Kancelarja gjermane, Angela Merkel konfirmoi nga Tirana mbështetjen për integrimin e Shqipërisë, por ajo tha se nuk ka një afat të përcaktuar për hapjen e negociatave.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, Merkel tha se procesi i integrimit kërkon plotësimin e të gjitha kushteve, ku reforma në drejtësi konsiderohet si më e rëndësishmja për Shqipërinë.
“Është përmbushja e standardeve ajo që do të përcaktojë ritmin e anëtarësimit. Shqipëria ka bërë progres, por reforma në drejtësi nuk është përmbushur ende,” deklaroi kancelarja Merkel.
Kancelarja e cilësoi të rëndësishme këtë reformë edhe për krijimin e kushteteve ligjore për investitorët gjermanë, ndërsa bëri thirrje që Shqipëria të ndjekë shembujt më të mirë në këtë drejtim.
Kryeministri Edi Rama premtoi në fjalën e tij se reforma në drejtësi do të jetë e thellë dhe do t’i shërbejë më së pari demokratizimit të vendit.
“Pasi ta përmbushim këtë reformë na lind e drejta të kërkojmë hapjen e negociatave. Atëherë jam i bindur se kancelarja do të jetë e para që do të na mbështesë,” tha Rama.
Numri i lartë i azilantëve ishte një tjetër çështje e diskutuar në takimin Rama-Merkel, ndërkohë që kancelarja theksoi se dera e Gjermanisë është e mbyllur për azilkërkuesit shqiptarë. Ajo shpjegoi megjithatë se Gjermania ka nevojë për punonjës të kualifikuar dhe ftoi shqiptarët të bëhen pjesë e këtyre procedurave.
Marrëdhëniet ndër-rajonale dhe veçanërisht progresi i bërë mes Shqipërisë dhe Serbisë është vlerësuar me nota pozitive nga Merkel, e cila garantoi se nuk ka një “ngadalësim artificial” anëtarësimi për Ballkanin Perëndimor.
Të dy liderët pranuan se shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve nuk janë në nivelin më të mirë, ndërsa ekzistojnë mundësi për përmirësimin e këtij bilanci. Kancelarja Merkel tha më tej se ka ende mundësi të pashfrytëzuara në turizëm, energji apo telekomunikacione.
Gjermania është partneri i gjashtë më i madh për importet shqiptare dhe i nënti për eksportet. Databaza statistikore e Institutit të Statistikave tregon se gjatë vitit 2014, Shqipëria importoi nga Gjermania 235 milionë euro mallra ndërsa eksportoi 51 milionë euro mallra. Nga Gjermania erdhën 6 për qind e të gjitha importeve të Shqipërisë dhe drejt Gjermanisë u nisën 2.8 për qind të të gjitha eksporteve.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2013, stoku i investimeve të huaja direkte nga Gjermania në Shqipëri qe 107 milionë euro, ose 3.7 për qind e totalit të investimeve të huaja direkte. Gjermania është investitori i gjashtë për nga madhësia i huaj në Shqipëri pas Greqisë, Kanadasë, Hollandës, Austrisë e Turqisë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi dypalësh i Shqipërisë është 616 milionë euro dhe nga këto, 178 milionë euro ose 29 për qind janë dhënë nga Gjermania. Nga Gjermania vijnë edhe një pjesë e konsiderueshme e borxhit shumëpalësh, i cili është dhënë nga institucionet ndërkombëtare si Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Zhvillimit etj, fondet e të cilave furnizohen në masë të konsiderueshme nga Gjermania.