që ai apo edhe shefa të tjerë të mos kishin ku të kapeshin por as kjo gjë nuk ka sjellë rezultate. Ngacmimet po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Gjatë muajit janar, menaxheri po më ngacmonte pothuajse çdo ditë duke më dërguar mesazhe në Whatssap. Gjendja në punë u bë stresuese dhe unë kisha menduar disa herë të largohesha nga puna, por kjo nuk ishte e drejtë. Ai më nxiu jetën, në ato kushte nuk punoja dot” mësohet të ketë thënë 21-vjeçarja me iniciale K.D, para oficerëve të policisë. Në grupin ku punonte e reja menaxheri i përgjithshëm kishte vendosur që të ndryshonte supervizorin, por punonjësit nuk ishin dakord. Ata shkuan të premten në zyrën e 33-vjeçarit italian për të bërë ankesën e tyre në lidhje me ndryshimin e supervizorit. Kur dolën nga zyra punonjësit nuk po gjenin vend ku të uleshin dhe qëndruan në këmbë. Pas tyre doli edhe Lemme nga zyra i cili pa në këmbë 21-vjeçare. “Kur më pa në këmbë më kapi me forcë nga supe dhe më tha të gjeja një vend ku të ulesha ose ndryshe të largohesha nga puna” ka thënë më tej e reja. Ajo u paraqit mëngjesin e së hënës në ambientet e Komisariatit të policisë nr.2, për të denoncuar menaxherin e përgjithshëm të kompanisë ku ajo punonte. “Në fillim nuk e kisha menduar asnjëherë ta denoncoja. Megjithëse ngacmimet po bëheshin të përhershme dhe unë po me zor po shkoja në punë sërish nuk kisha menduar ta denoncoja por kulmi arriti kur ai më dhunoi në mes të kolegëve. Refuzimeve të mia ai iu përgjigj më dhunë.” ka deklaruar më tej në polici, 21-vjeçarja.

Hetimi

Pas regjistrimit të denoncimit të 21-vjeçares, policia nisi hetimet për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes. Efektivët e policisë mbërritën në zyrat e Call Center-it ku punonte 33-vjeçari Alessandro Lemme si menaxher i përgjithshëm por ai nuk ishte paraqitur në detyrë prej mëngjesit të së hënës. Burime nga policia thanë se ai ndodhej në Tiranë prej disa kohësh pasi ishte pajisur me leje qëndrimi, por pas denoncimit nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Të njëjtat burime thanë se çështja është ende nën hetim dhe po punohet për zbardhjen e plotë të saj. “Aktualisht policia ka regjistruar denoncimin e 21-vjeçares ndërsa pritet që të merret edhe versioni i 33-vjeçarit i cili është shpallur në kërkim” thanë burimet policore të cilat shtuan se janë marrë në pyetje edhe kolegët e denoncueses por ata janë shprehur se nuk kanë pasur dijeni për këto ngacmime. Dyshohet se kolegët kanë preferuar të qëndrojnë larg këtyre akuzave të 21-vjeçares me qëllim që të mbrojnë vendin e punës. Për gazetën “Shekulli” një punonjëse e këtij Call Centeri u shpreh se kishte dëgjuar që menaxheri italian kishte ngacmuar edhe më parë vajza të cilët në punë ishin në varësi të tij. Kompania ka larguar nga detyra 33-vjeçarin duke e zëvendësuar atë me një tjetër menaxher italian. Ndërkohë që në punë nuk është paraqitur as denoncuesja.

Deklarata

Policia e Tiranës lëshoi dje një deklaratë për shtyp me anë të së cilës bënte të ditur se ka nisur procedimi penal në ngarkim të shtetasit italian Alessandro Lemme më datë 2 shkurt 2015 pasi ishte denoncuar për ngacmime seksuale dhe ushtrim dhune. “Më datë 02.02.2015, filloi procedimi penal dhe punohet për kapjen e shtetasit A.L, 33 vjeç, banues në Tiranë, menaxher ne një Call Center, me leje qëndrimi të përkohshme, pasi dyshohet se në bulevardin “Gjergj Fishta”, ka ngacmuar seksualisht dhe ka dhunuar shtetasen K.D, 21 vjeçe, banues në Tiranë” thuhej në deklaratën e policisë së kryeqytetit


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama