Merkel Ballkani nuk eshte me ai i viteve 90

Merkel: Ballkani nuk eshte me ai i viteve '90

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel gjatë fjalimit të mbajtur në takimin e Partisë Kristian Demokrate, duke folur për zgjedhjet parlamentare europiane, iu referua takimit që pati pak ditë më parë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

 

Merkel duke folur për luftërat në Ballkan në vitet 1990, thotë se tashmë vendet e këtij rajoni i kanë tejkaluar kohërat e vështira.

 

Pjesë nga fjala e Merkel:

 

“...Çfarë është realizuar në këto 100 vjet, na jep arsyen për të votuar më 25 maj. Ne drejtohemi nga motoja themeluese e Unionit Kristian Demokrat: “Me besim të plotë te Zoti, ne dëshirojmë të ndërtojmë për fëmijët dhe nipërit tanë, një të ardhme të lumtur”. 

 

Çfarë guximi, të dashur miq, çfarë vizioni. Ne u jemi mirënjohës, atyre që ndërtuan këtë kohë të ndritshme për ne. Ata tejkaluan varret e Europës, mirënjohje për Konrad Adenauer deri te Helmut Kohl. Shumë faleminderit për këtë vizion dhe guxim.

 

Çdo brez ka sfidat e tij. Para 25 vjetësh kur ra muri, dikush mendoi se ne nuk kemi nevojë të flasim më për paqen dhe lirinë në Europë. Pastaj përjetuam në vitet 90-të, luftërat e tmerrshme në Ballkan.

 

Këtë javë ishte në takim me mua, Kryeministri i ri i Shqipërisë. Ai më tregoi për një takim të gjithë Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor tek BERZH në Londër, ku ata për herë të parë, mund të qëndronin me njëri-tjetrin si Kryeministra, me gjithë diferencat e shumta që nga Kosova, Serbia, Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia, çdo gjë është e drejtë. Ai më tha se, për herë të parë, mund të bisedonim me njëri-tjetrin për të ardhmen tonë, dhe nuk mendonim në mënyrë armiqësore për njëri-tjetrin.

 

Pa perspektivën europiane për Ballkanin Perëndimor, kjo do të ishte e pamundur, dhe kjo është çka ne kemi arritur/krijuar në vitet e fundit, të dashur miq, dhe kjo është e mrekullueshme.”

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama