Merr fund pritja per nje premiere

Merr fund pritja për një premierë

Eva Alikaj: "Një rol që e kam ëndërruar."

Më në fund në skenë. Është mendimi i parë që të vjen ndër mend kur lajmërohet shfaqja e premierës "Kush ka frikë nga Virginia Woolf", nesër, ora 19.00, salla e madhe e Teatrit Kombëtar. Vonesa ndodhi për shkak të ngjarjeve që e ndoqën veprën e Edward Albee-t që në muajin gusht kur regjisori Kushtrim Bekteshi erdhi në Tiranë për të filluar punën. Largimi i aktorëve Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvani dhe zëvendësimi i tyre me Eva Alikajn dhe Viktor Zhustin, shtyrja e shfaqjes së 13 nëntorit, siç ishte parashikuar në kalendarin artistik të sezonit, për probleme shëndetësore të aktores Eva Alikaj dhe ajo e 19 nëntorit për shkak të dëmtimit në prova të aktores Eftiola Laçka, bënin të mendoje se premiera e vetme e këtij sezoni do t'i kalonte 2010-s. Por, takimi me median i drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, i regjisorit Kushtim Bekteshi dhe dy aktoreve të pranishme, Eva Alikaj dhe Eftiola Laçka, e rrëzoi poshtë këtë hamendje.

I pyetur nga gazetarët nëse kjo kohë e gjatë ka shërbyer për një rishikim të konceptit regjisorial, për më tepër ushtrim të aktorëve me rolet, regjisori Bekteshi pohoi: "Shfaqja nuk kishte nevojë për rishikim, pasi ishim gati për premierën. Do të ishte joserioze po të rishikohej sërish koncepti regjisorial", duke theksuar se shfaqja nuk u shty për arsye të mospërgatitjes së trupës së aktorëve.

Duke iu referuar veprës së autorit bashkëkohor, Edward Albee, përshtatjes me rolet të aktorëve Eva Alikaj, Eftiola Laçka, Viktor Zhusti dhe Helidon Fino, punës së skenografes Lierka Hribard dhe kostumeve të Anila Zajmit, drejtori Skrami e quajti këtë prodhim të Teatrit Kombëtar "një nga bashkëpunimet më ambicioze".

Më pas regjisori Bekteshi foli për veprën, personazhet që ka krijuar autori i saj dhe punën që ai ka bërë për t'i zbërthyer ata, për t'i sjellë sa më të vërtetë për publikun. "Vepra flet për njerëz që kanë frikë ta jetojnë jetën pa iluzione", thotë Bekteshi dhe shpjegon se edhe dekori i tejdukshëm dhe kostumet janë një mënyrë për të treguar jetën e këtyre personazheve iluzorë, "ikjen nga konceptimi realist e futjen e elementeve surrealistë në shfaqje".

Pas Bekteshit, aktorja Eva Alikaj foli për punën që ka bërë me rolin e Martës. "Ka qenë një luftë. Jam përpjekur dhe kam punuar shumë", u shpreh ajo duke përmendur shkëputjen për një kohë të gjatë nga teatri dhe vendimin radikal që mori për t'iu kthyer sërish punës në skenë, tanimë me një kontratë fikse. Ndryshimi i tonit të zërit të saj të linte të kuptoje sesa i dashur është ky rol për të, ose siç ajo vetë tha: "një rol që e kam ëndërruar".

Ja sesi tregon Eva Alikaj për personazhin e gruas koketë:

"Marta është një grua potente. Duke flirtuar me personazhin tjetër, ajo kërkon ta plagosë, ta dëmtojë, dhe po të jetë e mundur edhe ta shkatërrojë të shoqin. Thelbi i veprës është konflikti midis Martës dhe Xhorxhit.

Ata janë të dy të shkatërruar. Për të kapërcyer dështimet që kanë pasur në jetë, akuzojnë, zihen dhe lëndojnë tjetrin, edhe forcat e fundit i përdorin për të dëmtuar njëri-tjetrin", shprehet aktorja dhe sqaron se përveçse cigareve dhe alkoolit, personazhi i Martës nuk ka të përbashkëta as me Lola Blaunin, personazhin që ka interpretuar para dy vjetësh në skenën e TK-së, dhe as me karakterin e saj.

Me një gjuhë të thjeshtë, të shqipëruar nga Gjergj Peçi, dramaturgu amerikan Albee në veprën "Who is afraid of Virginia WoolF" (1962) flet për konfliktet në çift të Xhorxhit 36-vjeçar, profesor historie (në rol Viktor Zhusti), me 52-vjeçaren Marta, një karakter i fortë dhe i papërmbajtur, e bija e rektorit të universitetit. Zënkat, sharjet, fyerjet që i bëjnë njëri-tjetrit, dalin gjatë një vizite në shtëpinë e tyre të çiftit të ri, Hanit (Eftiola Laçka) dhe Nikut (Helidon Fino).

Edhe pse autori i veprës e ka mbështjellë bukur gjenezën e problemit të tyre, duke na ngatërruar me probleme të tipit tradhti bashkëshortore, dominim i gruas së fortë, monotoni e një jete të gjatë bashkë, në thelb, është mungesa e një fëmije në familjen e tyre, të cilin fëmijë ata "e krijojnë", i japin jetë nëpërmjet fantazisë së tyre. Nga e njëjta gjë vuan edhe çifti tjetër, që megjithëse duket më i përmbajtur, jeton një marrëdhënie të ftohtë, të shtirur, të ndërtuar mbi bazë interesash.

Këto do të rrëfehen në shfaqjen e regjisorit maqedon Kushtrim Bekteshi më 17 deri më 20 dhjetor në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar. Në fund të takimit, Skrami përmendi shkurt objektivat që Teatri Kombëtar ka për vitin tjetër, ndër to 2 premierat që Bordi ka miratuar, rihapjen e Konkursit Mbarëkombëtar të Dramës shqipe dhe pjesëmarrjen në Festivalin Teatror të Visbadenit, Gjermani. Flitet se dy premierat do të jenë "Elektra" dhe "Hamleti". Kurse, Konkursi Mbarëkombëtar i Dramës Shqipe rikthehet me rastin e 65-vjetorit të themelimit të Teatrit Shqiptar.

 

 

 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama