Merkatoja e emisioneve politike ne televizion

Merkatoja e emisioneve politike ne televizion

Sezoni i pushimeve mbaroi. Edhe për gazetarët më të mirë në treg. Pas një fushate të egër politike, pas debateve të ashpra edhe pas zgjedhjeve, rikthehen në ekranet tona emisionet politike. Disa sipas formatit të mëparshëm, ndërsa të tjerë me pak ndryshime. Ka edhe nga ata që ende po presin oferta më të mira apo ide më të mira për të realizuar. Ama një gjë është e sigurt. Politika në ekranet tona nuk do të mungojë as këtë sezon. Sepse ne jemi një popull që e duam politikën. Ulemi çdo mëngjes në ndonjë kafe me gazetën në dorë e flasim për ato që ndodhën në sheshin e luftës politike, në “Top Story”, në “Opinion”, në “360 gradë” apo diku tjetër. Edhe këtë vit gazetarët më të mirë të politikës në vend nuk do të na e kursejnë këtë kënaqësi, këtë englendisje të mëngjesit.

“Top Story”, histori misteri “Shekulli” kontaktoi me prezantuesin tashmë të njohur të “Top-it”, Sokol Ballën për të marrë një përgjigje mbi politikën e mbrëmjes së të enjtes. Por, ajo që morëm ishte thjesht heshtje. Nuk dihet ende se cili mund ta zëvendësojë një Top moderator si Balla, pasi me siguri këtë sezon nuk i kanë munguar ofertat. E themi këtë pasi suksesi gjatë fushatës së egër politike nuk i mungoi. Blendi Fevziu me “Opinion” Thashetheme? Po. U diskutua se Blendi do t’i mblidhte “Opinionet” e tij në një studio tjetër. Një status në faqen zyrtare të emisionit “Opinion”, do të njoftonte vetëm një javë më pas se emisioni do të niste me datë 5 Shtator, në po të njëjtin kanal televiziv dhe në po të njëjtin orar. E meqenëse, jemi ende tek “Opinioni”, Shekulli ju njofton se i ftuari i parë i Blendit për këtë sezon do të jetë presidenti Bujar Nishani. Tashmë, ky lajm është bërë i ditur jo vetëm në faqen zyrtare të emisionit në portalin social Facebook, por edhe nga spoti televiziv që ka filluar të transmetohet në televizionin Klan.

“Tonight Ilva Tare” Emisioni i politikës realizuar në Ora News nga Ilva Tare rezultoi më se i suksesshëm dy muaj më parë. Një ndër gazetaret më sfiduese të tryezave ku flitet për politikën, Ilva Tare, ka vendosur që edhe këtë vit të vijë në të njëjtin format. Është sërish polikë. Do të jetë sërish në mbrëmje, çdo të martë dhe të premte. Veçse Ilva mund të ketë ndryshuar pamjen e saj të jashtme, si shpeshherë. Lajmin e dha disa ditë më parë, vetë gazetarja nëpërmjet faqes zyrtare të emisionit në Facebook ku shkruante: “Stafi i Tonight Ilva Tare ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Prejjavës së dytë të Shtatorit do të jemi me emisionet tona për problemet tuaja dhe maxhorancën e re me opozitën e re. Na dërgoni sugjerimet tuaja/personalitete që do të donit të ftonim...”. Shekulli uron që emisioni i kësaj ikone në gazetarinë shqiptare të jetë në mos po aq i suksesshëm sa ai i sezonit të kaluar, edhe më shumë i ndjekur.

Babaramo ka përsëri 5 pyetje Babaramo do të vijë çdo javë në “A1 Report” si gjithnjë me 5 pyetje për të ftuarit e tij. si gjithnjë në qendër të bisedës do të jetë ngjarja më e bujshme politike e javës. Çim Peka sjell sërish “Fakt-e” “Shekulli” kontaktoi edhe me gazetarin e politikës në “UTV News”, Çim Pekën. Edhe ai, njëlloj si Blendi dhe Ilva na e konfirmoi prezencën e tij, në po të njëjtin vend, në po të njëjtin orar. Na njofton se do të jetë çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte në UTV News” në ora 21.00. Me Roland Qafokun sërish “Debate” Çdo të hënë dhe të enjte, në ora 21.00, mund të gjeni një debat politik edhe në “Channel One”. Edhe këtë herë “Debatin” e përcjell Roland Qafoku.

