Menopauza simptomat dhe pasojat

Menopauza: simptomat dhe pasojat
Afshe nxehtësie, djersitje gjatë natës, siklete, dhimbje trupi, emocione të pakontrolluara. Mosha e dytë e femrave nuk kalohet aq lehtë. Në këtë periudhë, gratë përballen me shumë vështirësi psikologjike dhe emocionale.

Menopauza është një ngjarje fiziologjike që te femra i korrespondon fundit të ciklit menstrual dhe moshës së pjellorisë. Në menopauzë përfundon edhe aktiviteti i vezoreve. Ato nuk prodhojnë më vezë dhe estrogjene (hormonet femërore). Kjo lloj gjendje shkakton një sërë ndryshimesh te femrat. Ato variojnë sipas personit dhe mund të jenë pak a shumë të dukshme. Por jo të gjitha shenjat e shfaqura në trupin e femrës lidhen me menopauzën. Ndikojnë dhe faktorë të tjerë, siç është familja dhe gjendja sociale. Menopauza është një proces natyror, i cili herët ose vonë shfaqet në jetën e çdo gruaje. Në pjesën më të madhe të rasteve ky fenomen mbështillet me mister dhe frikë. Ka shumë femra që vetëm po ta mendojnë tmerrohen. Arsyeja? Sepse kanë dëgjuar për shqetësime fizike që lidhen me këtë periudhë dhe i tremb ideja që mund t’i vuajnë këto efekte shqetësuese.

Menopauza shoqërohet me afshe nxehtësie, djersitje gjatë natës, siklete, dhimbje trupi, emocione të pakontrolluara. Mosha e dytë e femrave nuk kalohet aq lehtë. Në këtë periudhë gratë përballen me shumë vështirësi psikologjike dhe emocionale. Por cilat janë të rejat e fundit që lidhen me lehtësimin e simptomave dhe pasojat e menopauzës? Disa specialistë tregojnë se cilat janë pjesët e trupit te femra, që preken më shumë nga “fenomeni menopauzë”. “Deri në menopauzë trupi mbrohet nga ‘mburoja’ hormonale. Estrogjeni, progesteroni dhe androgjeni janë hormone që varen nga funksioni gonade (gjëndër seksuale) dhe ai mbiveshkor, të cilat veprojnë jo vetëm mbi hormonet riprodhuese, por në të gjithë organizmin femëror, skeletin, sistemin kardiovaskular, aparatin tretës, trurin. Kur funksioni gonade ndërpritet, trupi fillon të bëhet si i meshkujve, duke grumbulluar dhjamë në bark”, shpjegon një specialist. Ajo që i shqetëson më shumë ekspertët nuk është dhjami që formohet në bark, por komplikacionet e shumta që sjell menopauza.

Mjekësia mendonte se e kishte zgjidhur problemin duke i zëvendësuar hormonet natyrore me ato të sintezës që organizimi nuk i prodhon më. Para pesë vitesh, një studim amerikan tregoi se terapia hormonale zëvendësuese nuk e mbron sistemin kardiovaskular, madje rrit rrezikun për një tumor të gjirit dhe patologjive kardiake. Ato që i tremben më shumë kësaj periudhe janë femrat në moshë të re. Një fakt kurioz është se kjo fazë e jetës është frikësuese vetëm në kulturën perëndimore. Në kulturat e tjera, që nuk i kushtohet një rëndësi kaq e madhe bukurisë dhe tërheqjes, menopauza nuk konsiderohet si “fillimi i fundit”, por është pikërisht shenja e një statusi social të maturuar. Për shembull, në Indi gratë që kanë arritur në periudhën e menopauzës, mund të dalin për të biseduar dhe për të pirë me burrat. Nuk duhet të mbajnë më perçe dhe të qëndrojnë të veçuara. Në Etiopi, një gruaje që është në menopauzë i lejohet të ecë në tokën e shenjtë dhe të marrë pjesë në rituale të tjera.

Menopauza është një moment ndryshimi mjaft i rëndësishëm në jetën e grave, duke u bërë shpesh një periudhë e thellë reflektimi. Gjithashtu nuk duhen lënë pas dore edhe ndjesitë që krijon në trup: për shembull afshet e nxehtësisë nuk janë sajime psikosomatike, siç besohej dikur, por simptoma të vërteta.

Megjithatë, feminiliteti i një gruaje nuk venitet pas kësaj periudhe, e gjithashtu as nuk pakësohet nga ajo lloj karikature histerike dhe shkatërruese që mendohej se e përfaqësonte për shumë kohë. Për shembull, është provuar se depresioni, të cilit i janë nënshtruar disa femra, nuk ka ndodhur për shkak të ndryshimeve fiziologjike, por për probleme të tjera, që tërhiqen zvarrë gjatë gjithë jetës, ose janë tipike të moshës së dytë: mosmarrëveshjet në marrëdhënien bashkëshortore, keqkuptimet me fëmijët, prindërit, fëmijët që braktisin shtëpinë për t’u martuar, ose që shkojnë për të jetuar diku larg. Është e qartë se sa më shumë një grua të vlerësojë pozitivisht veten dhe jetën e saj, aq më lehtë do ta përballojë periudhën e lidhur me menopauzën.

Natyrisht mund të shfaqen pak më tepër simptomat e origjinës fiziologjike, për shembull siç ndodh ekzaktësisht për dhimbjet e bezdisshme menstruale ose sindromën premenstruale. Është shumë e nevojshme të bëhet një ndarje mes atyre që hyjnë në menopauzë në mënyrë natyrore dhe atyre që hyjnë rastësisht, duke vijuar më pas me ndërhyrjet kirurgjikale, ekografitë, radioterapitë ose kimioterapitë. Duke e thjeshtuar në maksimum, menopauza është fundi total i menstruacioneve. Ky është një moment transformimi që mund të zgjasë nga 10 deri në 15 vjet, periudhë gjatë së cilës sistemi riprodhues femëror ndryshon gradualisht.

Në terma biologjikë, menopauza i referohet shfaqjes së ciklit të fundit që paraprihet nga premenopauza. Në këtë fazë cikli është i çrregullt për një kohë të gjatë. Pas kësaj periudhe vijon edhe çasti kritik që tregon 10-15 vitet ku vezoret ndalojnë gradualisht së prodhuari vezë dhe sasi të mëdha hormonesh. Nuk ekziston një mënyrë për të parashikuar ekzaktësisht se kur do të fillojë “makthi” i madh: ndoshta disa faktorë mund të ndikojnë mbi këtë gjendje, por studiuesit nuk janë ende të qartë, ashtu siç nuk dinë me saktësi se kur kanë hyrë në periudhën e menopauzës nënat e tyre. Ajo që duket më e mundshmja është se e gjithë kjo nxitet nga gjene individuale. Ndonjëherë mund të shfaqet një menopauzë e parakohshme para të 35-ve, ose e vonuar, pas të 52-ve. Për një diagnozë më të saktë është e këshillueshme t’i drejtoheni specialistit.

Pranimi i plotë i ndryshimeve të dukshme që trupi i femrës pëson me menopauzën mund të jetë i vlefshëm për t’iu afruar kësaj periudhe të jetës me më pak shqetësim. Mbi të gjitha duhet të bindemi se menopauza nuk është një sëmundje, e gjithashtu as një krizë, por një kalim natyror biologjik, thjesht një nga të shumtit që ndodhin në jetën e një gruaje. “Ky është një ndryshim si shumë të tjerë. Varet se sa të afta janë ta përballojnë këtë periudhë”, thotë një specialist.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama