Merita Halili Mes mallit shqiptar dhe endrrave amerikane

Merita Halili: 'Mes mallit shqiptar dhe endrrave amerikane'
Interviste me ikonën e këngës popullore tiranase, të mirënjohurën Merita Halili.

Megjithëse e njohur, përsëri ajo mbetet e thjeshtë dhe shumë komunikuese. Larguar prej vitesh në SHBA, asnjëherë si ka shkëputur lidhjet me atdheun, por sa herë i jepet mundësia vjen me mall në Tiranën e saj, që i hapi dyert e bukura të këngës. Jeta e saj është e lidhur me avionin, pasi për çdo muaj ka kërkesa nga të katër anët e botës ku ka komunitete shqiptarësh, aq sa nuk u kushton dot kohën e duhur fëmijëve. Në Amerikë, sipas saj, në shumë koncerte apo festivale, përveç muzikës, spektatorët magjepsen pas veshjeve  kombëtare, të cilat ajo i vesh me shumë dëshirë dhe që harmonizohen me këngët. Lëvizjet e shumta nga një kontinent në tjetrin, kanë bërë që ajo të ketë formë të shkëlqyer.

Ju shohim gjithnjë në lëvizje, si ndjeheni, i bëni me qejf apo janë të sforcuara?

Nuk e di. Më është bërë si diçka normale. Më duket sikur lëviz brenda SHBA. Jam mësuar me lëvizjet, s’e kuptoj dot jetën pa lëvizje. kam oferta në shumë vende të Evropës dhe më tej. Kam oferta kudo ku ka emigrant shqiptarë.

Si ndjeheni në Amerikë?

Amerika mbetet një vend i veçantë. Mbetet një vend shëmbëlltyrë e demokracisë. Besoj se nuk ka asnjë vend tjetër në botë që të të ofrohen kaq mundësi punësimi dhe ku njeriu të gjejë vetveten. Personalisht, për mua ka qenë një vend ëndërr, të cilën e kam realizuar.

Shkuat në Amerikë, por si e keni përjetuar ditën e largimit. Thatë që do shkonit në vendin e ëndrrave…?

Me të vërtetë e mbaj mend si sot. Sa herë e kujtoj, lotoj. Ishin lot malli, por edhe gëzimi. Ose më mirë të themi, ishin më shumë lot gëzimi. Se di se si qan njëherësh njeriu për dy gjëra krejt të kundërta, por ja që ndodh. Ishte një vendim shumë i madh që edhe më tronditi. Se merrja me mend se çfarë më priste në jetë. Do kaloja oqeane dhe dete për të mbërritur aty. Kishte shumë rrugë të panjohura. Por, më shumë kujtoj lotët e të afërmve të mi. Po nisesha me vajzën time të vogël. Ishte fund korriku. As e kisha vënë në konsideratë temperaturën. Kisha marrë vendimin më të madh në jetë.

Ju u nisët me mendimin se në Amerikë do të jetonit vetëm duke kënduar?

S’mund ta them këtë. Mendoj se në fillim s’u nisa me këtë mendim. Mendoja se do të punoja si të gjithë njerëzit e tjerë vetëm nëpërmjet punës. S’e dija se si funksiononin gjërat në këtë vend të madh. E thashë, pra, se çdo gjë më dukej një ëndërr e largët. Isha shumë e emocionuar. Kisha dëgjuar që puna aty ishte punë. Ishte një punë pa orar më tregonin miqtë dhe të afërmit.

Kur u ngjite për herë të parë në skenë në SHBA?

Për herë të parë u ngjita në një festival ndërkombëtar për folklorin. Por, më parë sa shkova nga shumë shoqata të emigrantëve pata kërkesa për aktivitete të ndryshme. Unë shkova në Amerikë me një emër, pra më njihnin, nuk isha e rastësishme në këngë. Aq më tepër që këngëtaret e brezit tim ishin shumë në modë. Prandaj ishin dhe kërkesat. Plus që ne vinim dhe nga Ansambli i Këngëve dhe i Valleve, që kishte lënë nam të mirë në botë. Këto ishin ato që përcolla unë tek idetë dhe dëshirat e mia në SHBA. Pra në koncerte mes shqiptarësh më ftuan qysh muajin e parë, pas disa muajsh mora pjesë në festivalin ndërkombëtar.

Në këta festivale që keni marrë pjesë, a i ka bërë përshtypje spektatorit muzika shqiptare?

