Nën drejtimin e trajnerit Haxhiu dhe ndihmësve të tij, Luftëtari ka vazhduar përgatitjet për sfidën ndaj Shkumbinit, ku objektivi i vetëm do të jetë fitorja. Skuadra po gëzon një formë të mirë, pas fitores me Dinamon.
Zv.kapiteni Ergys Mersini, në një nga emisionet sportive në televizionet lokale, ka folur në lidhje me trepikëshin ndaj bluve duke thënë:
"Triumfin ndaj Dinamos nuk na e dhuroi askush, për më tepër kur bëhet fjalë për katër gola të shënuar. Është rezultati ai që nuk lë asnjë hapësirë për të dyshuar", ka thënë Mersini, i cili kërkon kujdes për ndeshjet e mbetura në vijim, pasi asgjë nuk ka mbaruar.
"Takimi me Dinamon është arkivuar dhe ne duhet të vazhdojmë punën siç kemi bërë deri në këto momente. Çdo ndeshje e mbetur deri në fund të kampionatit është një betejë për t'u fituar, që të arrijmë edhe objektivin final, ngjitjen në Superiore", ka thënë lojtari i bluzinjve. Sa i takon gjendjes së skuadrës, ajo është mjaft e mirë dhe atmosfera në skuadër është pozitive.
Përgatiti: Tomor Shehu