Merkel ne konference shtypi me Ramen Ballkani konteston axhenden

Merkel ne konference shtypi me Ramen, Ballkani konteston axhenden

Mbyllja e Konferencës për Ballkanin që do të mbahet më 28 gusht në Berlin nga ana e Kancelares gjermane me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, duket se nuk është pritur mirë nga vendet anëtare në këtë konferencë. Ende pa nisur kjo konferencë janë shfaqur përplasjet e para mes organizatorëve të saj dhe disa vendeve ballkanike, të cilët kanë mbetur të befasuar që mbyllja e kësaj konference nuk do të bëhej me të gjithë kryeministrat prezentë, por vetëm më atë shqiptar. Lajmi për këtë përplasje për mbylljen e konferencës është konfirmuar nga Top Channel, ku një burim në kabinetin e Kancelares Merkel ka konfirmuar se ky lajm nuk është pritur i qetë nga homologë të disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

“Në mënyrë të papritur, kabineti i Kancelares ka lajmëruar vendet pjesëmarrëse se në konferencën përmbyllëse të shtypit Angela Merkel do të paraqitet vetëm me Kryeministrin e Shqipërisë dhe jo më të gjithë kryeministrat e Ballkanit”, mësohet të ketë thënë burimi, teksa ka folur edhe për qëndrimet e Beogradit, Kroacisë dhe Sllovenisë. Reagimi i Beogradit ka qenë i menjëhershëm prej ku mësohet të jetë nisur drejt Berlinit edhe një reagim zyrtar me pretendimin se nëse Angela Merkel mund të përfaqësojë Gjermaninë e Bashkimin Europian, në fund të mbledhjes mbi Ballkanin, Kryeministri shqiptar nuk mund të flasë në emër të gjithë rajonit. Por nga ana tjetër, sipas burimit zyrtar reagimi serb nuk ka qenë i vetmi. Edhe dy shtete të tjera, Kroacia e Sllovenia, vende që janë edhe anëtare të Bashkimit Europian, nuk kanë qenë shumë të kënaqura me këtë surprizë nga ana e Kancelares Angela Merkel.

 

Këto reagime kundërshtuese të këtyre shteteve nuk e kanë lëkundur Berlinin që në variantin përfundimtar të formatit të Konferencës së Shtypit ka bërë vetëm një ndryshim, ka shtuar edhe Presidentin e Komisionit Europian, duke refuzuar çdo diskutim të mëtejshëm për këtë pikë. I njëjti burim diplomatik pohoi se kjo vëmendje që shteti gjerman po i kushton Kryeministrit shqiptar nuk është pa arsye. “Vizibiliteti i lartë që Berlini po i rezervon Kryeministrit të Shqipërisë nuk duket se është pa arsye në Kancelarinë gjermane”, mësohet të ketë thënë burimi diplomatik pranë kabinetit të Kancelares Merkel.



Vizita e Ramës në prill në Berlin ishte padyshim një sinjal i fortë nga pala gjermane për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me Shqipërinë. Edhe pse në vizitën e tij të parë si Kryeministër në Gjermani dhe takimit me Kancelaren Merkel u konfirmua bashkëpunimi kryesisht në investimet e biznesmenëve gjermanë, për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të marrin pjesë në Konferencën e datës 28 gusht mbetet ende e paqartë mbështetja e Kancelares, e cila është dhe drejtuesja e kësaj konference, ndaj Kryeministrit shqiptar. Sipas tyre, të gjitha këto nuk mjaftojnë plotësisht për të shpjeguar formatin special të Konferencës së Shtypit të 28 gushtit, aq më tepër me gjermanët që asgjë nuk ia lënë rastësisë. Ndërkohë që ashtu si takimi i parë i mbajtur në muajin prill mes Ramës dhe Merkelit, edhe takimi i datës 28 gusht pritet që të jetë i një rëndësie të veçantë për vendin tonë. Deri atëherë pritet që të ketë ndoshta dhe reagime të tjera nga vende të tjera anëtare në këtë konferencë, ku asnjë prej kryeministrave të tyre nuk do të kenë mundësinë e fjalimit të përmbylljes përveç kreut të ekzekutivit shqiptar.



Kabineti

Kabineti i Kancelares ka lajmëruar vendet pjesëmarrëse se në konferencën përmbyllëse të shtypit Merkel do të paraqitet vetëm me Kryeministrin e Shqipërisë

Reagimet

Kroacia, Serbia dhe Sllovenia, vende të Ballkanit dhe anëtare të Konferencës së Berlinit nuk kanë qenë të kënaqura me këtë “surprizë” nga ana e Kancelares gjermane, Merkel

Beogradi

Reagimi i Beogradit ka qenë i menjëhershëm, me pretendimin se Kryeministri shqiptar nuk mund të flasë në emër të gjithë rajonit dhe vendeve anëtare

Ftesa

Takimi i parë mes Kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel është  bërë në muajin prill të këtij viti, pas ftesës që i ishte bërë Kryeministrit tonë

Mbështetja e Merkelit ndaj Shqipërisë

Në vizitën e tij të parë në Gjermani, më 1 prill, me postin e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama mori mbështetjen nga Kancelarja Angela Merkel për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në Bashkimin Europian. Deri në ato momente shteti gjerman ishte skeptik për mbështetjen që i duhej dhënë vendit tonë në mbledhjen e Këshillit Europian për dhënien e statusit. “Marrëdhëniet bilaterale, vitet e fundit janë zhvilluar shumë mirë. Edhe marrëdhëniet ekonomike janë zhvilluar shumë mirë. Gjermania është prej vitesh partnere e Shqipërisë. Ne duam që Shqipëria të marrë një zhvillim të mbarë”, ka qenë kjo nisja e fjalimit të Kancelares Merkel me Kryeministrin Rama. Në këtë takim ajo iu përgjigj edhe ftesës së Kryeministrit për një vizitë në Tiranë. “Kryeministri, mua më ftoi për vizitë dhe unë i thashë se do ta respektoj këtë ftesë. Po të më pyesni pas një viti, unë do të kem qenë në Shqipëri”, ka thënë Merkeli.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama