"Të them të drejtën është hera e parë që marr pjesë në Kennedy Center. E ndjej veten shumë mirë dhe krenare që marr pjesë në këtë qendër kaq të rëndësishme dhe kaq të madhe".
"Është në kuadrin e koncerteve verore që organizon Libraria (Biblioteka e Kongresit) së bashku me Kennedy Center dhe përfaqësohet nga muzika dhe stile të llojeve të ndryshme dhe ne si shqiptarë përfaqësojmë muzikën tonë me një repertor të zgjeruar", thotë bashkëshorti i saj.
Ethel Raim, drejtore artistike e Qendrës për Muzikë dhe Vallëzim Tradicional në New York, ka bashkëpunuar me Meritën dhe Raifin që kur erdhën në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1995.
"Unë mendoj se kjo muzikë pasuron jetën e gjithkujt, u krijon artistëve ndjesinë se kanë një vend këtu, kur vijnë. Ata mund të shprehin identitetin e tyre kështuqë është e mrekullueshme për të gjithë".
Merita ishte e veshur me një kostum tiranas 100 vjeçar, i qëndisur me ar dhe argjend.
"E kemi ruajtur dhe e kemi marrë nga sëndyqet e vjetra, nga gratë e vjetra të Tiranës që e kanë ruajtur me shumë dashuri.".
Merita preket kur i duhet të flasë për audiencën shqiptare ku ajo u rrit si këngëtare dhe që gjithmonë e ka dashur.
"Një nga mesazhet që u jap shqiptarëve kudo që janë është të ruajnë pastër folklorin, ashtu siç po e ruajmë të pastër edhe ne këtu në Amerikë".
Në audiencën e Koncertit të mbajtur në Kennedy Center, kishte edhe nga shumë spektatorë amerikanë, përfshirë edhe disa që e njohin muzikën e Ballkanit.
"Kur dëgjova për herë të parë Meritën, rreth 12 vjet më parë, u magjepsa nga zëri i saj, kaq i qartë dhe tërheqës. Muzika nuk njeh kufij kulturorë dhe politikë", thote Larry Weiner, njohës i muzikës së Ballkanit, banor i Washingtonit
Për shqiptarët e zonës përreth, koncerti i Meritës ishte shumë i veçantë. Shumë prej tyre prekeshin ndërsa dëgjonin këngët, duartrokisnin dhe këndonin.
Me kalimin e minutave, rritej edhe shkalla e entuziazmit, që arriti kulmin kur të pranishmit filluan të kërcenin nën tingujt e këngës të Tish Daisë, "Bjeri gajdes, Gajdexhi".
"Jam shumë e gëzuar që mora pjesë në këtë koncert të Merita Halilit dhe më ngjalli shumë emocione", thotë Gallata Xhana.
Koncerti i Merita Halilit na emocionoi pa masë. Mua personalisht m'u ngjallën kujtimet e fëmijërisë, sidomos kënga e syzezës, më ngjalli kujtimet e fëmijërisë, thotë Evi Budo.
Keida Kostreci (DW)