1. Jini të sinqertë. Frazave të vjetra dhe pa kuptim, si “nuk është faji yt, problemi qëndron te mua”, u ka ikur koha, është çasti të mendoni për një arsye të vërtetë. Kur ndarja ndodh dhe rrethanat apo shkaqet e saj nuk janë të qarta, lëndimi është më i madh. Duke qenë të sinqertë do ta keni shumë më të thjeshtë dhe s’do të mbani fajin e gënjeshtrave.
2. Bëjeni personalisht. Ndarjet që ndodhin në celularë, email-e apo nëpërmjet mesazheve janë ndarjet më të këqija që dikush mund të përjetojë ndonjëherë. Është shumë më mirë të merrni guximin dhe fjalët që keni për të thënë, t’ia thoni personit përballë. Duke vepruar kështu tregoni respekt dhe nuk dukeni egoistë. Mbase gjëja e duhur për t’u bërë është e vështirë, por ama mbetet akoma gjëja e duhur.
3. Ndahuni në kohën e duhur. Do t’ju pëlqente të ishit ju personi që pas një lidhjeje dashurore të bukur, të mësoje që gjithçka ka marrë fund, kur partneri apo partnerja fillon të tradhtojë? Sa më shpejt të jepni lajmin e ndarjes, aq më mirë do të jetë për të dyja palët, pasi nuk do të humbisni aspak kohë për të rikuperuar energjitë tuaja. Duke vepruar kështu, lidhja e mëparshme nuk do t’ju duket e stërgjatë dhe e lodhshme.
4. Dëgjoni. Kur takoheni me dikë për t’i thënë se ky është fundi i dashurisë suaj, kini parasysh që edhe personi tjetër, sado i papritur t’i vijë ky lajm, do të dojë të komentojë diçka mbi të. Në këtë rast ju këshillojmë të dëgjoni për të treguar se te ju ka mbetur qoftë edhe një fije e fundit përkujdesi për atë që keni përballë. Janë thjesht disa minuta, por do t’ju çlironte shumë thënia e mendimit dhe ku i dihet, mbase duke folur gjërat edhe mund të ndryshojnë për mirë.
5. Bëjeni në vendin e duhur. Personi me të cilin po ndaheni s’do ta ketë aspak të lehtë lajmin që do t’i jepni. Prandaj këshillohet që ndarjen ta bëni në mjedise private, në mënyrë që asnjëri prej jush të mos ndihet në siklet prej syve të të tjerëve. Baret, restorantet, kinematë apo festat nuk janë një mendim i mirë. Mendoni për një vend me të cilin keni lidhje nostalgjike, mundësisht të jetë ditë dhe mjedis i qetë, ku personi të mund të reagojë në mënyrën që do të ndihet.
6. Mos e shtyni. Kur diçka nuk funksionon shpesh kemi dëshirën që ta bëjmë të punojë me forcë, por kur vjen fundi, nuk ke ç’t’i bësh. Mos e shtyni çastin kur do t’ia thoni partnerit apo partneres deklaratën tuaj të ndarjes. Do të jetë një kohë torturuese për ju të mbani në mendje fjalët që do dëshironit të thoshit kur të vijë momenti. Asgjë të mirë nuk do të sjellë vonesa. Ajo që është e pashmangshme, është mirë të vijë sa më shpejt.
7. Ruani qetësinë. Kur një lidhje nuk funksionon, ky nuk është faji i askujt. Kujdesuni që të mos filloni debate dhe grindje, me shpresën se do t’jua largojnë sadopak vëmendjen prej veprimit në dukje të padrejtë, që po bëni. Mbani në mendje qëllimin dhe pavarësisht mërzitjes që mund të krijohet, ruani qartësinë, ndershmërinë dhe sinqeritetin. Mos e bëni tjetrin të vuajë më shumë se ç’e meriton. Fundja ai ose ajo është personi që dikur e keni dashur.
8. Vendosni parametrat. Jepini mundësi ish të dashurit apo të dashurës suaj të shprehë mendimin sesi ai ose ajo e percepton vazhdimin e marrëdhënieve tuaja pas kësaj ndodhie. Disa zgjedhin të jenë shokë, të tjerë kërkojnë hapësirë dhe ka nga ata që duan të mos kenë më të bëjnë. Ajo që duhet të bëni është të respektoni vendimin që do të merret në atë çast.
9. Jini të drejtpërdrejtë. Loja e fjalëve që në fund të fundit do të thuhen domosdoshmërish, mund t’ju kushtojë shtrenjtë. Duke mos ditur se cila është mënyra më e mirë për ta thënë, rritet probabiliteti që ju të ngacmoni çështje që sjellin debat dhe inate. Jini të qartë, të saktë dhe të hapur për çdo pyetje që mund të ketë partneri apo partnerja.
10. Largohuni. Pas bisedës kaq të vështirë, të sinqertë dhe direkt, është koha e duhur për ju të largoheni. Merrni rrugën tuaj dhe mos u ndieni keq, as mos u pendoni, por edhe përpiquni që të mos jeni abuzivë me dobësitë e tjetrit. Më në fund keni atë që dëshiruat, jeni të lirë dhe vetëm, gati për aventura të reja.