Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë zyrtare me ftesë të kancelares Angela Merkel. Kjo e fundit kishte rezervuar për kryeministrin e Shqipërisë një pritje të nivelit më të lartë protokollar. Sot, në orën 12.00, Kryeministri Rama u pritet në Kancelarinë gjermane nga kancelarja Merkel, ku pati dhe një ceremoni të nderimit ushtarak.
Pas takimit të dy zyrtarët kanë dalë në një konferencë për shtyp. Kancelarja Merkel tha se, po ndjekin me intensitet zhvillimet në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, ku sipas saj gjërat po shkojnë për mirë. Merkel theksoi se, çështja nuk qëndron nëse Shqipëria do ta marrë statusin e kandidatit, por kur do ta marrë.
“Ne jemi informuar rreth angazhimit dhe entuziazmit që ndiqen këto procese, ndërtimi i një procesi juridik dhe pavarësia e drejtësisë. Ne po i ndjekim me intensitet këto zhvillime në Gjermani. Nuk është shumë e thjeshtë të ndjekësh një rrugë të tillë dhe kryeministri Rama na bëri shumë të qartë dhe na shpjegoi se kanë ndryshuar shumë gjëra”, tha Merkel.
E pyetur rreth marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, Merkel tha se, pret që njihet dhe me raportin më të fundit të Komisionit Europian që pritet të bëhet publik në muajin qershor.
“Vendeve të Ballkanit Perëndimor i kemi dhënë perspektivë dhe në fund të një rruge të gjatë do të kemi integrimin e plotë të tyre. Ne i trajtojmë vendet sipas raporti të KE-së. Hapi tjetër është që ne në qershor të marrin një raport të ri dhe presim që komisioni të ketë shkruar për arritjet e vendit, dhe ne do ta vendosin në një vështrim pozitiv për statusin. Kryeministri më ftoi për vizitë dhe unë i thash që do ta respektoj këtë ftesë dhe nëse më pyesni pas një viti, unë do të kem qenë në Shqipëri”, tha Merkel.
Ndërsa, kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se gjatë takimit me kancelaren foli për sfidat e Shqipërisë dhe rolin e saj në Ballkan. Ai theksoi se, qeveria është e vendosur për të ecur në rrugën e integrimit. Kryeministri tha se, Shqipëria do të përmbushë të gjitha reformat që do të bëjnë të mundur integrimin e vendit në BE.
“E sigurova kancelaren qeveria është e vendosur për të ecur në rrugën e modernizimit të reformave që do të garantojnë n ë luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ky fillim i mbarë është fillimi i një procesi që Shqipëria kërkon të ecë më shpejt drejt Europës, por duke bërë Evropën destinacion brenda nesh dhe integrimin si një proces të patjetërsueshëm të integrimit tonë”, tha Rama.
Rama: Do tërheqim investimet gjermane në Shqipëri
Rama më tej garantoi se qeveria që ai drejton do të bëjë gjithçka për të tërhequr investimet gjermane në Shqipëri. “Pata një bashkëbisedim të hapur lidhur me ecurinë e punëve në Shqipëri, në rajon, lidhur me rolin e Shqipërisë dhe në rolin e rajonit për të çuar më tutje projektin e madhe të integrimit europian. Ishte një rast optimal për ti shprehur mirënjohjen për gjithçka që ka bërë Gjermania në këto vite dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Roli transformues i kulturës së sipërmarrjes private është një mundësi, por edhe një kërkesë legjitime për të qenë prezent në rajon, tha Rama.