Mes Kryemesharit dhe Antifonarit?

Mes Kryemesharit dhe Antifonarit?

Antifonari i durrsakut Gjergj Danish Lapacaja (përmbledhje antifonash apo këngësh) dorëshkrim i vitit 1531, deri vonë ndodhej në kryekishën e Monopolit, kurse tani ruhet në dioqezën e po këtij qyteti. Kodiku i shkruar në pergamenë lëkure me 54 fletë i përpiluar nga Gjergj Danish Lapacaja dhe notizuar po nga ai, enkas për faltoret katolike, mbetet atje në fondin e dokumenteve të rralla
A nuk i detyrohet muzikologjia, kultura shqiptare, profesor Domeniko Morgantes, për Antifonarin e durrsakut Gjergj Danush Lapacaj, të vitit 1532?

Të zgjosh vëmendjen për vlera me rëndësi kombëtare dhe t’ua japësh informacionin gjeneratave në vijimësi, nuk mendoj se mbetet në kufijtë e kuriozitetit. Atëherë le të jemi të thjeshtë për çka duam t’i ofrojmë lexuesit masiv, si dhe të trokasim në kujtesën e profesionistëve të fushës, qofshin këta edhe nga më dinjitarët e kombit tonë. Por veçmas, te strukturat kulturore.

Po rrekem jo vetëm si shërbestare në bankën e diturive, ku më ka ngjarë mot moti, t’i prek e të krenohem vetëmëveti me këto dokumente të çmuara për kulturën kombëtare, por më gjerë…

Ideja ime vetëstepse: Le t’dritësojë secili sipas fushave …(!) më ka kyçur. Në nxitimecjen e dekadave kam provuar se heshtja është harresë, e për këtë pendimi më ka shtyrë në një dritësim, qoftë ky, edhe semplist… Për Antifonarin e durrsakut, “tonë” Gjergj Danish Lapacaj, dokument i vitit 1532.

Por, a është ky, një dokument me rëndësi edhe filologjike, përveç përmendore e muzikës arbërore të shek. XVI, siç thekson muzikologu i mirënjohur profesor Ramabdan Sokoli?? (Ndjesë pastë!) Libri studimor i R. Sokolit (63 faqe) Antifonari i Gjergj Danish Lapacaj, botuar nga “Toena” në vitin 2000, me ndihmën e fondacionit për kulturën dhe artet “Fan Noli”, ma solli në sy një bankarelë buzë Lanës, 13 vjet më parë. Mundi kërkimor e studimor i prof. Sokolit, në arkivin e dioqezës së Monoploit, qytet bregdetar në Italinë Juglindore, është një nismë private. E për analogji, sado çalamane, edhe rruga e ardhjes në Bibliotekën Durrësit të librit, po private … Andaj, ruhet si kopje unikale (!) në Muzikologji. Dhe kjo kopje, e pashumëkërkuar nga akcili muziktar…durrsak (?!) (Më ndjeni, ju që e keni në bibliotekat private…!) Por trishtohem se vijon heshtimi e hupja e durrsakut Gjergj Danish Lapacaja… Mos qoftë kështu! Mendimi se kultura dhe qytetërimi filloi me shkrimin, vjen i konsoliduar, jo vetëm prej referimit se fillesat e kulturës në Durrës i gjejmë në shkrimet mbivarrore të shek. II, p. K., të Ernest Kasirer (“Filozofia simbolike”).

Por, edhe një seri dëshmish, qofshin edhe pjesore. Që gjithsesi nuk janë objekt i vështrimit… Pra, le të mbetemi tek e shkruara që nuk fluturon si fjala dhe metoda krahasimtare: Mendoj se Meshari (1555), i pari dokument i shqipes së shkruar mesjetare dhe Antifonari (1532) të së njëjtës periudhë historike, mbeten dy kështjella me zgavra, por edhe dritë.