Sigurisht, po. Ne kemi një muzikë të veçantë, kemi një muzikë tonën të pa ndikuar nga muzika e huaj. Tek kjo veçanti të huajt kanë ndjerë origjinalitetin, të bukurën specifiken. Këngët e mia në atë festival janë duartrokitur.

Çfarë të veçante tjetër kanë parë tek shqiptarët të huajt nëpër festivale?

Kanë parë veshjen tonë të veçantë. Koloriti i veshjeve tona është një çudi, në  mënyrën e prerjes mbizotërojnë e bardha dhe e kuqja, kanë lënë efekte shumë  të jashtëzakonshme për spektatorët, por edhe tek shumë intelektualë që na afroheshin pas festivaleve për të parë rrobat tona.

A ka shkruar shtypi për këto veshje?

Ka qenë gazeta më prestigjioze Nju Jork Times, ajo që ka bërë vlerësime të shkëlqyera për veshjen tonë. Konkretisht për veshjen time në atë festival ata e cilësuan si veshjen më të veçantë. Jam ndjerë shumë e privilegjuar nga ky konstatim. Nuk është e paktë që në një vend si SHBA të zësh vend në gazetën më prestigjioze. Në këtë rast merita nuk ishte e imja, por e duarve të arta të grave shqiptare që bëjnë punime të rralla artizanale, që s’mund t’i gjesh në vende të tjera.

A është pjesë e suksesit bashkëshorti juaj, Raifi?

Si sigurisht dhe i padiskutueshëm. Raifi është pjesa ime më e rëndësishme. Ai është një instrumentist me vlera, ku puna ime dhe njohja jonë u bë në rrethana krejt të veçanta, nëpër aktivitete të ndryshme me karakter kombëtar. Ai ka pasur një njohje shumë të madhe mes shoqatave shqiptare.

Çfarë instrumenti përdor Raifi?

Im shoq përdor fizarmonikën, dhe mund të them se është një ndër fizarmonicistët më të mirë. Luan në mënyrë virtuoze dhe njeh njëkohësisht edhe muzikën amerikane në mënyrë të shkëlqyer.

Si fillim gjetët përkrahje tek ai?

Edhe si fillim edhe si vazhdim, pasi atë e kam burrë dhe një shok shumë të mirë. Rrallë mund të ndodh që në jetë të jesh në një punë dhe të kesh një harmoni të tillë. Kjo falë seriozitetit, por dhe edukatës së tij.

Ju merr malli për atdheun?

Sot largësitë janë shumë të vogla. Për 8 orë je në Shqipëri. Kjo s’do të thotë që nuk më merr malli, por sa herë ndjej mall, vij pa problem. Njëkohësisht dua të them se unë jam e ftuar vazhdimisht në Shqipëri dhe njëherë në vit jam në shtëpinë time.

Si i keni lidhjet me këngëtaret dhe këngëtarët e tjerë shqiptarë në Amerikë?

Kam lidhje të shkëlqyera dhe s’ka përse të mos jenë. Secila ka repertorin e vet, ka fansat e vet. Kemi respekt  të ndërsjellët dhe nuk kemi shfaqur shenja xhelozie.

Ju mes shumë veshjeve keni dhe një veshje me ngjyrat e flamurit kombëtar…

Shqiptarët në Amerikë janë shumë  të dashuruar me flamurin. Në shumë aktivitete ata vijnë me flamur të vegjël kombëtarë. Kjo ka qenë shtysa që unë vendosa të bëj një fustan të tillë.

Merita thuajse s’ka ndryshuar

(qesh). Se di ta përcaktoj saktë, por di të them se unë nuk abuzoj me asgjë, me asgjë. Ha nomralisht pa e tepruar me brumëra. Por, ushqimi kryesor janë perimet dhe frutat, këto të dytat janë në menynë time të preferuar.

 Jeni supersticioze?

S’di ç’të them, edhe jam edhe s’jam. Por unë besoj më shumë tek puna dhe zëri im.

Vlerësimi që i bëni njeriut?

Vlerësoj çdo njeri që ja kushton kohën punës dhe studimit dhe jo kafeneve dhe thashethemeve.

Kur ndiheni keq?

Kur shumë herë nuk u gjendem fëmijëve sa duhet afër. I kam të edukuar, por puna nuk më lejon të kem një kohë maksimale për ta.

Si e kaloni kohën e lirë?

Duke dëgjar muzikë por edhe duke bërë punë shtëpie. Ska gjë më të mirë të punosh duke dëgjuar muzikë. Në këtë rast bën dy punë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama