Klubi i mirënjohur sll ovak, Slovan Bratislava, kërkon shërbimet e Elis Bakajt. Burime të sigurta të "Panorama Sport" pranë lojtarit të Tiranës konfirmuan dje se mes palëve tashmë kanë nisur edhe bisedimet. Mësohet se pak ditë më parë, agjenti i klubit sllovak ka kontaktuar golashënuesin më të mirë të kryeqytetasve, duke e vënë në dijeni për interesin që ka Slovan Bratislava. Trajneri i kësaj të fundit, qiprioti Nikodimos Papavasiliu, e kërkon me ngulm Bakajn dhe drejtuesit e klubit do të bëjnë çmos për të bindur fantazistin në merkaton e verës.
Aktualisht bisedimet janë në fazën fillestare, por gazeta zbulon se klubi sllovak ka kërkuar që futbollisti dhe menaxheri i tij të udhëtojnë javët e ardhshme drejt kryeqytetit të Bratislavës, për të biseduar më konkretisht për kontratën që do t'i ofrohet. Nuk dihet ende sa mund të jetë shifra që sllovakët janë gati të japin për bomberin bardheblu, por gjithsesi, duke qenë se bëhet fjalë për një klub të madh në Sllovaki, gjasat janë që oferta të shkojë mbi 200 mijë euro në vit. Më tepër zhvillime për këtë operacion merkatoje pritet të ketë muajin e ardhshëm.
Nëse oferta do të jetë joshëse edhe financiarisht, gjasat janë që dhe vetë futbollisti të mos thotë "jo". Slovan Bratislava aktualisht (pasi janë 26 ndeshje dhe kanë mbetur 6 të tjera për t'u luajtur) është e dyta në renditje dhe ka shanse maksimale që të jetë pjesë e Ligës së Europës. Jo vetëm kaq, pasi këtë sezon është edhe në finale të Kupës së Sllovakisë, ndaj në një rrugë apo tjetër, një biletë për kompeticionet europiane e ka të sigurt.
Kontrata
Elis Bakajt i skadon kontrata me Tiranën në fundin e këtij sezoni, ndaj zyrtarisht i lind e drejta që të transferohet diku gjetkë me mbylljen e këtij kampionati. Kujtojmë që fantazisti është pjesa e skuadrës bardheblu që prej gushtit të 2014-ës. Shkëputja e vetme që ai kishte me këtë klub nuk ishte më e gjatë se dy muaj. Me mbylljen e edicionit të kaluar, ai u transferua në Izrael, ku firmosi një kontratë 3-vjeçare me Hapoel Rananan. Por, kjo aventurë nuk zgjati shumë dhe palët vendosën që të zgjidhin marrëveshjen kontraktuale. Kjo i hapi rrugë rikthimit të tij te Tirana dhe pas negociatave me presidentin Halili, kontrata u firmos në limitet e merkatos së verës.
Ecuria
Elis Bakaj është golashënuesi më i mirë i 24 herë kampionëve të vendit. Ai në 21 ndeshje ka shënuar 11 herë, duke qenë shpeshherë vendimtar për skuadrën e Tiranës. Golat e tij kanë qenë deciziv për skuadrën në shumë ndeshje, madje dy jav- ët e fundit i kanë dhënë 6 pikë ekipit (Tërbuni dhe Laçi). Sulmuesi e ka gjetur rrugën e rrjetës në 8 ndeshje gjatë këtij sezoni, duke i dhënë Tiranës të drejtën që nga këto takime të fitojë 7, që përkthehen në total me 21 pikë. Prania e tij në fushë dhe njëherësh golat e tij kanë dëshmuar se e çojnë skuadrën e Ilir Dajës drejt fitoreve.
Përgatiti: ADELA MERKO