Për Kryemesharin, monumentin, i ruajtur si ekzemplar unikal në Bibliotekën e Vatikanit në Romë, që prej shekullit 18*, gjenerata jonë i është ndernjohëse dhe e përulur përjetësisht, kryegjuhëtarit shqiptar, prof. Eqrem Çabej. Profesori iu përkushtua përunjësisht e mundimshëm duke na sjellë studimin shkencor filologjik e gjuhësor nga më dinjitozët për Mesharin e Gjon Buzukut (më 1968). Por ama, profesori, shkencëtar konsekuent, rektor i albanistikës, e nënvizon gjurmuesin e kësaj vepre, studiuesin Imzot Pal Skiroi (peshkop i arbëreshëve të Sicilisë (1866-1941), jonian. Pikërisht sepse kleriku i ditur, Mesharin, e bëri pronë të botës shkencore më 1909. E “hipotekoi” pas tre shekujsh e gjysmë varrosje. Prof Çabeu, e çmon nxjerrjen e tri fotokopjeve të librit nga studionjësi i gramatikës dhe literaturës së vjetër shqiptare, Justin Rrota, më 1929-n. Nënvizoj se; në krye të herës, ai ndalet te gjurmuesi i parë i Mesharit: 1740, kur kryepeshkopi i Shkupit, i ndodhur për vizitë në Romë; Gjon Nikoll Kazazi, prej Gjakove, e mori librin dhe kopjoi një copë nga rituali i martesës (dhënia e unazës) dhe ia dhuroi atë në shenjë nderimi Atë Guzetës. Argumente këto se aristokracia katolike shqiptare, që emigroi dhe perëndoi me motin e madh të Skënderbeut, kishte gjurmues, studiues, që e ruajtën farën e kulturës shqiptare. Por, pa harruar se ishin enklava të një kombi me kulturë të gjerë dhe mundësi zhvilluese, si Italia. A u çmuan simbolikisht, si ndernjohës këta fisnikë bujarë të kombit shqiptar, përveçse të përjetësuar në vepër nga profesori i madh Çabej? Po fijet lidhëse, jo pa rol, me pinjollë të Kastëriotëve, Buzuqe, Muzakëve, Skirove, Gjonëve, etj. Pra, ata dhe ato, të martuara me familje italiane me kulturë, i çmuan dhe i ruajtën dokumentet apo dijet tona në dioqeza apo biblioteka … Anonimë, jo rastësorë, edhe pse pjesorë, e kanë gjenezën e tyre dhe mundi i tyre duhet çmuar.

 

Kush është Gjergj Danush Lapacaj?

I pari nga Lapacajët, që u vendos në Monopoli, ishte Danushi, bashkëluftëtar i Skënderbeut. Ky pinjoll i një familje të pasur durrsake, pati themeluar atje një shoqatë edhe një kapelë në faltoren e Shën Pjetrit në Monopoli, të cilën e stolisi me një sërë veprash artistike, sidomos piktura. Sipas një testamenti të shkruar më 14 maj 1535, Danush Lapacaja ia la tërë pasurinë tre djemve të vet; Gjergjit, Anton Kolës dhe Françeskut. E pasaktë është ditëlindja e Gjergjit, autorit të Antifonarit, teksa ditëvdekja daton 1593. Nga F. A. Gleines “Histori e kishës”, bot. Treu 1643, mësojmë se: Gjergj Danish Lapacaja, i biri i Marës, pat zgjedhur karrierën kishtare dhe se shpejt arriti të emërohet Kanonik i kryekishës së Monopolit 1532, e më vonë protonator aposotolik. Gjergji u vendos në Napoli, si mësimdhënës ku më 1542 botoi: “Traktat rreth aritmetikës dhe Gjeometrisë”, vepër e cila u ribotua nëntë herë. Më vonë kaloi në Romë për të punuar në kapelen e selisë papnore. Në ribotimin e fundit të kësaj vepre shkencore (1784), Gjergji, cilësohet Njeriu i shquar për merita shkencore, sidomos të mësimdhënies, por edhe si ing. hidraulik, dijetar erudit dhe njohës i greqishtes së vjetër, latinishtes, italishtes dhe amtares, arbërishtes.

 

Antifonari, ende në dioqezën e Monopolit…

 

Antifonari i durrsakut Gjergj Danish Lapacaja (përmbledhje antifonash apo këngësh), dorëshkrim i vitit 1531 deri vonë ndodhej në kryekishën e Monopolit, kurse tani ruhet në dioqezën e po këtij qyteti. Kodiku i shkruar në pergamenë lëkure me 54 fletë, i përpiluar nga Gjergj Danish Lapacaja dhe notizuar po nga ai, enkas për faltoret katolike, mbetet atje në fondin e dokumenteve të rralla …Gjithsesi i vizitueshëm jo vetëm, për muziktarët…

Gjurmuesi… 1992. Në një Kongres Ndërkombëtar të Studimeve Gregoriane, mbajtur në Ankona të Italisë më 1992, muzikologu italian, Domeniko Morgante* kumtoi për këtë Antifonar të mesjetës dhe nuk mbeti jashtë vëmendjes shkencore. Sjellja pas 462 vjetësh e monumentit të muzikologjisë, vepër e një emigranti arbër, ishte zbulim… (Tashmë edhe si kulturë mesdhetare, adriatike…) Po bota kulturore shqiptare, veçmas ajo e muziktarëve, a e bëri pronë të kulturës sonë këtë monument të muzikologjisë shqiptare, me adresar të plotë?? Në mos kemi të bëjmë me binjakun e Kryemesharit, edhe pse më i hershëm. Edhe vetë autori durrsak na shfaqet si kontribuues edhe me veprën shkencore, matematikore, të ribotuar nëntë herë… Preferoj ta lë të ligjërojë studiuesin e përvuajtur atdhetar; Ramadan Isuf Sokoli: … “Veprat dhe veprimtaria e durrsakut Gjergj Danush Lapacaja kishin mbetur pothuajse të harruara derisa u restaurua… më 1950. Antifonari u shpall botërisht në këtë tubim (!) *Njoftimin e parë ma ka dhënë mërgimtari, zoti Amik Kasaruho. Me nismën time dhe me shpenzimet e mia shkova deri në Monopoli ku, pasi u njoha me dorëshkrimin m’u dha mundësia për ta fotokopjuar së bashku me të dhëna rreth jetës së Gjergj Danush Lapacajës ….

 

* Kongres Ndërkombëtar i Studimeve Gregoriane, mbajtur në Ankona të Italisë më 1992

Profesori don të ndajë me lexuesin edhe përvoja të hidhura në shtetin monist: “…Filmi dokumentar kinematografik, përkushtuar muzikantit arbër, Jan Kukuzeli, pasi ma bllokuan, më premtuan disa vjet burg për agjitacion e propagandë fetare.

 

 Refleksione për shumëçka …pas afro çerek shekulli demokraci

 

 Kur diktaturës po i binin dhëmbët, ndonjë intelektual i pushtetshëm, por fatmirësisht liberal e filolog i zellshëm, poet etj., si Moikom Zeqo, krijoi oaze, për intelektualët, së paku në Durrës. Kështu u krye rizhvarrosja muzikantit durrsak, Jan Kukuzeli. Violinisti i ri e i talentuar, Florian Vlashi, krijoi orkestrën harqeve me emërtimin Jan Kukuzeli. Edhe liceu i Durrësit nga Ulqinaku përjetësoi emrin e Kukuzelit profesor R. Sokoli qe gjallë po mungues në Durrës. (Projektideja për një bust, e mbetur ende një letër). Vite më pas (2000-2004), të suksesshme mbetën edhe katër edicionet muzikore me talentet jashtë atdheut; “Takimi i Kukuzelit..”, me udhëheqës Artistin e Merituar, kompozitorin e mirënjohur prof. Hajg Zacharian, (Universiteti i Arteve), gjithsesi me koordinimin e spalës 30 –vjeçare të violinave durrsake, mjeshtrin Vladimir Caku. Por edhe strukturat ishin kulturëdashëse… (Edicionet kukuzeliane, të ndërprera tashmë, për mungesë financiare…). Muzikologu me prosperitet, Ramadan Sokoli, e përmbyll me një amanet në të shenjtë, si ta dinte pragvdekjen. Vepra të tjera me vlerë të shumëfishtë dergjen skutave… Vetëkuptohet se kjo punë nuk mund të kryhet nga diletantët, ndërsa deri më sot, ca muzikologë të diplomuar e të punësuar nëpër institucione, vazhdojnë të marrin mjaft e të japin fare pak … Megjithatë, edhe kjo punë duhet bërë, në mos tjetër, nga ata që e ndiejnë si detyrim ndaj Atdheut.

 

Morgante në Durrës i ftuar nga violinisti tashmë i mirënjohur, Florian Vlashi

 Mirënjohje pas 21 vjetësh..

Më 1532 u shkrua Antifonari

Më 1992 u kumtua në kongresin internacional nga gjurmuesi, muzikolog italian nga Monopoli (1956) Domeniko Morgante. Shejza e parë për botën kulturore shqiptare u dha nga një personalitet perëndimor i fushës. Në vitin 2000, prof. R. Sokoli, gjithsesi si nismë private, patjetër është po shejza e dytë. Dhe nëse ndërnjohja për figurën e muzikologjisë italiane (specialist i muzikës së rilindjes dhe barokut) mbetet e mangët, le ta plotësojnë atë strukturat e kulturës. Udhëheqësi artistik i edicioneve verore “Net të muzikës klasike”, violinisti i mirënjohur, edhe për kulturën e gjerë, Florian Vlashi, propozon: Mirënjohje e Qytetit të Durrësit për prof. Domeniko Morganten. Natyrisht, kjo është një Faleminderit profesor Morgante! Pas 21 vjetësh, por gjithsesi zyrtare. Më mirë vonë se kurrë.

Por , mendoj se edhe emërtimi i një rruge Gjergj Danish Lapacaj, do t’i bënte nder qytetit dhe gjeneratave të ardhmërisë dhe i takon nderi ta zbulojë, po miku Morgante… Nëse do të ndodhë …Ashtu si edhe busti i Kukuzelit. Autori i Antifonarit, duhet të ndihet princ në qytetin e Durrësit, pinjoll i të cilit … mbeti prej shekujsh.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama