Shpëtim Duro, Ylli Shehu dhe Gerd Haxhiu, të kontaktuar nga "Panorama Sport" ditët e fundit kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me ndeshjen mes Skënderbeut dhe Partizanit, e cila do të luhet të premten në Korçë, ora 19:00. Gjithashtu kanë dhënë mendimin e tyre në lidhje me titullin kampion, ku natyrisht shohin Skënderbeun si ekipin favorit për të fituar.
Shpëtim Duro
"Normalisht që është Skënderbeu ekipi që do të fitojë titullin. Është logjike të mendosh që korçarët mund ta fitojnë sërish titullin kampion për të gjashtin vit radhazi. Një ekip që ka dalë pesë herë kampion do të dijë t'i menaxhojë edhe situatat që do t'i vijnë në këto javë të mbetura të kampionatit. Është skuadër me eksperiencë dhe ekspertë për të zgjidhur momentet e vështira. Duke parë gabimet që po bën Partizani në javët e fundit, mendoj se nuk ka shumë mundësi të jetë në krye. Madje, ndeshja e fundit mendoj se ishte fatale. Mund të gabosh në fazën e parë, apo fazën e dytë, por jo në javët e fundit të kampionatit. Është gabim i pakorrigjueshëm kur kanë mbetur vetëm dy javë kampionat", tha Duro.
Ylli Shehu
"Nëse diferenca do të ishte më e vogël, Partizanit do t'i duhej vetëm një ndeshje finale me korçarët. Do të ishte më mirë që të dy ekipet të tregonin forcat në përballjen direkte. Këtë gjë unë kisha me më shumë qejf se çdo gjë tjetër, që këto dy ekipe të tregonin veten përballë njëri-tjetrit. Pra, doja një takim në pozita konkurruese dhe fituesi i kësaj sfide të përcaktonte edhe kampionen. Një takim i tillë do të ishte më subjektiv në sytë e të gjithëve, tifozëve dhe mbarë opinionit sportiv. Për mua, shanset që Partizani të dalë kampion janë 0.01%. Them kështu, pasi bazohem nga diferenca mes dy ekipeve, atmosfera dhe shumë gjëra të tjera. Nuk duket një gjë e bukur", deklaroi Shehu.
Gerd Haxhiu
"Partizani psikologjikisht nuk është i favorizuar në këtë takim, pasi vjen nga një humbje dhe fakti që ky rezultat ka ndodhur vetëm një javë më parë, nuk i bën të kuqtë shumë favorit. Por, këtë gjë nuk mund ta themi për Skënderbeun që, përveçse luan në shtëpi, ka në favor dy rezultate, fitoren dhe barazimin dhe mund ta menaxhojë situatën. Gjithashtu, korçarët kanë kualitete për të arritur rezultatin që dëshirojnë dhe e shoh shumë të vështirë që Partizani të fitojë në këtë ndeshje, për të mbajtur të hapur çështjen e titullit kampion. Hapi fals që Partizani bëri në sfidën ndaj Bylisit do t'i kushtojë shumë. Mund të gabosh, por ndaj një rivali direkt dhe jo kundër një ekipi që lufton për të mbijetuar në Superiore. Besoj se përqendrimi në atë ndeshje nuk ka qenë i mjaftueshëm, pasi sa i takon cilësisë ajo ishte në anën e Partizanit", pohoi Haxhiu.