Vonon Zheji, pritet të vijë Eni Vasili

Ai ende nuk e ka vendosur, ende nuk ka asgjë për t’i zbuluar publikut, por me siguri do të vijë edhe më potent se sezonin e kaluar. Artur Zheji gjithnjë ka ditur të provokojë debat politik edhe aty kur nuk ka. Një nga gazetarët më të mirë të politikës në vend, rrëfen për “Shekullin” se ende nuk ka ndonjë “gradë” për të na rrëfyer. Në përpjekje për t’ithënë Zhejit të mos vonojë në përballjet politike, që shqiptarët aq shumë i duan mbrëmjeve, kemi përshtypjen se do të na duhet të mirëpresim si prezantuese të një emisioni politik, një tjetër femër, Eni Vasilin. Ende nuk është konfirmuar asgjë nga gazetarja, ndaj është më mirë të themi se kjo mbetet në kuadrin e një thashethemi.

"Opinionet" e Blendit

Takimi i parë, me presidentin Nishani

Për një kohë mjaftueshmërisht të gjatë u aludua se Fevziu do të largohej nga Klani dhe se emisioni e tij “Opinion” do ta realizonte diku tjetër, gjetkë, veçse jo tek Klani. Që do të ishte si gjithnjë i pranishëm nëpërmjet “Opinionit” kjo ishte e padiskutueshme, por se ku këtë e ka zbuluar vetëm disa ditë më parë. Pas një periudhe heshtjeje, ka një status në faqen zyrtare të emisionit “Opinion” ai që njoftonte se emisioni do të niste me datë 5 Shtator, në po të njëjtin kanal televiziv dhe në po të njëjtin orar.

Programet

Jo vetëm politikë

Sezoni i ri televiziv ka filluar edhe për prodhimet e tjera televizive që nuk kanë lidhje me politikën. Për shembull talent show-t e këtij viti pritet të jenë po aq të pranishëm sa në edicionet e kaluara. “X Factor” për shembull po përgatitet për fazën e audicioneve”. Në spotin e transmetuar në Klan, njoftohet se do të jetë e njëjta juri dhe të njëjtat emocione. Nga ana tjetër, zëra nga “Vizion Plus” thonë se “Kërcimi me yjet” këtë vit do të jetë edhe më i bukur se vitet e kaluara. Ardit Gjebrea, bëhet gati në organizimin e një prej festivaleve më të rëndësishëm të zhvilluar në Shqipëri, “Kënga Magjike”, për të cilën ka vendosur edhe një datë për dorëzimin e materialeve muzikore. Kështu që veç politikës, behuni gati të shijoni shumë muzikë, edhe këtë vit. Shqiptarët janë po aq të pasionuar pas muzikës dhe politikës, po aq sa edhe ndaj sportit. Edhe këtë sezon, thuajse çdo televizion do të transmetojë të paktën një herë në javë një emision sportiv. Kështu, “Procesi sportiv” do të transmetohet të hënën, ashtu si edhe një sezon më parë në ora 23.00. Si gjithnjë me të ftuar jo vetëm nga bota e sportit dhe si gjithnjë në krye të bisedave do të jetë futbolli. Prania e vajzave të bukura në këto emisione sërish nuk dod të mungojë. Diku do të jetë Marina Vjollca e diku tjetër Xhesi që së bashku me Nertil Agalliun kanë nisur vetëm dy javë më parë sezonin e ri të “Ora Sport News”. Po aq si suksesshëm sa edhe sezonet e kaluara premton të jetë edhe Gerti Çarçani me emisionin e tij sportiv. Me siguri edhe këtë sezon Çarçani do të jetë skaneri më i mirë i javës sportive.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama