Është një klasik i letërsisë amerikane, një roman i shkurtër nënshkruar nga njujorkezi Truman Capote, “Breakfast at Tiffany’s”. Është historia e takimit mes një vajze, Holly Golightly dhe narratorit, një shkrimtari debutant. Një grua-fëmijë disi e çuditshme, e prirë ndaj lidhjeve të gabuara, Miss Golightly mbyt ankthet e saj duke ëndërruar përpara vitrinave të dyqanit të bizhuterive “Tiffany”, gjatë orës së mëngjesit. Në kinema në vitin 1961, roli i Holly-t u mishërua nga Audrey Hepburn, në një përshtatje nga Blake Edwards, “Diamante mbi kanape”, që u bë shumë e famshme. Por tani, dorëshkrimi prej 86 faqesh është ofruar në ankand nga një shtëpi shitjeje në New Hampshire, RR Auctions, në faqen e saj në internet.
Ankandi do të zhvillohet në datat 18-25 prill. RR Auctions shpreson të paktën 250.000 dollarë. “Ky dorëshkrim është një margaritar,- thotë zëvendëspresidenti i shtëpisë së shitjeve, Bobby Livingston. Pronari dëshiron të mbetet anonim, por unë mund të them se është një koleksionist i autografeve të Madison Avenue”. Sipas tij, “dorëshkrimi ishte gati për t’u dërguar në shtëpinë botuese Random House, kur Truman Capote ndryshoi në minutën e fundit emrin e Connie Gustafson me atë të Holly Golightly”.
Ky roman është pjesë e një shitjeje të relikteve të Hollivudit, që ndër të tjera autografe të James Dean, Humphrey Bogaert, Clark Gable apo Judy Garland. Gjithashtu dhe një film 8 minuta të vizitës së Marilyn Monroe te trupat amerikanë në Korenë e Jugut në shkurt të vitit 1954, realizuar nga një toger i Divizionit të 24-t të Këmbësorisë.